Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Borxhe për disa, biznes për të tjerët

Të rinjtë amerikanë janë të zhytur në kreditë që kanë marrë për të mbaruar studimet. Shumica kanë pak shanse t?i shlyejnë. Të tjerët do të paguajnë për shumë dekada borxhet e veta pa mundësi shpëtimi

Dwight Vigna, drejtor i divizionit të falimenteve thotë se qeveria nuk heq dorë lehtë. Nëse një borxhmbledhës nuk arrin të gjejë një borxhli brenda gjashtë muajve, departamenti ia jep rastin një agjencie tjetër

Për të shmangur borxhmbledhësit, Amanda Cordeiro ndryshon vazhdimisht numrat e telefonit. Ajo ka 55 mijë dollarë kredi studenti të pashlyer.

Në një protestë vitin e kaluar në Universitetin e Nju Jorkut, studentët tërhoqën vëmendjen ndaj borxheve të tyre gjithnjë e më të mëdha duke veshur bluza ku shënohej shifra e borxhit personal - $90,000, $75,000, $20,000.

Aty pranë një këshilltar biznesi për industrinë e mbledhjes së borxheve, pati një mendim tjetër. "Nuk mund ta besoj se sa shumë para përfaqësonin ato borxhe për industrinë tonë", komentoi konsulenti Jerry Ashton, për një revistë të kësaj industrie.

Megjithëse Ashton thotë se komenti i tij qe ironi, ai në fakt tregoi një të vërtetë të pamohueshme: shumë kredimarrës po vuajnë për të paguar kreditë e tyre studentore ndërsa industria e mbledhjes së borxheve po rrit të ardhurat.

Ndërsa numri i njerëzve që kanë marrë kredi studentore të mbështetura nga qeveria ka shpërthyer, e njëjta gjë ka ndodhur me numrin e njerëzve që janë 12 muaj vonë me shlyerjen e kësteve të kredive. Këta janë rreth 5.9 milionë njerëz në të gjithë Amerikën.

Në tërësi, pothuajse një në gjashtë borxhmarrës është i falimentuar. Sasia e përgjithshme e kredive të falimentuara të studentëve është 76 miliardë dollarë, më e madhe sesa e gjithë fatura për të gjithë studentët e universiteteve shtetërore.

Për të marrë paratë e humbura, Departamenti i Arsimit vitin e kaluar pagoi më shumë se 1.4 miliardë dollarë te agjencitë e mbledhjes së borxheve të këqija. Por të fshihesh nga qeveria, nuk është e lehtë.

"Unë vazhdimisht ndryshoj numrat e telefonit", thotë Amanda Cordeiro, 29 vjeç, e cila hoqi dorë nga kolegji më 2010 dhe ka marrë një pafundësi telefonatash nga borxhmbledhësit për kredinë e saj prej 55 mijë eurosh. "Brenda një viti kam ndërruar numrin e telefonit katër herë", thotë ajo.

Ndryshe nga kreditorët privatë, qeveria federale ka mekanizma të jashtëzakonshëm për mbledhjen e detyrimeve dhe këto fuqi ia ka transferuar edhe agjencive të mbledhjes së borxheve. Cordeiro ka parë sakaq dy çeqe rimbursimi taksash të konfiskuara ndërsa debitorë të tjerë kanë humbur pagesat nga Sigurimet Shoqërore. Në tërësi, qeveria arrin të rikuperojë 80 cent në çdo dollar borxh të keq, një normë kjo trullosëse, pasi shumica e kreditorëve nuk është në gjendje të rikuperojë më shumë se 20 cent në çdo dollar kredi të dhënë përmes kreditkartave të falimentuara.

Dhe ndërsa norma e rikuperimit është mbresëlënëse, kritikët thonë se kjo gjë e ka lënë qeverinë me shumë pak nxitje për të synuar shmangien e falimenteve. Megjithëse ka programe që synojnë të ndihmojnë kredimarrësit në vështirësi, kompanitë e punësuara për të administruar kreditë studentore federale nuk paguhen mjaftueshëm për biseda të gjata që duhet ta shpien kredimarrësin në rikthim te pagesat e kësteve. Për pasojë, një program i qeverisë për këtë qëllim nuk ka pasur sukses. Nën këtë program, kredimarrësit paguajnë 15 për qind të të ardhurave të tyre neto për deri në 25 vjet, pas të cilës pjesa e mbetur e kredisë falet. Por pjesëmarrja ka qenë e dobët për shkak se kredimarrësit ose nuk janë në dijeni të programit ose nuk kanë arritur të përfitojnë për shkak se është kompleks.

