Spanja nuk dorëzohet, shkurton më tej shpenzimet

Qeveria krenare premton se do të luftojë deri në fund

Qeveria spanjolle njoftoi dje se do të hartojë një buxhet me kushte edhe më të ashpra për vitin 2013, pavarësisht përkeqësimit të vazhdueshëm ekonomik dhe papunësisë në masën 25 për qind. Madridi ka ndër mend të kursejë 39 miliardë euro përmes shkurtimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave. Deklarata e qeverisë erdhi, ndërkohë që ajo po përballet me protesta shumë të ashpra në të gjithë vendin. Ndërkohë, qeveria vendore e krahinës Castile La Mancha, u bë e pesta krahinë që kërkon shpëtim financiar nga fondet e qeverisë qendrore. Bursat europiane ranë ndjeshëm gjatë të mërkurës kur panë protestën masive në Madrid, e cila kaloi në dhunë në orët e mbrëmjes. Të dhënat thonë se ekonomia e këtij vendi vijon të zvogëlohet nga pesha e krizës. Interesat e bondeve dhjetëvjeçare të Spanjës janë aktualisht rreth 6 për qind në tregun sekondar.

Spanja u zhyt në recesionin e dytë në tri vjet në fund të vitit 2011. Ajo është ekonomia e katërt për nga madhësia në Eurozonë. Madridit i janë ofruar ndihma financiare nga partnerët e vet europianë, por qeveria e këtij vendi ka deklaruar se dëshiron të kalojë vështirësitë pa ndihmë, për arsye të krenarisë kombëtare. Plani final i Madridit është të shkurtojë shpenzimet me 150 miliardë euro deri më 2014, nga të cilat 62 miliardë duhet të shkurtohen këtë vit, 39 miliardë vitin e ardhshëm dhe 50 miliardë më 2014. Por analistët besojnë se kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të zgjidhur problemin.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.