Kriza, KESH-it nuk i dalin 50 milionë euro për import

Situata

Energjia elektrike, problem për vendin dhe arkën e shtetit

Vetëm pak ditë pas garancisë prej 50 milionë eurosh, qeveria mund të detyrohet të japë të tjera para për të siguruar furnizimin e vendit me energji. KESH pagoi menjëherë 18 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj furnitorëve, ndërkohë që vetëm fatura e importit për 20 ditë të muajit tetor ishte 14 milionë euro të tjera. KESH-i është duke blerë energji për të kompensuar importin e pa realizuar nga CEZ-i.


Aktualisht korporata blen nga jashtë 11 milionë kilovat orë ose 700 mijë euro energji në ditë. Burime konfidenciale nga korporata, thonë për “Top Channel” se shuma e mbetur nga garancia mjafton për të siguruar energji deri në fund të nëntorit.

Me rezervat hidrike afër pikës kritike, qeveria mund të detyrohet të ndërhyjë sërish për të garantuar furnizimin e vendit me energji në dhjetor, duke dhënë të tjera para. Nëse kjo ndodh borxhi publik i vendit, edhe zyrtarisht do të kalojë kufirin ligjor 60 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe tashmë, edhe vetë qeveria duket e dorëzuar. Vetëm nga garancia financiare e lëshuar pak kohë më parë, bazuar nga niveli i borxhit vendosur për këtë vit, qeveria mund ta ketë kapërcyer me 0.6 për qind.

Por ky është vetëm kufiri zyrtar. Shifra reale e borxhit mund ta ketë thyer kufirin 60 për qind të PBB që më parë, nëse përfshihen detyrimet e prapambetura që qeveria ka ndaj kompanive private për punët publike apo dhe rimbursimin e TVSH-së. Në total, vlerësohet një faturë që mund të arrijë deri në 200 milionë euro, fakt i pranuar në heshtje nga ministri i Financave.

Tkurrja e rritjes ekonomike në nivelet minimale (tremujori i dytë, me 2 për qind) i ka futur financat publike të vendit në një rrugë të paqëndrueshme dhe tashmë shpresa e vetme e qeverisë që buxheti të mos shthuret është që privatizimi i kompanisë së naftës “Albpetrol” të përfundojë me sukses. Në lojë janë 850 milionë euro dhe nevojat e mëdha për likuiditete e kanë futur qeverinë në diskutime të shumta se ku do t’i çojë më parë të ardhurat e privatizimit.

KESH pagoi menjëherë 18 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj furnitorëve të energjisë

Vetëm fatura e importit të energjisë për 20 ditë të muajit tetor ishte rreth 14 milionë euro

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/




LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.