"Nëse njerëzit informohen, sa shumë falimente mund të shmangen?" pyet Paul C. Combe, president i Asistencës për Studentët Amerikanë, një agjenci garantimi krediti me bazë në Boston. "Ne po i dëmtojmë këto njerëz".

Për kredimarrësit, vendimi për të falimentuar mund të jetë shkatërrimtar, pasi rrënon besueshmërinë e tyre dhe rrit detyrimin total deri në 25 për qind për shkak të penaliteteve.

Cordeiro, një nënë e vetme, u largua nga një kolegj privat fitimprurës edhe pse i mungonin vetëm 16 kredite nga diploma e saj. Ajo thotë se nuk pati mundësi të gjente më shumë kredi për ta mbyllur. "Unë tani marr letra për falimentin dhe i hedh menjëherë në kosh", thotë ajo.

Jake Brock, i cili u diplomua në vitin 2008 në një shkollë arti private, falimentoi në maj në një kredi federale prej 8 mijë dollarësh. Me penalitetet dhe interesin e akumuluar, kredia tashmë është rritur në 13 mijë. "Unë thjesht mbeta prapa dhe nuk arrita të dal", thotë ai. Në total ai u detyrohet kredidhënësve të ndryshëm mbi 100 mijë dollarë të marra për arsimim.

Nuk ka kufizime statutore për kreditë studentore të garantuara nga qeveria federale, ndryshe nga kreditë e kartave apo ato të shtëpive dhe Kongresi e ka bërë të vështirë për kredimarrësit që të heqin qafe borxhin duke shpallur falimentin. "Ti duhet ta paguash, ose do të vdesësh bashkë me të", thotë John Ulzheimer, president i një shoqate për mbrojtjen e konsumatorëve.

 

Pus nafte i ri?

Ndërkohë, biznesi po lulëzon në një agjenci mbledhjesh borxhesh në Roccester. Kompania "ConServe" mori zyra të reja shtesë në ndërtesën ngjitur. Të punësuarit janë aktualisht 420 vetë dhe parashikohet të dyfishohen në tri vitet e ardhshme. "Ka një mundësi të madhe", thotë Mark E. Davitt, president dhe themelues i kompanisë.

Ndërsa disa kompani kanë lulëzuar duke mbledhur kartat e kreditit mashtruese ose faturat e paarkëtuara të spitaleve, ConServe po lulëzon për shkak të kredive të studentëve. Bilanci i përgjithshëm i kredive studentore është 1 triliard dhe tashmë ka zëvendësuar biznesin e mëparshëm të borxhmbledhësve, atë të kartave të kreditit. Mark Russell, një ekspert bashkimesh dhe blerjesh, duke shkruar në të njëjtën revistë si Ashton, këshilltari te protesta e Nju Jorkut, mendon se kreditë studentore mund të bëhen "një pus i ri nafte" për Menaxhimin e Faturave të Paarkëtuara, siç njihet me delikatesë industria e borxhmbledhësve.

Në vitin 2010 Kongresi ndryshoi programin e kredive studentore duke ia ngarkuar qeverisë detyrën për të dhënë drejtpërsëdrejti këto kredi. Para kësaj, kreditë jepeshin nga privatët nën garancinë e qeverisë.

Gjatë vitit të kaluar, ata që falimentuan patën borxh mesatar prej 17 mijë dollarësh. Ata që ndiqnin kolegjet fitimprurëse private përbënin më shumë se gjysmën e të gjithë të falimentuarve, pavarësisht se kolegjet private ndiqen nga vetëm 11 për qind e amerikanëve. Ata që i kishin ndërprerë studimet qenë më të shumtë mes të falimentuarve. Kredia konsiderohet e falimentuar nga Departamenti i Arsimit kur ka vonesa prej më shumë se 360 ditë.

Kredimarrësit deklarohen të falimentuar më së shumti kur nuk arrihen të gjenden. Ky është çasti kur puna u kalon borxhmbledhësve. Ndërsa disa nga industria janë të shqetësuar mbi rrezikun e revoltave publike nga taktikat agresive të mbledhjes, për momentin të gjithë janë në sulm.

