Revolucioni muskulor i grave

Gjatë krizës së madhe, shumë më tepër burra humbën vendin e punës se sa gra. Gratë janë më të arsimuara dhe fitojnë më shumë. Duket se bota po përmbyset

Kriza nuk është kohë e mirë për të qenë mashkull

Disa e quajnë “apokalipsi gjinor”, të tjerë thonë se ky është “fundi i burrave”. Kjo është situata e krijuar gjatë viteve të fundit në botën perëndimore, vite këto të karakterizuara nga kriza e thellë ekonomike, por që në fakt, rrënjët i ka prapa në kohë.

Gratë sot po kontribuojnë më shumë se kurrë te të ardhurat familjare. Ato dominojnë arsimin e lartë në të gjithë planetin. Në Korenë e Jugut, në mënyrë absolute, më shumë gra konkurrojnë me sukses për të marrë vende pune në diplomaci, aq sa Ministria e Jashtme e këtij vendi u detyrua të vendosë një kuotë minimale për meshkujt.

Në Brazil, pothuajse një e treta e grave fitojnë më shumë para se bashkëshortët, një fenomen që i ka shtyrë burrat të krijojnë grupe kishtare mbështetëse, që e quajnë veten “burra në lot”.

Një libër i ri i botuar në Amerikë përmbledh të dhënat mbi këtë apokalips që po ndodh në botën e kohës sonë. Megjithëse autorja Hanna Rosin thotë se meshkujt nuk janë drejt zhdukjes, ajo vëren se gratë janë shumë më të suksesshme. Në vende të ndryshme në Amerikës, si Auburn-Opelika në Alabama, gratë fitojnë mesatarisht 40 për qind më shumë se sa burrat dhe këta të fundit, në masë të gjerë, janë të papunë.

Kriza financiare ka qenë veçanërisht e pamëshirshme me meshkujt: tri të katërtat e 7.5 milionë vendeve të punës që Amerika humbi gjatë recesionit i përkisnin burrave dhe qenë në industritë tradicionalisht mashkullore, të tilla si ndërtimi, manifaktura apo financat. Largimi i manifakturës nga Amerika dhe evolucioni i teknologjisë në vendin e punës i ka lënë shumë burra jo vetëm të papunë, por edhe të papërshtatshëm për vendet e disponueshme të punës.

Në SHBA, sakaq kanë filluar të qarkullojnë anekdota. “Gruaja ime nuk ka nevojë të ngjitet lart për të ma kaluar, sepse jam unë që po zhytem poshtë”, thotë një mashkull. Një tjetër, i cili është mërzitur për shkak se e dashura e tij fiton më shumë, thotë se “të gjitha gjërat që janë aktualisht në lulëzim në botë, janë njëkohësisht gjëra ku vajzat janë më të afta se sa unë”.

Ekonomia e re e bazuar te shërbimet shpërblen para së gjithash aftësitë komunikative dhe përshtatjen, cilësi këto ku gratë kanë avantazh të shumëfishtë. Deri më sot, vetëm 3 për qind e burrave kanë marrë përsipër të rrisin fëmijët, ndërsa gratë e tyre fitojnë të ardhurat për të mbajtur familjen. Ndërkohë, shumë meshkuj, veçanërisht ata të rinjtë, janë tërhequr te bota e videolojërave, një fenomen që njihet si adoleshenca e gjatë.

Por gjithçka që i ndodh meshkujve, ka pasoja të mëdha për gratë dhe anasjelltas. Shumë gra të varfra dhe të paarsimuara, nuk po martohen, duke argumentuar se burrat janë thjesht një gojë më shumë për t’u ushqyer. Gratë më të pasura dhe më të arsimuara, në anën tjetër, janë duke përjetuar marrëdhënie më të plota e të përmbushura në të cilat ndajnë përgjegjësitë me partnerët e tyre. Një nga pasojat e ngritjes së grave është që burrat tashmë kanë të ardhura më të bollshme në dispozicion për veten, kanë shëndet më të mirë dhe martesa më të lumtura.

Por megjithëse gjërat po ecin më mirë për gratë, bota është ende larg kalimit në shoqërinë patriarkale dhe të dhënat tregojnë se postet drejtuese vijojnë të kontrollohen nga meshkujt. Vetëm 3 për qind e bosëve të 500 kompanive më të mëdha të Amerikës janë gra. Vetëm 20 nga 180 krerët e shteteve të botës janë gjithashtu gra.

Por kundërargumenti është se burrat kanë qenë në krye për rreth 40 mijë vjet dhe gratë kanë vetëm rreth 40 vjet që po kthehen. Kështu që do të duhet ende kohë para se ato të ngrihen në krye. Ndërkohë, tendenca që gratë fitojnë më shumë se burrat, duket se nuk është një fenomen i kufizuar vetëm në botën e zhvilluar. Në Kinë, rezulton gjithashtu se gratë kanë nën pronësi gati gjysmën e bizneseve private dhe se në shumë vende, tendenca është që prindërit kanë dëshirë të kenë vajza. Por fakti mbetet që në shumë vende të tjera, përfshirë edhe Kinën, foshnjat abortohen para lindjes kur janë vajza.

Megjithatë, pavarësisht problemeve, ndryshimi është i dukshëm. Disa thonë se në fund të fundit, gratë vijojnë të jenë të prirura nga lindja e fëmijëve dhe se nuk mund t’i kenë njëkohësisht edhe karrierën e suksesshme edhe familjen, pa hequr dorë së paku pjesërisht nga njëra. Një vend pune komandues dhe rritja e fëmijëve janë të mundshme për gratë, vetëm në rast se këto të fundit janë të pasura mjaftueshëm, kanë një punë me orare fleksibël apo janë të vetëpunësuara. Por edhe në këtë drejtim, gjërat po ndryshojnë. Gjenerata e sotme e amerikanëve p.sh., ka tendencën të gjejë një balancë më të mirë mes punës dhe jetës në krahasim me gjeneratat e mëparshme, ku orët fleksibël të punës janë të mundshme si pasojë e ekzistencës së internetit dhe punës në distancë.

Ky nuk ka qenë recesioni i parë që solli një krizë për maskulinitetin në SHBA. Pas recesionit të fillimit të viteve ‘90, u argumentua se burrat qenë të nënpunësuar dhe të dështuar. Por tani situata është edhe më dramatike se atëherë. Nëse atëherë punët mashkullore si manifaktura apo ndërtimi paguheshin keq, tashmë këto lloj punësh janë drejt zhdukjes. Ndërkohë, gratë po ecin përpara në industritë tradicionalisht mashkullore si financat, ndërsa burrat po pranojnë punësimet tradicionalisht femërore si shërbimet publike në arsim.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.