VEZA E PADUKSHME

IRIDA CAMI

Udhëtimet e vizitat në Itali të përfaqësuesve të lartë të institucioneve të vendit tim përkthehen në ditë të ngarkuara dhe plot stres për një korrespondent të jashtëm si unë; detyrë që kryej prej disa vitesh, për BBC në shqip më parë e për “Top Channel” aktualisht. Akreditimet, lëvizjet e delegacioneve, konferencat e shtypit, të pasuara nga nxitimi për të nisur sa më parë materialet në Tiranë, e kthejnë ditën në një vorbull të vërtetë.

Po të mos kishte qenë protesta e aktivistëve të Aleancës Kuqezi, në mungesë të takimeve të rëndësishme dypalëshe apo të nënshkrimit të ndonjë protokolli të veçantë, vizita e fundit e Berishës në Romë më 21 shtator do të kishte kaluar pa u ndier. Një grup të rinjsh me flamuj dhe banderola u vendosën pranë kavaletave, objektivave, lap-topëve të ne gazetarëve, që sipas rutinës kishim zënë “pritë” në hyrje të Villa Pamphili. Hyrja kryesore ndodhet në një rrugë të ngushtë me qarkullim shumë të ngjeshur. Aq sa kur një kameraman apo fotograf ka nevojë të kapërcejë rrugën për të kapur një pamje më të zgjeruar, dy policë bashkiakë ndalojnë makinat. Atë ditë, prania e pesë kryeministrave në drekën e shtruar nga shefi i qeverisë italiane, Mario Monti, kishte tërhequr një grup gazetarësh italianë, spanjollë, gjermanë dhe shqiptarë.





Kur sirenat e fuqishme të motoçikletave të policisë paralajmëruan afrimin e delegacioneve, parullat dhe banderolat e djemve dhe vajzave të Aleancës Kuq e Zi, ishin gati. Ishin gati edhe ata, të veshur me bluzat e tyre të bardha me logon e partisë dhe me flamurin kombëtar të shpalosur, siç ua do riti.

Flamuri i vogël kuqezi që, sipas protokollit, valëvitej në shtizën e vogël në të djathtë të makinës qeveritare, ishte shenja e mbërritjes së Kryeministrit Sali Berisha. Nga automjeti, në kalim e sipër, ai përshëndeti grupin e vogël të aktivistëve dhe pas një kthese në të majtë, makina u fut në vilë.

Këto janë sekondat që na shtyjnë ne gazetarëve të presim jashtë, pasi kemi bërë një stand-up, janë çastet për të cilat bëhet udhëtimi, shkëmbehen dhjetëra e-mail e telefonata, pritet në diell apo në të ftohtë, janë pikërisht këto momentet që duhen xhiruar për të montuar një kronikë, aq më shumë kur mungon konferenca për shtyp si këtë herë. E pra në këto çaste që unë xhirova, nuk fluturoi as vezë e asnjë tjetër send drejt makinës së Kryeministrit. Këtë mund ta them me siguri dhe pamjet, të transmetuara po atë ditë në edicionin e lajmeve në “Top Channel”, flasin vetë.

Dikush mund të pyesë: ndoshta nuk e ke parë vezën? Them se kur nga një grup prej më pak se dhjetë vetash dikush hedh një vezë a diçka tjetër, nuk mund të mos dallohet. Në mos unë, do e kishin dalluar të parët, dhe natyrisht që do të kishin ndërhyrë, agjentët e sigurisë së Kryeministrisë, të cilët disa herë ftuan të rinjtë kuqezi të mos rrinin fare ngjitur me hyrjen e vilës, sepse ishte e rrezikshme për shkak të qarkullimit të makinave. Po nëse agjentët atë ditë paskan qenë tepër të fjetur e zemërgjerë, çasti do ishte kapur nga kolegët e televizioneve të tjera që ndodheshin aty dhe që u interesuan edhe më parë, madje xhiruan pamjet të këtij grupi të rinjsh që po priste Kryeministrin shqiptar.

Por nëse një objekt do kishte fluturuar në drejtim të një makine qeveritare asnjë kameraman, fotograf apo gazetar nuk do ta kishte “humbur” nga sytë. Një rast i tillë është “flori” për një kronikë. Një element që del jashtë protokollit, një e papritur, gjithçka e paparashikuar, e kthen një raportim që rrezikon të jetë i zymtë, në një kronikë të gjallë dhe që tërheq vëmendjen e shikuesve. Aq më shumë nëse e papritura do të kishte qenë vezë e hedhur në formë proteste, një vezë që pas do kishte lënë të paktën një shenjë të pështirë në asfalt, një lloj jargavitjeje poshtëruese.

Një ndjesi të ngjashme më la leximi i lajmeve që dolën atë ditë në shumë media shqiptare. Duke u mbështetur thjesht në ndonjë hamendje, fotografi apo lajmet që qarkulluan në rrjetet sociale, nuk u vu fare në dyshim nëse kishte ndodhur apo jo episodi. Pyetja e kishte kapërcyer pragun e dyshimit, tani duhej marrë vesh “a goditi apo jo veza Kryeministrin, u bë pis xhaketa apo xhami i makinës?”. Paçka se në vend kishte një grup gazetarësh, që mund të dëshmonin të kundërtën.

Paçka se një orë pas episodit të shumëfolur faqja në internet shqiptariiitalisë.com kishte botuar lajmin e saktë dhe fotot e protestës dinjitoze të aktivistëve kuqezi.

Ajo që më shtyu të shkruaj këto radhë është lehtësia me të cilën fjala “vezë” u lakua nxitimthi në faqet e gazetave shqiptare. Pa u thyer mirë. Ose më saktë pa u thyer fare.





1 Comment
  1. Lexues, Rome says

    Me mire vone se kurre Irida. “Shqiptari i Italise” nuk eshte gazeta “Shqip” ndaj mendoj se deshmia juaj eshte e vonuar.

    Nga ana tjeter, pervec deshmise suaj, mire do te kishte qene qe te hetohej mbi ata qe hodhen ne qarkullim kete lajm te rreme. Nqs kjo u be per t’i bere publicitet vizites se kryeministrit (qe perndryshe do te kishte kaluar ne heshtje), apo kishte thjesht qellime propagandistike. Vleresoj veprimin e aktivisteve te AKZ-se, por, si votues, jam skeptik mbi aftesite e kesaj force politike per te perkthyer ne veprim premtimet e saj populiste.

Comments are closed.