Te ConServe, në një dhomë me kuba ka lista studentësh të varur nëpër mure. Punonjësit gjurmojnë databazat dhe arkivat publike në kërkim të kontakteve të kredimarrësve. Nëse kompania arrin të njoftojë një kredimarrës, i cili refuzon të bashkëpunojë, kompania e konsideron të ezauruar paralajmërimin dhe fillon punën për të bllokuar pagesat e mundshme publike, bllokimi i të cilave kërkon miratim nga Departamenti i Arsimit.

Dwight Vigna, drejtor i divizionit të falimenteve thotë se qeveria nuk heq dorë lehtë. Nëse një borxhmbledhës nuk arrin të gjejë një borxhli brenda gjashtë muajve, departamenti ia jep rastin një agjencie tjetër.

Gjatë vitit të kaluar, departamenti klasifikoi si të humbura më pak se 1 për qind të të gjitha kredive të dhëna, për raste të tilla si vdekja e kredimarrësit ose aksidentimi me paaftësi të përhershme. "Ne nuk hedhim kurrë asgjë poshtë", thotë Vigna.

Shtrirë në pritje

Arthur Chaskin, një zdrukthëtar në paaftësi për punë mund të dëshmojë për memorien e fortë të qeverisë. Qëkur la kolegjin në fund të viteve ?70, Chaskin e ka injoruar kredinë e tij studentore deri këtë qershor, kur një gjykatës federal e urdhëroi të paguajë 8200 dollarë. Chaskin pati marrë borxh të garantuar nga qeveria federale prej 3,500 dollarësh për të hyrë në kolegj në Miçigan, por nuk u diplomua. Qeveria e hodhi në gjyq më 1997, por gjatë 15 viteve që vijuan, ai bëri vetëm pesë pagesa.

Janarin e kaluar, një avokat nga Miçigani që po punonte i kontraktuar nga qeveria, mësoi për një çek krediti lëshuar për të. Avokati plotësoi një urdhër bllokimi për një llogari me vlerë 20 mijë dollarë që Chaskin thotë se e kishte hapur me të ardhurat nga pagesa e paaftësisë.

Në çastin që qeveria e kapi, borxhi i tij qe shtuar në 19 mijë dollarë për shkak të interesave dhe penaliteteve, por gjykatësi e reduktoi faturën në 8,200 pasi Chaskin u lut për falje.

"Nëse pret mjaftueshëm, mund t?i kapësh njerëzit kur ata kanë harruar", thotë avokati Charles J. Holzman, i cili u shpërblye me një pagesë të barasvlefshme me 25 për qind të detyrimit të Chaskin.

Zyrtarët e qeverisë vlerësojnë se kanë rikuperuar 76 deri në për qind të të gjithë borxhit të keq këtë vit. Kjo nuk përfshin koston e mbledhjes, e cila i faturohet kredimarrësit dhe u paguhet agjencive të mbledhjes së borxheve. Por disa ekspertë mendojnë se kjo normë suksesi lidhet me standardet e dobëta të kontabilitetit dhe raportimit që qeveria i imponon vetes dhe që janë të ndryshme nga ato që zbatohen nga institucionet private. Në tërësi, qeveria rikuperoi 12 miliardë dollarë borxhe të këqija vitin e kaluar. Nga këto, 1.65 miliardë erdhën nga bllokimi i pagesave shtetërore për qytetarët, ndërsa 1 miliardë nga konfiskimi i pagave. Rreth 8 miliardë u riskeduan në mirëkuptim me kredimarrësit. Disa kredimarrës thonë se nuk kanë mundësi shpëtimi nga falimenti, pasi janë të sëmurë, të papunë ose të mbingarkuar me borxhe. Disa kanë falimentuar edhe përballë kredive studentore private.

Patrick Writer nga Kalifornia mori një certifikatë si programues kompjuterësh në vitin 2008. Por ai u diplomua në mes të krizës dhe nuk ka arritur të gjejë punë si programues. Nuk arriti të paguajë kredinë e tij 12 mijë dollarëshe në vitin 2009.

"Nëse nuk je në gjendje të paguash faturat e ujit e të dritave apo faturën e qirasë, atëherë këstet e kredisë studentore janë thjesht për t?u hedhur në kosh dhe harruar", thotë Writer, 57 vjeç. Por ndërkohë ai ka kuptuar se çfarë do të thotë të marrësh një kredi studentore të garantuar nga qeveria federale. "Kjo është gjëja më e afërt me burgun e borxhlinjve që mund të gjendet në tokë", thotë ai.

