“Vetro” shpallet zyrtarisht fitues, qeveria pret paratë

Pakt tjetër me azerët

Dje u miratua në parim marrëveshja, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Azerbajxhanit, për bashkëpunimin ekonomik, industrial dhe teknologjik, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. “Mbetemi shumë të interesuar për marrëdhëniet më miqësore me këtë vend mik dhe do t’i shtrijmë këto marrëdhënie në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të dy vendeve tona”, tha Kryeministri

Megaoferta amerikane, për gazin. Berisha: Kemi plot

“Gazi, i fjetur në nëntokën shqiptare, mund të nxirret dhe të kthehet në vlerë”, thotë Berisha

Amerikanët e “Vetro Energy”-s dhe partnerët, pjesë e konsorciumit janë shpallur zyrtarisht fitues, me vendim qeverie, miratuar dje, në mbledhjen e radhës. Kryeministri ishte tejet entuziast, pasi flitet për shuma deri në 1 miliard dollarë, ose sa gati 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Këshilli i  Ministrave, bazuar në propozimin e komisionit të vlerësimit të ofertave të ‘Albpetrol’ dhe sugjerimin e qartë të konsulentit të privatizimit, firmës së madhe dhe të njohur në botë ‘Pattern Bogs’, shpall fitues kompaninë me ofertën më të mirë, “Vetro Energy”, me një vlerësim prej 97.79 pikë”, tha Berisha. Kompania mori pikë të plota sa i takon vlerësimit financiar, prej 75 pikë, kurse ai teknik ishte rreth 22 pikë. Mendohet se “Vetro” do të investojë rreth 250 milionë euro, por në ditët në vazhdim do të zbardhen detajet e kontratës, e cila aktualisht po negociohet mes Ministrisë së Ekonomisë dhe ofertuesit.

Për Berishën, në këtë koncesion dhe në çdo koncesion tjetër, qeveria i jep të drejtën e shfrytëzimit, në mënyrë që, në rastin konkret nafta, eventualisht gazi që mund të jetë i fjetur në nëntokën shqiptare, të mund të nxirret dhe të kthehet në vlerë për qytetarin shqiptar. Në fakt, çdo ditë që kalon konfirmohet fakti se interesi amerikan nuk është vetëm nafta, por edhe gazi i fshehur në nëntokë, element që pranohet edhe nga vetë Kryeministri.

Amerikanët kanë të tjera interesa. Burime të gazetës “Shqip”, pranë kompanisë “Albpetrol”, thonë se, përfaqësuesit e “Vetro Energy” nuk janë shfaqur asnjëherë në zyrat e shoqërisë për t’u njohur me bilancet, parë nga afër puset dhe asetet, sikurse bënë rivalët e tjerë si “Gazprom”, “Bankers”, apo kinezët e “Win Business”, të renditur të dytët. Të njëjtat burime theksojnë se nuk ka pasur asnjë informacion se kjo kompani do të ishte pjesëmarrëse në tenderimin e shitjes së “Albpetrol”-it. Deri në momentin e fundit, METE kishte zbardhur një listë me 19 kompani, por “Vetro” nuk ishte e renditur mes konkurrentëve.

Sipas burimeve, interesi parësor i “Vetro Energy” mendohet të jetë pjesëmarrja në projektin e ndërtimit të gazsjellësit nga Azerbajxhani drejt Europës, “Trans-Adriatik” (TAP), që tashmë është konfirmuar se do të kalojë edhe nëpërmjet Shqipërisë.

Kjo, edhe për vetë faktin se pak muaj më parë, qeveria i ka kaluar “Albpetrol”-it në administrim kriporet diapire të Dumresë, që më parë i zotëronte AKBN-ja. Këto kripore të nëntokës, pasi boshatisen, mund të kthehen në depozita të gazit natyror, që mendohet se do të shërbejnë për magazinimin e tij gjatë muajve të verës, kur kërkesa në Europë bie.

Kompania privatizuese e “Albpetrol”-it që do të ketë në pronësi edhe këto kripore diapire, të cilat do të kenë vlerë mjaft të madhe nëse kthehen në depozita të gazit natyror që do të vijë prej Azerbajxhanit. Tashmë pas vendimit final, qeveria pret me padurimin derdhjen e parave, që nuk janë pak, por plot 850 milionë euro. Sipas METE-s, kompania amerikane duhet të derdhë 20 për qind të shumës, pra këstin e parë.

Nafta në Shqipëri, gjatë këtyre 22 viteve të fundit dhe më gjatë nuk ka njohur burime të reja dhe kjo jo se nuk janë bërë shpime, por rezultatet kanë qenë të dobëta, pavarësisht se janë shpenzuar disa milionë euro. “Kjo nuk do të thotë se nëntoka jonë nuk mban sasi të mëdha nafte dhe gazi, por do të thotë se 20 vjet eksplorime, nuk kanë pasur ndonjë sukses të lakmueshëm”, thotë Berisha.

A.Kola/E.Hoxhaj

 

Renditja finale

Kompanitë  Pikët Oferta

  • “Vetro Energy”  97.79 850 milionë euro
  • “Win Business”  44.39 297 milionë euro
  • “Bankers Petroleum”  30.83 303 milionë euro
©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.