“Albpetrol” – Amerikanët e “Vetro”-s, pranë fitores

10% Garancia – “Vetro” konfirmoi javën e kaluar se kishte paraqitur garancinë bankare prej 10 për qind, ose 85 milionë euro, duke bindur komisionin për aftësinë paguese

2.5% Premio – Konsulenti amerikan, “Patton Boggs”, duket se do të jetë edhe ai “fitues” për punën e bërë, në rast se shpallet “Vetro”, pasi përfiton 22 milionë euro

Mbërrin nga SHBA-ja raporti final i “Patton Boggs”: Oferta 850 milionë euro, më seriozja

ARD KOLA

Mbërritja nga SHBA-ja, Uashingtoni, i raportit final të konsulentit amerikan “Patton Boggs” për shpalljen e fituesit, duket se ka thyer heshtjen e gjatë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për privatizimin e “Albpetrolit”.

Gazeta “Shqip” mëson paraprakisht se oferta e konsorciumit amerikan, udhëhequr nga “Vetro Energy”, me ofertën 850 milionë euro, konsiderohet nga konsulenti si më seriozja, por jo vetëm në aspektin financiar. Burime të ministrisë konfirmojnë renditjen paraprake të firmave, sipas variantit të konsulentit, i cili pas dy javë verifikimesh intensive, duket se ka përzgjedhur ofertën me vlerën më të lartë.

Gara e fortë mes Lindjes dhe Perëndimit duket se po shpall fitues këta të fundit. Ardhja në Tiranë e zv/ndihmëssekretarit të jashtëm të SHBA-së, Riker, ditën kur do të zhvillohej ankandi, ishte mesazh i qartë për qeverinë shqiptare për vendimin strategjik që duhet të merrte. Në muajt e verës, interesimi i kompanive ruse “Gazprom” e “Rusneft”, dhe kinezëve me disa shoqëri të bashkuara në konsorcium, vuri në lëvizje kanalet diplomatike përtej Atlantikut. Në garë ishin 19 kompani, por amerikanët nuk u shfaqën në asnjë seancë, por vetëm ditën e fundit me megaofertën.

Finalizimi i shpalljes së fituesit është i ndarë në dy faza. E para, raporti i “Patton Boggs” do të diskutohet ditën e sotme nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, në Ministrinë e Ekonomisë, ku kryetar është zv/ministri Sokol Dervishaj. Në rast se komisioni bie dakord me atë çfarë rekomandon konsulenti i huaj, atëherë merret vendimi dhe dosja shkon për miratim te Kryeministri Berisha. Kjo është faza e dytë, pra shqyrtimi i dosjes së vlerësimit të ofertave në Këshillin e Ministrave, vendim që pritet të merret në mbledhjen e javës së ardhshme.

Duket se edhe Kryeministri ka pranuar sugjerimet e konsulentit amerikan, duke pasur parasysh takimet me përfaqësuesit e shoqërisë “Patton Boggs” dhe deklaratat e shumta se, procesi ishte transparent dhe se kompania e huaj ka punuar mirë, në interes të përbashkët.

Tashmë kur “Vetro”-s i kanë mbetur edhe pak ditë nga shpallja fitues, në rast se do të merret në konsideratë raporti i konsulentit, ajo çfarë mbetet tjetër për t’u zbardhur për publikun është shuma 850 milionë euro dhe lista e kompanive që përbëjnë konsorciumin. Gazeta “Shqip” mëson faktin se janë disa shoqëri të njohura, mes tyre edhe një kompani shqiptare, lider në tregun e karburanteve.

Sa i takon aftësisë paguese, vlera e paraqitur në ankand prej 850 milionë eurosh (gati 1 miliard dollarë), sa 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose sa 25 për qind e buxhetit vjetor, konsiderohet nga analistët e fushës si surpriza më e madhe në rast se vërtetohet se ekziston si shumë. “Vetro” ka paraqitur garancinë bankare, prej 10 për qind, që i bie rreth 85 milionë euro, por kjo nuk mjafton. E thënë ndryshe, në rast se konsorciumi nuk vërteton aftësinë paguese ose derdhjen e shumave, atëherë qeveria i ka të garantuara 85 milionë eurot, dhe vijon negociatat për kompaninë e renditur e dyta.

Privatizimi i “Albpetrolit” konsiderohet procesi më kompleks i zhvilluar ndonjëherë, pasi brenda privatizimit u përfshi dhënia e disa të drejtave, sipas kushteve të marrëveshjeve hidrokarbure. Shteti po shet përgjithnjë asetet e “Albpetrolit”, si magazinat, depozitat, tubacionet, tokat etj., kurse të drejtën për të kërkuar dhe nxjerrë naftë e gaz e jep për 25 vjet.

Raporti final i konsulentit amerikan duket se ka marrë edhe aprovimin e Kryeministrit Berisha

 

Qëndrimet

PS, Braçe: Oferta, vlerë që nuk duhet duartrokitur

“850 milionë euro, duke lënë mënjanë misteret, nuk është një shumë që duhet të duartrokitet. Ky është privatizimi më i madh që po ndodh në Shqipëri, jo vetëm për shkak të shumës, por sepse nafta është pasuria kryesore e shqiptarëve. Në Europë ka vende të tjera që kanë naftë në det, por ne jemi i vetmi që e kemi atë në truallin tonë. Problemi i këtij privatizimi është se i jepet e drejta privatizuesit që të ketë akses mbi të gjitha burimet që nuk janë gjetur ende”, deklaron deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

 

PD, Shehu: Çmimi i shitjes, vlerësim për vendin

“Oferta në fjalë tregon se Shqipëria është shndërruar në një vend me interes të lartë investimi. Rëndësia që ka vetë sektori është strategjik, është një mall strategjik që ndikon edhe në politikën botërore. Hipoteza nëse banka ka dhënë garanci që mund të ekzekutohet, nuk duhet të paragjykojë bankën, e cila nuk është midis 50 më të mëdhave në botë, siç ishte parashikuar në kushte, por që mbetet gjithsesi një bankë e madhe dhe e fuqishme. Nuk po shiten burimet natyrore, por po shitet investimi i bërë në pus”, thotë deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu.

