Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Surpriza II, Taçi blen “Albpetrol”: Jap 850 milionë euro, por me kushte

100% aksionet - Rezart Taçi zotëron 100 për qind aksionet e kompanisë “YPO Holdings”, pjesë e konsorciumit “Vetro Energy”, e cila bleu “Albpetrolin”

51% pjesa - “YPO Holdings”, ku Taçi është pronar zotëron 51 për qind të aksioneve te konsorciumi “Vetro”, për pasojë ai është pronari i  kompanisë

49% amerikanët - Kompania tjetër, ortake e YPO-s, “Silk Road Equity” zotërohet nga amerikanët me fond investimi dhe kanë 49 për qind të aksioneve te “Vetro”

Privatizimi

Biznesmeni shqiptar del hapur: Kam 51% të aksioneve dhe zyrë në Singapor. Amerikanët, 49%

ARD KOLA

Po, ai është Rezart Taçi. Bleu rafinerinë e naftës, ARMO-n për 120 milionë euro në 2008 dhe tani është afër zotërimit total të kompanisë së prodhimit, “Albpetrol”. Bashkë me amerikanët e “Silk Road” ofroi në shtator 850 milionë euro për të blerë 100 për qind aksionet e “Albpetrol” dhe është gati të mbyllë kontratën me qeverinë, duke i dhënë atij profilin e një “manjati rus” të naftës.

Pas megaofertës e cila vlerësohet sa 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, aq sa habiti edhe mediat ndërkombëtare, prezenca e Taçit në konsorciumin “Vetro Energy”, konsiderohet surpriza e dytë. Dje për mediat u zbardh e plotë skema e shitjes së kompanisë vendase të naftës dhe kush ishin aksionerët. Oferta është bërë nga “Vetro Energy”, e cila do të jetë pronarja e re e “Albpetrol”.

“Vetro” është bashkim i dy kompanive që janë “Silk Road Equity”, amerikanët me fondin e tyre të investimit, me 41 për qind të aksioneve dhe “YPO Holdings” me 51 për qind të aksioneve. Pikërisht tek YPO, mbështetet edhe prania e Taçit, pasi ai aty zotëron 100 për qind të aksioneve, për rrjedhojë merr edhe drejtimin e “Albpetrol”. Kompania YPO ka seli në Singapor, që sipas Taçit është “vend me treg të favorshëm financiar”.

“Kemi bërë ofertë konkurruese. E vlerësuam të tillë pas shumë konsultimeve me ekspertë të fushës, që njohin mirë asetet dhe vlerat e këtij sektori”, tregon Taçi. Sipas tij, interesat nuk lidhen vetëm me shitjen e naftës, por edhe të gazit, duke pasur parasysh projektin gazsjellës TAP.

“Me këtë blerje realizoj një cikël të plotë. Prodhim, përpunim dhe shitje”, vijon më tej pronari i ri i “Albpetrol”, duke sqaruar edhe planin e zhvillimit, pra investimet, të cilat do të jenë 220 milionë dollarë për pesë vitet e ardhshme. Interesimi i mediave lidhet me pagesën e shumës, si do të realizohet dhe kur. U bënë disa pyetje, por përgjigjja më e qartë ishte kjo:

“Shikoni, duhen kaluar disa faza deri në derdhjen e parave. Qeveria i kërkon direkt, me një këst, pasi kështu është rënë dakord në kushtet e privatizimit. Por më duhet t’ju shpjegoj se para këtij hapi, nevojitet negocimi për hartimin e kontratës, i cili kërkon afro 60 ditë. Pastaj miratimi në qeveri dhe më pas në Parlament. Më parë, duhet të ngrijmë si garanci në bankë 20 për qind të shumës, afro 170 milionë euro”, shpjegon Taçi.

