Filmi: “Pharmakon” i Joni Shanajt përfaqëson Shqipërinë në “Oskar”

“Pharmakon” do të jetë filmi që do të prezantojë Shqipërinë në çmimet “Oskar”. Filmi, i realizuar nga regjisori i ri Joni Shanaj, ka qenë i vetmi që përmbushte kriteret. Bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike është mbledhur në datën 21 shtator për të marrë vendimin, që këtë radhë ka qenë tërësisht i lehtë. Pjesëmarrja në “Oskar”, përveç faktit që produksioni duhet të jetë shqiptar në tërësinë e elementeve, ka edhe si kriter shfaqjen e filmit në kinema nga tetori i vitit 2011 deri në shtator të këtij viti. Në këtë hark kohor, filmi “Pharmakon” i Joni Shanajt ka qenë i vetmi që i është prezantuar publikut. Në diskutim ka qenë edhe filmi i Andi Delianës “Out of touch” (“E pakapshme”), por sipas drejtorit të QKK-së, nuk i plotësonte kriteret për të konkurruar. Bordi ka pasur afat që të merrte vendim deri në fund të shtatorit, por në këto kushte, zgjedhja ishte e gatshme. I përfunduar për këtë vit është edhe filmi “Agon” i Robert Budinës, i cili ende nuk e ka shfaqur në kinema e që tashmë bëhet një film kandidat për vitin e ardhshëm. “Pharmakon”, një prodhim i “Zig Zag-Film”, që ka synuar të trajtojnë luftën për dominim mes brezave, por edhe fenomenin e korrupsionit, ka në rolet kryesore Olta Gixharin (infermierja Sara), Kastro Zison (në rolin e Brankos) dhe Niko Kanxheri në rolin e doktorit, i ati i Brankos. Ndonëse në përpjekje për të sjellë një trajtim të ri në këtë film, regjisori Joni Shanaj ka rënë në kurthin e një lineariteti dhe të mungesës së motivimit të ngjarjes. Vendimi për “Oskar” është bërë në heshtje, ndryshe nga një vit më parë, kur filmi “Falja e gjakut” u përjashtua me arsyetimin e të mos qenët shqiptar dhe u zëvendësua me filmin “Amnistia” të Bujar Alimanit, por që nuk hyri dot në zonën e çmimeve. “Pharmakon” do të konkurrojë në seksionin e filmit më të mirë të huaj.





4 Comments
  1. joni says

    film idjot, me nje parashikueshmeri te larte kotesie veshur si gjasme art. Kujt i shkoi mendja per emer serb? branko??

  2. x says

    Paske pretendime zotrote. Emri Joni nga greqishtja vjen!

  3. Teo says

    farmakoni nuk eshte film per idiotet. filmi me i mire i viteve te fundit qe kerkon inteligjence dhe tru nga shikuesi. film elitar.

  4. Elisa says

    nuk e kam pare filmin dhe nese do them dy fjale kane te bejne me vendimin e bordit te QKK.
    nuk eshte hera e pare qe bejne lojra kukamfshefti.
    Filmat qe ishin per tu prezantuar ne Berlinale dhe per Oskar as qe u moren ne konsiderate fare sepse ishte taksur tashme ai vend per djalin e Regjziorit te Madh Mevlan Shanaj.
    e njejta gje dhe ne festivalin kombetar te turpshem te i filmit shqipetar.
    Zedhenesja e QKK ka raportuar disa here vendimet e nje Kryetari te dobet duke thene se sjan paraqitur filma apo per arsye teknike nuk u arrit te shiheh X film.
    I degjojme cdo dite komentet e kineasteve mbi keto probleme te QKK dhe tarafit qe e perfaqson. Nuk do ndalem mbi cilesin e efilmave qe perfitojne se nuk jam kineast, por dhe nje here nese ka korrupsion ne shqiperi, ME SA DUKET DHE NE KETO GJERA SIGURISHT QE KA.

    Urime djalit per OSkar qe do fitoje dhe pershendetje klases se pleqve te korruptuar ne cdo institucion perfshi dhe rtsh e kompani.

Comments are closed.