 

Filipi: Shitja 100%, formulë e diskutueshme

“Duhej të kishte pasur një konsultim të gjerë më herët për të përcaktuar formulën e dhënies së këtij aseti të çmuar për shqiptarët. Është një aset kombëtar shumë i rëndësishëm, dhe akoma më i rëndësishëm për mënyrën globale se si po marrin gjërat në botë. Është një aset që mund të ndihmojë Shqipërinë të ngjisë shumë shkallë në renditjen globale. Ky diskutim nuk gjeti vend në momentin kur u mor vendimi për formulën e privatizimit dhe është vendosur që privatizimi të bëhet 100%”, tha analisti Gjergj Filipi.

 

Financat

Shansi i Kryeministrit dhe ministrit Bode për të manovruar me buxhetin

Të ardhurat nga privatizimi, për borxhe dhe investime

Të arkëtosh 850 milionë euro në kohë krize është një shans i madh, po aq edhe i habitshëm, kur flitet për shitje magazinash pa vlerë dhe dhënie të drejte 25-vjeçare, të kushtëzuar. Gjithsesi, opsioni i përfitimit të shumës i jep mundësi ministrit të Financave të menaxhojë si duhet të ardhurat në buxhetin e shtetit. Prej disa muajsh, shefi i Financave, Ridvan Bode, e ka shtyrë shqyrtimin për korrektimin e buxhetit të shtetit 2012, pikërisht për faktin e pritjes së rezultatit final.

Nuk ka një ligj bazë që dikton qeverinë se çfarë duhet të bëjë me të ardhurat nga shitja e 100 për qind të aksioneve të “Albpetrolit”. Ndarja e zërave se ku do të shkojnë të ardhurat caktohet në ligjin e buxhetit vjetor, në çdo fundviti, kur miratohet nga Kuvendi.

Zakonisht, nga praktikat e deritanishme, ndarja e të ardhurave ka shkuar gjysma për shlyerjen e borxhit dhe gjysma për investime, raport ky i diktuar edhe nga rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Megjithatë, ka pasur raste që një pjesë e të ardhurave është caktuar të shkojnë, afro 20 për qind për kompensimin e ish-pronarëve dhe ish të dënuarit politikë.

Megjithatë, të ardhurat nga privatizimi strategjik nuk shikohet me aq optimizëm nga analistët e fushës. “Nëse të gjitha këto para do të injektoheshin në ekonomi, efekti në xhepat e shqiptarëve nuk do të ndihej për të pasur efekt në zgjedhjet e 2013-s”, thotë eksperti i fushës, Gjergj Filipi. Sipas tij, koha nuk premton për këtë.

Ndërsa shpenzimet buxhetore kanë arritur të mbahen nën kontroll në tetë muajt e parë të këtij viti, duke rënë lehtë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky kursim ka ardhur pothuajse tërësisht në kurriz të shpenzimeve kapitale. Sipas raportit fiskal të Ministrisë së Financave për periudhën janar-gusht 2012, shpenzimet buxhetore kanë rënë lehtë me 170 milionë lekë me bazë vjetore.

Financat kanë gjetur për të kursyer një rrugë që dëmton më shumë ekonominë vendase që po rritet me ritme të ulëta, me shpenzimet kapitale që kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme prej gati 17 për qind, apo rreth 7 miliardë lekë (në raport me janar-gusht 2012), ndërkohë që shpenzimet korrente janë rritur me pothuajse të njëjtën vlerë, rreth 6.7 miliardë lekë (3.4 për qind) me bazë vjetore. Për këtë arsye, më shumë se kurrë, paratë nga shitja e “Albpetrolit” shikohet si shpëtimi i vetëm, për momentin, i ekonomisë shqiptare.

A.Kola

 

Për shkak të mungesës së të ardhurave, qeveria i ka ulur investimet me 17%, në pritje të privatizimeve

Meta: S’ka rëndësi oferta, se sa kush po e bën

Për ish-ministrin e Ekonomisë dhe kryetar i LSI-së, Ilir Meta, partia e të cilit drejton prej më shumë se tre vitesh METE-n, oferta e paraqitur për shitjen e “Albpetrolit” nuk përbën rëndësi të madhe, se sa fakti se kush po e jep, pra kompania dhe seriozitetit që ajo disponon. “Privatizimi i ‘Albpetrolit’ nuk duhet bërë me logjikën e inkasimit të një shume të majme parash në buxhetin e shtetit, por duke pasur parasysh dhe seriozitetin e partnerëve”, deklaroi këtë jave, aleati kryesor i Berishës në qeveri.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

1 Comment
  1. vlora@yours.com says

    Adresa e Vetros:
    Vetro Energy Pte. Ltd.
    100 Cecil Street, #11-01, The Globe
    Singapore 069532

Comments are closed.