Spanja shet borxh me interesa më të ulëta

Kriza në eurozonë jep shenja dobësimi. Investitorëve u rikthehet besimi

Kostoja e huamarrjes për Spanjën u lehtësua ndjeshëm në ankandin e fundit ku ky vend mori hua 4.8 miliardë euro përmes shitjes së bondeve tre dhe dhjetëvjeçare, njofton BBC. Kërkesa ishte e lartë për bondet dhjetëvjeçare, investitorët mbuluan tri herë kërkesën e reklamuar. Interesi mesatar qe 5.66 për qind, shumë më poshtë sesa interesi prej 6.65 për qind i ankandit të mëparshëm, si dhe më poshtë sesa mesatarja prej 5.95 për qind e vitit të fundit. Kostoja e borxhit për qeverinë e Spanjës ka rënë ndjeshëm që kur Banka Qendrore Europiane shpalli planin e vet të blerjes së bondeve sovrane.

“Ankandet e sotme në tërësi krijojnë komfort”, tha Nick Stamenkoviç, një analist në Londër, “por rënia domethënëse e interesave varet me të vërtetë nga vendimi i qeverisë së Spanjës për të kërkuar ndihmë financiare”.

Interesat e bondeve trevjeçare qenë 3.85 për qind, pak më të larta sesa mesatarja e këtij viti. Javën e kaluar, Spanja shiti borxhe 12 dhe 18-mujore me interesa më pak se 1 për qind. Më 6 shtator, presidenti i BQE, Mario Draghi, shpalli planin për blerjen e bondeve të vendeve anëtare të eurozonës përmes prodhimit të euros së re, gjë që solli lehtësim të përgjithshëm të krizës së borxheve. Sipas këtij plani, blerja e bondeve do të jetë praktikisht e pakufizuar me kushtin që këto vende të kërkojnë formalisht ndihmë për shpëtim nga falimenti dhe të pranojnë kushtet për disiplinë financiare. Banka Qendrore e Gjermanisë vijon të kundërshtojë këtë ide.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.