 

Tendencë drejt falimentit

Jill Shockley, 36, nga Ilinois, u detyrohet më shumë se 50 mijë dollarë borxhdhënësve publikë e privatë, dhe disa prej kredive nuk i ka paguar në rregull. Ajo shkoi në një shkollë për infermieri të cilën nuk e përfundoi. Tregon se kompania që i shërben borxhet e saj i ka propozuar të paguajë 600 dollarë në muaj për të mbajtur tri kreditë federale jashtë falimentit. Por nuk disponon para të mjaftueshme.

"Unë mezi arrij të fitoj 30 mijë dollarë në vit", thotë ajo. "Kam qiranë dhe sigurimin e makinës për të paguar. Por ato thonë se ndoshta duhet të marr para hua nga të afërmit e mi".

Në teori, janë disa arsye të mira që mund t?i çojnë kredimarrësit në vështirësi të shpallin falimentin dhe disa të tjera, që i shtyjnë të vijojnë të paguajnë. Disa programe ekzistojnë për lehtësimin e borxhlinjve që janë prekur nga probleme të përkohshme si kriza ekonomike, papunësia apo shërbimi ushtarak. Por krijimi i incentivave të duhura dhe bindja e kredimarrësve e kredidhënësve që t?i pranojnë këto programe, deri tani nuk është trajtuar siç duhet nga Kongresi dhe nga Departamenti i Arsimit.

Kritikët thonë se shpesh ka pasur incentiva kundër kredimarrësve dhe se ekziston një konflikt interesi. Agjencitë e garantimit paguhen me 1 për qind të vlerës së kredisë në rast se kredimarrësi është i rregullt, por në rast se ai falimenton, praktikisht të njëjtat agjenci do të marrin komisione shumë më të larta për rikuperimin e borxhit. Pra për kompanitë, një kredimarrës i falimentuar është më me leverdi sesa një i rregullt.

Në vitin 2009, një paketë e re iu ofrua kredimarrësve të mbingarkuar mbi borxhe, duke i kërkuar pagesa në përputhje me të ardhurat e veta dhe në afate të gjata. Por shumicës së kredimarrësve nuk iu tha kurrë se një mundësi e tillë ekzistonte. Deri më sot, rreth 1.6 milionë kredimarrës kanë aplikuar për këtë skemë; 920 mijë e kanë përfituar dhe 412 mijë janë në pritje të shqyrtimit të aplikimit.

Në një memo të shkruar qershorin e kaluar, Presidenti Obama shkroi se "shumë pak kredimarrës janë të informuar mbi opsionet në dispozicion të tyre".

Zyrtarët e arsimit thonë se numri i lartë i të falimentuarve është rrjedhojë e vështirësive ekonomike, si dhe rezultateve të dobëta të arritura nëpër universitetet private fitimprurëse. Ata thonë se do të marrin masa të reklamojnë më mirë mundësinë për programin e kësteve në përputhje me të ardhurat, si dhe do të krijojnë mundësinë që kredimarrësit në vështirësi të aplikojnë në internet për të shmangur tarifat e agjencive të shërbimit të borxhit. Ndërkohë, administrata e Obamës po përpiqet të imponojë rregullore të reja kufizuese ndaj kolegjeve fitimprurëse private.

Sido që të jetë, kredimarrësit thonë se borxhet e tyre mbeten të stërmëdha në të gjitha rastet dhe të ardhurat shumë të pakta.

Lindsay Franke është një nga kredimarrësit që përfitoi nga programi i ripagesave me këste të vogla në përputhje me të ardhurat. Megjithëse kësti mujor i saj është më i ulët, 28-vjeçarja me një diplomë master në administrimin biznesi thotë se programi nuk e ka ndryshuar realitetin shtypës. Atë që ajo ka shumë borxhe dhe fiton shumë pak. Sakaq ka humbur shtëpinë e megjithatë, ka edhe 115 mijë dollarë borxhe megjithëse ka një punë si koordinatore marketingu në një kompani avokatie. Kësti i saj në programin afatgjatë për kreditë federale është 325 dollarë ndërsa këstet te kredimarrësit privatë janë 250 dollarë.

"Unë nuk do ta ngre kurrë kokën mbi ujë", thotë ajo.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore