Herman Hesse, Sekreti i Budës

Kanë kaluar 90 vjet nga koha e publikimit të “Siddhartha”. Romani i vogël që Herman Hesse nisi të shkruante në dimrin e 1919-s, lindi edhe si një reagim ndaj luftës dhe shkatërrimeve të saj. Prej kohësh, në mendjen e tij kishte bërë strehë ideja se Europa ishte një qytetërim që po perëndonte. Pak vite më parë, shkrimtari kishte ndërmarrë një udhëtim në Indi, që i kishte dhënë shijen e një fillese të largimit nga Europa. “Unë i shmangesha dhe thuajse e urreja Europën me shijen e saj tepër të theksuar, me rrëmujën e saj si prej një panairi, me ambientin e saj mbytës, me shijen e saj të ftohtë”, shkruante Hesse në një ese. Nuk qe e lehtë për atë të shkruante “Siddhartha”. Një krizë e rëndë i kishte tharë venën krijuese. Bashkëshortja e tij e sëmurë mendore ishte mbyllur në psikiatri, varfëria i bëhej gjithnjë e më tinëzare dhe ndarja nga fëmijët, kontribuuan mjaftueshëm që shkrimtari të ndihej i pasigurt në vetvete. U deshën më se dy vjet që Hesse të arrinte të përfundonte “legjendën e tij indiane”. Kur më në fund, më 1922 romani i tij doli në treg, pritja që iu bë nuk ishte entuziaste. Ia tregoi Romain Rolland zhgënjimin që kishte ndier veçanërisht për miqtë e ngushtë që heshtnin dhe shtonte se nga kritikat në shtyp nuk kishte dëgjuar tjetër veçse “shprehje të një respekti të sikletshëm”. Mund të kuptohet ky reagim jo i favorshëm ndaj një libri të pazakontë që me sytë e një europiani tregonte Indinë. Por me kalimin e viteve, ky rrëfim, herë, herë edhe përrallor, do të mblidhte rreth vetes dhjetëra milionë lexues. Ku qëndronte sharmi i tij? Hesse shkroi një histori pa qëllim spekulimi. Kushdo që do të kishte lexuar historinë e jetës së Siddhartha, do të kuptonte dëshirën e këtij të riu për të gjetur rrugën e tij pa kompromise. Siddhartha, një shpirt i trazuar, dëshironte një fillesë drejt jetës dhe të vërtetës. Në parim donte të bëhej një “Samana”(mendimtarë që jetonin me pak gjë), duke menduar se praktikat mistike do arrinin ta depersonalizonin, duke krijuar brenda tij boshin e nevojshëm për t’u shndërruar në çfarëdolloj forme që bota i ofronte: një çakall, gurë, dru apo formën e urisë dhe të etjes. “Siddhartha mësoi shumë nga savana-të, mësoi si të përshkonte shumë rrugë për të dalë nga ‘Uni’”, shkruan Hesse. Por i riu, inteligjent dhe i ndjeshëm nuk do të mjaftohej me artin që i mësuan savana-të. Në atë kohë një tjetër figurë e intrigonte: Buda. Kur Siddhartha e takoi, e njohu menjëherë. “E pashë, një njeri i thjeshtë, me mantelin portokalli, që ecte e në dorë mbante tasin ku mblidhen donacionet”. Siddhartha, ndryshe nga miku i tij, Govinda, nuk do që papritur t’u bindet ideve të mjeshtrit të tij. Ndonëse e admironte për qetësinë dhe forcën, diçka e pengonte të përqafonte atë besim. Në mënyrë misterioze, ai e dinte se duhet të vazhdonte udhëtimin “jo për të kërkuar një doktrinë më të mirë, sepse nuk ka asnjë, por për t’i braktisur të gjitha doktrinat dhe mjeshtrit, për të arritur gjysmën time, ose më mirë të vdes”. E vërteta sipas Hesse nuk është fryt i një doktrine që mjeshtri ia transmeton mjeshtrit, nuk është një dije e kodifikuar, por një kërkim shpirtëror, një vështrim i lirë që drejtohet brenda vetes. Në rrugëtimin e tij ai takon Kamala-n, prostitutën pas së cilës dashurohet, e provon ato që më parë i përçmonte. “Duhet të zbriste në këtë botë, të humbte në kënaqësi e pushtet, të humbte mes grave e arit, duhej të bëhej tregtar derisa prifti apo samarin në të të vdiste”. Në këtë rrugëtim të tijin, Siddhartha kërkon të gjejë të vërtetën brenda vetes dhe këtë duket se lexuesit e gjetën në roman. Pasi fitoi çmimin “Nobel” më 1946 dhe pas mbështetjes që mori nga Thomas Mann(Tomas Man), Stefan Zweig(Stefan Cvajg), Hugo Ball(Hugo Boll),

Hesse u kthye në një burim të ndriçimit shpirtëror, dëshmitar i një dhuntie të jetuar me sinqeritet. Kështu ndodhi që ata djem të viteve ’70 e futën “Siddhartha” në çantën e tyre të udhëtimit, në kërkim të njohjes së Lindjes. Nëse do të shohim mirë, “Siddhartha” ishte libri i parë i një serie librash “pedagogjikë”, të cilët kishin për qëllim të kujdeseshin për shpirtrat tanë. Edhe pse India, nuk është më ajo e dikurshmja. “Nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht ‘botën’ dhe njerëzit e botës. Me kalimin e viteve e bëj gjithnjë e më pak. Por, aq sa  fisnik më dukej kristianizmi i praktikuar nga prindërit e mi, si një jetë e jetuar me sakrifica, si komunitet e mision, po aq më rezultonte i dyshimtë dhe herë, herë i patolerueshëm krahasuar me atë predikim kaq të thjeshtë, me vargje që ndonjëherë ngjanin të ëmbël, me pastorët e mërzitshëm, bota fetare dhe ajo e poezisë indiane, më dukeshin më tërheqëse”, shkruan Hesse. Laureati i çmimit “Nobel”, Hermann Hesse, vdiq para 50 vjetësh. Por vepra e tij jeton. Ai është një nga shkrimtarët më të njohur gjermanë në botë. Për prindërit e tij, Hermani duhej të bëhej klerik, si ata vetë. Babai i tij punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, nëna e tij ishte e bija e një misionari. Më 2 korrik 1877 ajo lindi Hermanin. Hermani u lind në Calë, pranë Shtutgartit dhe u rrit në një shtëpi shumë fetare. Prindërit e tij e dërguan në vitin 1891 në seminarin protestant Maulbronn. Pas disa muajsh ai u arratis që andej, sepse nuk mund ta duronte edukimin kristian. Ai e kishte marrë vendimin: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë”. Rruga drejt të shkruarit qe një odise e vërtetë. Hesse shkoi në shkolla të ndryshme, nuk mundi të përshtatej, në një fazë depresive u përpoq të vriste veten në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Më vonë punoi në një punishte, ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë, që prodhonte sahate kullash dhe në librari. Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat, që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Kur Hermann Hesse vdiq në vitin 1962 në shtëpinë e tij në Montagnola të Zvicrës, duket se popullariteti i letërsisë së tij, të nderuar me çmim, ishte zhdukur. Kritikët e përshkruajnë punën e tij si një mbledhje imitimesh pa nivel. Ishte lëvizja e hipive në SHBA, që i risolli popullaritetin letërsisë së tij.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.