FMN: Rritja ekonomike për 2012, 0, 5 %, niveli i borxhit, ende rrezik

Gjatë një konference të përbashkët të FMN, Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, që ka si synim vlerësimin për gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Nadeem Ilahi deklaroi se rritja ekonomike e Shqipërisë që nga viti 2008 kur filloi kriza ekonomike në botë, ka qenë relativisht e qëndrueshme, ndërsa tani vendi ynë rrezikon seriozisht nga kriza në eurozonë, duke pasur parasysh lidhjen ekonomike me vendet fqinje si Italia dhe Greqia.

Sipas përfaqësuesit të FMN, rritja ekonomike për këtë vit në vendit tonë do të jetë 0.5 për qind, ndërsa për vitin tjetër rritja ekonomike parashikohet të jetë 1.3 për qind.

FMN vlerësoi politikat fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare lidhur me mbajtjen e një buxheti të vogël, por bëri thirrje për reduktim të mëtejshme të borxhit publik, i cili përbën ende rrezik sipas FMN.

“Ministria ka shumë të drejtë ku vë në dukje se niveli i buxhetit nuk është rritur aq shumë sa është rritur në vendet e Ballkanit dhe Europës. Por, ne jemi të mendimit se niveli i borxhit mbetet i lartë dhe përbën një rrezik për nevojat në treg çdo vit. Ne diskutuam nevojën për të reduktuar borxhin, por edhe për të mbështetur nevojën e tregut. Këshilla jonë, për vitin 2013 buxheti duhet të ruajë nivelin e borxhit në po atë nivel që është këtë vit”, – theksoi përfaqësuesi i FMN.

Bode: Rritja ekonomike më e vogël se parashikimi, shkak kriza në eurozonë

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka pranuar se rritja ekonomike në vendin tonë është më e vogël se sa objektivat e qeverisë, e cila parashikonte rritjen 4, 3 për qind, ndërkohë që rritja reale sipas ministrit të Financave është 3 për qind.

Bode e ka lidhur këtë fakt me krizën që ka përfshirë eurozonën dhe konkretisht vendet fqinje me ne si Italia dhe Greqia, të cilat kanë pësuar një ulje nga 2-7 për qind në rritjen ekonomike, argumentoi Bode. Ai vlerësoi faktin se FMN i ka konsideruar politikat fiskale të ndërmarra nga ana e qeverisë si koherente dhe të kujdesshme dhe nënvizoi se qeveria do të vijojë të ndjekë të njëjtën politikë fiskale, që nënkupton ruajtje e borxhit publik në nivelin 60 për qind si të pandryshueshëm, taksa të ulëta, qeveri e vogël dhe deficit i ulët, duke favorizuar në këtë pikë edhe investimet direkte, të cilat janë zgjidhja më e mirë, sipas Bodes, për ta mbajtur ekonominë në parametra normalë.

2 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.