Sipas tij, pagesa do të kryhet pasi të jenë qartësuar të gjitha çështjet e privatizimit. “Do të negociohet çdo operacion, aspekt ligjor, përfshi edhe përbërjen e kontratave koncesionare. Ne duhet të jemi të bindur, në interes të kompanisë time se çdo marrëdhënie është korrekte. Do të kryejmë certifikimin e koncesioneve të dhëna, si operojnë etj., padyshim duke respektuar çdo marrëveshje. Pasi t’i kemi qartësuar të gjitha, atëherë paratë do të jepen të gjithë në një këst”. Sipas tij, paratë do të derdhen nga banka. “Në momentin që ndërtohet një konsorcium, ky konsorcium nga institucionet financiare trajtohet si një i tërë, nuk trajtohet i ndarë dhe kontributi financiar i veçuar. Nuk janë të ndara, se sa një nga aksionerët do të depozitojë në buxhetin e shtetit. Është konsorciumi, i cili paguan dhe paratë gjenden në institucione financiare dhe në banka dhe jo pranë një personi fizik”, u shpreh Taçi.

Oferta e lartë shoqërohet më të tjera dilema, si p.sh., fakti i blerjes për 850 milionë euro të një kompanie, e cila zotëron vetëm 5 për qind të puseve (ofro 1200), pasi pjesa tjetër (95 për qind) menaxhohet nga kompanitë e tjera koncesionare, madje duhet thënë sa kanë rendiment më të lartë, nga sa realizon “Albpetrol” dhe e kanë marrë këtë të drejtë pothuajse falas.

“Interesi ynë nuk është vetëm nafta e ‘Albpetrol’, por edhe sektorë të tjerë, si gazi. Sikurse dihet, ne kemi të drejtën e kontrollit të këtyre kompanive, u marrim një pjesë të naftës, etj”, u përgjigj Taçi.

Negociatat për finalizimin e kontratës mund të zgjasin 60 ditë dhe më pas miratohet nga qeveria

 

Ortaku

Mathew Roszak

“Kam më shumë se 18 vjet pune, eksperiencë të plotë në investime kapitale përmes fondeve të shumta, sikurse jemi përfshirë edhe në projekte të rëndësishme privatizimesh. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, është i sigurt, prandaj dhe zgjodhëm të investojmë. Ka kushte të mira, burime nafte dhe krah të lirë pune, pozicion strategjik në Ballkan për shkak të përfshirjes së saj në projektet e gazit dhe naftës, duke pasur parasysh projektin TAP”, tha drejtues i konsorciumit “Vetro Energy”, pronar i “Silk Road Equity”.

 

 

Partneri

Peter Huddleston

“Kompania që drejtoj ka eksperiencë 35-vjeçare në sektorin e naftës dhe gazit, në Teksas sikurse operon edhe në shumë vende të tjera të botës. Me eksperiencën tonë, do të realizojmë shumë zhvillime pozitive në tregun shqiptar të hidrokarbureve. Do të synohet të ndërhyhet me mjete të teknologjisë së lartë, do të përmirësojmë shkallën e operacionale, mjedisin, si dhe shumë aspekte të tjera. Po të mos ishte Rezarti në këtë projekt, nuk do të ishim pjesë e konsorciumit”, tha presidenti i “Huddleston Energy Advisors”.

 

 

Bilanci

Bizneset e Taçit, xhiro 250 milionë euro në 2011

Rezart Taçi renditet sot në një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri. Përmes kompanive të tij të naftës, “Taçi Oil”, “Kuid” dhe ARMO, Rezart Taçi realizoi një xhiro vjetore prej rreth 34 miliardë lekësh në 2011-n (rreth 250 milionë euro), me një rritje prej 130 për qind në raport me një vit më parë, kryesisht si rrjedhojë e zgjerimit të ARMO-s, bën të ditur “monitor.al”

Krahas biznesit të naftës, “Taçi grup”, vitet e fundit, është zgjeruar dhe në media, përmes blerjes së televizionit “Alsat”, tashmë të shndërruar në “Albanian Screen”, ku ka investuar ndjeshëm për ndryshimin e formatit televiziv dhe në arsim, përmes shkollës private “Nobel”. Në qendrën kombëtare të regjistrimeve, ai rezulton si aksioner në 15 kompani, ndër të cilat edhe banka “Credins”. Gjatë pesë viteve të fundit, Rezart Taçi ia ka dalë që të shndërrohet në biznesmenin kryesor të naftës në tregun e pakicës, ndërsa në total në këtë treg ai renditet pas “Kastratit & Kaspetrol” dhe “Elda Petroleum”, që janë dy shoqëritë më të mëdha të naftës në vend, në bazë të xhiros vjetore dhe mbizotërojnë në tregun e shumicës.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore