Përralla e Olga Kurylenko, nga uria në majat e suksesit

E rritur pa të atin, mes grave energjike, nënës dhe gjyshes, në një shtëpi ku mungonte edhe buka. Nuk është subjekti i ndonjë filmi të ri që pritet të dalë, por biografia e Olga Kurylenko, aktorja që po ngjit me shumë sukses shkallët e karrierës në Hollywood

E rritur pa të atin, mes grave energjike, nënës dhe gjyshes, në një shtëpi ku mungonte edhe buka. Nuk është subjekti i ndonjë filmi të ri që pritet të dalë, por biografia e Olga

Kurylenko, aktorja që po ngjit me shumë sukses shkallët e karrierës në Hollywood. E lindur në Berdyansk, një qytet-port në Ukrainë dhe e zbuluar në moshën 13-vjeçare nga një talent scout në një metro të Moskës, në moshën 16-vjeçare niset për në Paris, mësoi frëngjishten për gjashtë muaj dhe si modele që ishte, debutoi në filmin e saj të parë. Tani flet katër gjuhë të huaja, kalon nga një shesh xhirimi te tjetri, jeton mes Parisit, Londrës dhe SHBA-së. U martua në moshën 20-vjeçare me fotografin francez Cédric Van Mol dhe pastaj me sipërmarrësin amerikan, Damian Gabrielle. Tani është e lidhur me kolegun Danny Huston (me të cilin ka aktruar në serialin televiziv “Magic City”). Ish-Bond Girl – dikur spiunia ruse-boliviane në “Quantum of Solace” – në Venecia u paraqit me “To the Wonder”, filmi i Terrence Malick, përkrah Ben Affleck dhe Javier Bardem, ndërsa në SHBA sapo ka përfunduar së xhiruari me Tom Cruise, “Oblivion”. Thuhet se mes të dyve ka një mirëkuptim të jashtëzakonshëm.

 

Sipas legjendës, roli i “Bond Girl” sjell profesionalisht fat të keq. Por ju bëni një përjashtim. James Bond iu ka sjellë fat?

Akoma u besoni këtyre gjërave? Pasi xhirova

“Quantum of Solace”, mora me dhjetëra propozime pune dhe nga shumë vende. Shumë fat të mirë, do të thoja unë.

Ju ishit një modele e afirmuar në Paris, shfaqeshit shpesh në kopertinat e gazetave dhe revistave më të famshme. Kur vendosët se donit të bëheshit aktore?

Gjithmonë kam dashur të bëhem aktore, që kur isha fëmijë. Të bëhesha modele ishte një hap i rëndësishëm, sepse më krijoi mundësinë që të largohesha nga vendi im. Nuk do isha bërë askush nëse do kisha mbetur në Berdyansk.
Njerëzit në kinema janë pak a shumë skeptikë për sa i përket modeleve që më pas bëhen aktore. Po me ju, si janë sjellë?

Në fillim, kur thoja se doja të aktroja, m’u desh të përballesha me mijëra paragjykime. Jeni një modele, më thonin të gjithë, dhe më ofronin ndonjë pjesë të vogël të vajzës së lezetshme. Ato role nuk më interesonin aspak. Dhe kur më propozuan filmin e parë si protagoniste në Paris, regjisori nuk donte as të më shihte. Isha modele dhe për më tepër, e huaj: një kombinim “vdekjeprurës”.

Pengesat nuk ju frikësojnë…

Jam mësuar. E huaj mbetem kudo. Nuk kam më as nënshtetësinë ukrainase, se e humba kur mora atë franceze. Flas gjuhë të huaja, dhe aktroj me thekse të ndryshme, në vende të ndryshme. Është argëtuese, por gjithmonë më duhet të tregoj se jam një aktore serioze.

Nga buron e gjithë kjo energji pozitive?

Sigurisht nga mamaja ime. Jam rritur me të dhe gjyshen, e rrethuar nga shumë dashuri.

E keni njohur babain?

E kam takuar kur isha e rritur, por të them të drejtën nuk e kam ndier kurrë mungesën e tij.
Ju flisni gjithmonë për etikë profesionale, për rëndësinë e të punuar fort. Kush jua a ka transmetuar këto vlera?

Edhe një herë, më duhet të falënderoj nënën time. Më ka përsëritur vazhdimisht se vetëm duke punuar shumë, duhej të arrija atë që duhej. Më thoshte se nuk duhet të mbështetesha te ndihma e të tjerëve. Kur të kesh nevojë, nuk do të gjendet askush pranë. Jetonim në një apartament me katër dhoma që e ndanim me një familje tjetër, që kishte gjashtë persona. Edhe sot i besoj forcave të mia, vetëm kështu do të jem në gjendje të mbijetoj.

Nuk ndiheni e vetmuar nga lloji i jetës që bëni?
Do të thoja, jo. Ku i dihet, ndoshta jam një njeri pa zemër. Nuk më ka munguar kurrë vendi im. Vetëm këto kohë kam nisur të mendoj të sistemohem në ndonjë cep dhe të heq dorë nga martesat e kota. Por, për momentin, është vetëm një ëndërr. Nuk e di, të shohim.

Ju jeni martuar dy herë…
Oh po, fatkeqësisht është e vërtetë.

Po tani është një mashkull i ri në jetën tuaj?

Edhe ndoshta.

Pse e keni kaq të vështirë ta pranoni?
Burrat shkojnë e vijnë. Pritshmëritë e mëdha sjellin dhe dështime të mëdha.

Pra edhe ju, në fund të fundit, jeni pak sentimentale…

Nuk dua t’ju zhgënjej, por nuk jam aspak një person romantik. Pastaj është një mijë herë më mirë të jesh vetëm, se sa me dikë që nuk e do dhe raporti nuk ecën. Pastaj unë vetëm rri shumë mirë, kam ndenjur për gjithë këto vite.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.