Spanja zhytet në protesta, Madridi pranë dorëzimit

Qeveria konservatore duket se po detyrohet të kërkojë ndihmë financiare nga partnerët europianë

Protesta të dhunshme shpërthyen dje në Madrid kundër planeve të shkurtimit të shpenzimeve të qeverisë, ndërkohë që kërkesa për ndarje nga rajoni i pasur i Katalunjës po shtojnë presionin mbi Kryeministrin Mariano Rajoy për të pranuar ndihmën e shpëtimit nga Bashkimi Europian, njofton “Reuters”. Gjatë protestave, disa dhjetëra vetë u arrestuan. Policia përdori plumbat plastikë për të shpërndarë turmën që po përpiqej të bllokonte Parlamentin e vendit.

Rajoy u ka rezistuar ftesave për të kërkuar ndihmë nga bankierët vendës, si dhe nga udhëheqësit e Francës dhe Italisë, të cilët kanë sugjeruar se kërkimi i ndihmës është një zgjidhje më e mirë sesa planet ekzistuese. Spanja refuzon të kërkojë ndihmë e bindur se disponon klasë politike aq të përgjegjshme sa të zbatojë masa disiplinore financiare pa pasur kushtëzimin e ndërkombëtarëve. Por “Reuters” raporton se ngjarjet e fundit duket se po e detyrojnë këtë vend të heqë dorë nga krenaria kombëtare.

Spanja po vuan nga recesioni i fortë i shoqëruar me interesa shumë të larta mbi borxhin e vet dhe papunësi në masën 25 për qind të forcës së aftë për punë. Të dhënat e fundit tregojnë se deficiti buxhetor këtë vit do të jetë edhe më i lartë sesa 6.3 për qind e PBB-së që qe parashikuar më herët. Në qarqet financiare flitet se Spanja do të deklasifikohet nga agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit të borxhit në statusin e një vendi të painvestueshëm, një status ky i ngjashëm me atë që ka Shqipëria.

Europianët e tjerë besojnë se refuzimi i Spanjës për të kërkuar ndihmë mund të zhysë në probleme të gjithë Eurozonën. Rajoy deklaroi pak ditë më parë se ai do të kërkojë ndihmë vetëm në rast se interesat e borxhit do të qëndrojnë tepër të larta për një kohë tepër të gjatë, gjë që do ta bënte të papërballueshme për këtë vend pagesën e interesave. Tani ai duhet të vendosë nëse do t’i bindet një rregulli ekzistues që kërkon indeksimin e pensioneve me inflacionin, apo do ta anulojë për këtë vit, gjë që do t’i kursente 6 miliardë euro, por ndërkohë do të reduktonte edhe shpenzimet e pensionistëve.

Madridi po përballet këtë kohë edhe me kërkesat në rritje të rajonit të Katalunjës, i cili është një rajon i pasur që jep më shumë para në buxhetin e Madridit nga sa përfiton në formën e transfertave. Katalunja kërkon që të lejohet t’i mbledhë dhe shpenzojë vetë taksat e rajonit, gjë që do t’i hapte rrugën pavarësisë faktike. Katalunja për momentin është e falimentuar dhe kërkon 5 miliardë euro ndihmë nga Madridi.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.