Greqia, dhimbja përtej bukurisë

Mark Lowen, BBC

Ata që kaluan pushimet në Greqi këtë verë thanë se plazhet ishin po aq të këndshëm sa kanë qenë gjithmonë e po kështu edhe vendet arkeologjike qenë po aq magjepsëse. Por efektet e pesë viteve recesion tashmë po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Ndjehem disi i lodhur, pasi kalon kohën duke larë çarçafët, planifikon udhëtimet dhe blen ushqime, por në fund të fundit, kur jeton jashtë vendit, këto gjëra janë pjesë e përvojës. Çdo verë, apartamenti im i vogël në çfarëdolloj vendi ku unë dërgohen për raportime, kthehet në një hotel pa pagesë për miqtë, familjen dhe çdokënd që mund të kem njohur rastësisht në ndonjë festë vite të shkuara.

Mund të ndjehem herë pas here i bezdisur, por në tërësi, e shijoj të bërit të guidës në një qytet të ri për miqtë apo të dërguarit të tyre te vendet e mia të parapëlqyera. Dhe kur shikon reagimet e tyre, natyrisht që ka diçka interesante. Por në Athinë, këto kohë, ka gjëra edhe më interesante.

Për muaj me radhë, ata kanë parë filmimet e protestave të egra në kryeqytet dhe kanë dëgjuar lajme mbi pasojat e masave të kursimit. Kur vijnë këtu, besojnë se do të shohin një vend gati në situatë lufte. Dhe kur një nga këta vizitorë i tha miqve të vet paraprakisht se kishte ndër mend të shkonte në Athinë për disa ditë, dikush e pyeti seriozisht nëse qe i sigurt se do të gjente ende ushqim në dyqan.

“Ku është kriza?”, – pyeti një mik nga koha e universitetit ndërsa e shëtisja nëpër qytet. “Nuk po arrij të shoh asgjë”.

Në shumë mënyra, të shohësh krizën nuk është e mundur. Është e lehtë të kalosh disa ditë në restorantet e vogla dhe të populluara të kryeqytetit, apo të bredhësh nëpër rrugicat me dyqane, të pish kafe të ftohtë poshtë Akropolit e të harrosh se gjendesh në një vend krize.

Athina duket se po funksionon shumë normalisht, njësoj si pjesa tjetër e vendit. Greqia vizitohet më së miri në këtë periudhë të vitit. Bregdeti mahnitës shkëlqen nën diellin e verës së vonë, shtëpitë e bardha prej guri në ishuj janë të mbuluara me bukenvile që kontraston me blunë e thellë të Egjeut. Këto e bëjnë Greqinë të duket si vendi më i bekuar në Europë, jo si vendi më thellë i zhytur në borxhe.

Perceptimet mbi Greqinë janë të thjeshta. Kam takuar turistë këtë verë që thanë se patën menduar shumë herë të anulonin pushimet e tyre, për shkak të frikës për kryengritje, por ndërsa pinë uzo në ndonjë plazh të mrekullueshëm, e ndjejnë se kanë bërë shumë mirë që nuk i anuluan.

Në periferi të Athinës, një grup zonjash të moshuara po kryejnë ritualin e përditshëm, duke pirë kafe të fortë së bashku. Rituali dhe kafeja ka mbetur e njëjtë, por tema e bisedës, jo. Me pensione të ulura dhe që pritet të ulen edhe më tej, biseda është e mbushur me krizë.

“Unë nuk jam më në gjendje të blej një çokollatë për nipin tim”, – thotë 82-vjeçarja Maria, ndërsa sytë fisnikë i mbushen me lot. “Nëse ma presin pensionin më tej, do të më mbeten vetëm 100 euro për të jetuar. A nuk jam edhe unë njeri?”.

Nuk jam në gjendje t’i ndihmoj, por di se këto gjyshe kanë jetuar gjatë në luftë e diktatura dhe meritojnë një pleqëri komode. Por këto, si shumë të tjera, po përjetojnë shkurtimet vrastare të shpenzimeve. Ermioni, 84 vjeç, dhe me pak dhëmbë të mbetur ishte i shumë i gatshëm të flasë.

“Djali im më kërkoi dy euro, borxh sepse qe i dëshpëruar”, – thotë ajo ndërsa qan. “Qe si një thikë në zemër. Unë nuk jam në gjendje të jetoj më gjatë. Dua thjesht të mbyll sytë e të mos jetoj më gjatë”.

Pasi u largova nga qendra ditore për të moshuarit, shkova të takoj një të moshuar tjetër, Kostas Kokotsis, i cili varet nga një kuti ushqimesh falas për të jetuar. Shtëpia e tij në lagjen perëndimore “Perama” ishte sikur kishte dalë nga Drakula, me rrjeta merimange në çdo cep dhe me minj nëpër mure, vjetërsira të grumbulluara pirg gjithkund dhe çarçafë të pistë të pandërruar.

Mbi tryezë gjendet fatura e energjisë elektrike që ai nuk e paguan dot më, pasi pensioni i ka rënë në 340 euro. Ai mezi arrin të paguajë qiranë.

Në fakt, historitë tragjike janë gjithkund. Një qendër kujdesi shoqëror në jug të Athinës po pranon gjithnjë e më shumë fëmijë, pasi prindërit nuk janë në gjendje t’i mbajnë. Një nënë hoqi dorë nga vajza e vet 10-vjeçare vitin e kaluar dhe tashmë vjen vetëm një herë në javë për të kaluar disa orë me të. “Është e vështirë të mos e kem pranë kur fle e nuk e shoh dot se si po rritet”, thotë ajo. “Por nuk kam zgjidhje tjetër”.

Kjo po ndodh në një vend anëtar të Bashkimit Europian – një vend me pasuri të jashtëzakonshme kulturore, bukurie dhe historie. Si erdhi puna deri këtu? Mund të lexosh teoritë dhe të studiosh statistikat dhe megjithatë është e pakuptueshme se si një vend mund të bjerë kaq shpejt dhe kaq poshtë. Këto janë fytyrat e ndryshme të Greqisë mahnitëse – ajo e vendit të puthur nga dielli, të gëzuar e të ëmbël dhe ajo e vuajtjeve tronditëse të panumërta.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/









LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.