Robert Budina, në Çikago me emigrantët e Greqisë

Filmi “Agon” 

Filmi “Agon” i regjisorit Robert Budina do të konkurrojë në programin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Çikagos në SHBA, në seksionin e regjisorëve të rinj. Festivali mbahet nga 11-25 tetor, ndërkohë që filmi shqiptar do ta ketë premierën botërore në datat 18, 19, 22 tetor. “Agon”, një realizim i “ERAFILM” me financimin e Qendrës Kombëtare Kinematografike (ende nuk e ka pasur premierën shqiptare) do të konkurrojë në këtë seksion së bashku me 14 filma të tjerë të zgjedhur nga vende të ndryshme të botës. Filmi është xhiruar në Shqipëri dhe në Selanik të Greqisë, me një përzierje aktorësh grekë e shqiptarë (dhe me një trupë të përzjerë teknike shqiptaro-greko-rumune. Marvin Tafaj, Guljem Kotori, Isabella Kogevina, Xhevdet Jashari, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili, Antonis Kafetzopulos, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo, Ergys Çekrezi, etj.) dhe me një trupë të përzierë teknike shqiptaro-greko-rumune. Robert Budina, regjisori dhe skenaristi i filmit, së bashku me një pjesë të stafit mbajtën dje një konferencë për shtyp për të dhënë detajet. Ngjarja zhvillohet në Selanik, ku Saimiri dhe vëllai i tij i vogël, Vini, i emigruar së fundmi nga Shqipëria, përpiqen të integrohen në vendin fqinjë secili në mënyrën e vet, me sakrificat, por edhe arritjet e gjithsecilit. Duke kërkuar t’i provojë Saimirit se mund t’ia dalë edhe i vetëm pa ndihmën e tij, Vini gjendet në mes të disa të fortëve shqiptarë. Ndërsa fiton lehtë lekun, zbulon tmerrin e trafikut dhe prostitucionit klandestin. Ai bie në dashuri me Majlindën, të preferuarën dhe gruan e Kenos, kapobanda i rajonit. Me kurajën dhe pafajësinë e një 20-vjeçari ai do të provojë ta nxjerrë atë nga kthetrat e Kenos, duke tërhequr kështu edhe të vëllain në spiralen e dhunës.

Kjo është historia e dy qenieve që përpiqen të gjejnë veten në një vend të huaj, brenda vëllazërisë, në një histori dashurie të verbër dhe pa rrugëdalje.



 





Comments are closed.