Ilir Meta, 20 minuta në zyrën e Bashës pas dështimit të këshillit

Bashkia dhe LSI nuk japin detaje për bisedën e dy aleatëve

Fatjona Mejdini

Një ditë pas bojkotit të anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, priti në zyrën e tij për një takim 20 minutash kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Takimi i djeshëm nuk u bë publik nga mediat, por gjithsesi përfaqësuesit e PD-së dhe të LSI-së në këtë institucion e konfirmuan atë, duke e quajtur thjesht miqësor. Por simbolika e këtij takimi në zyrë vjen në një moment kur mes dy aleatëve po diskutohen vendime të rëndësishme, të cilat pritet të zyrtarizohen në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku PD dhe LSI përbëjnë shumicën.

Takimi





Dje, rreth orës 15:00, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është parë të futet në godinën e Bashkisë së Tiranës dhe t’i drejtohet zyrës së kryetarit të saj, Lulzim Bashës. Takimi ka zgjatur rreth 20 minuta dhe duket se ka qenë konciz dhe në formatin “tetë a tetë”. Në të nuk ka qenë asnjë nga përfaqësuesit e tjerë të dy partive në bashki dhe po kështu Ilir Meta ka dalë i vetëm nga zyra, për t’u drejtuar drejt daljes kryesore. Të pyetur nga gazeta “Shqip”, përfaqësues të lartë në Bashkinë e Tiranës e konfirmuan takimin, duke e cilësuar atë si miqësor. Por është e çuditshme që një takim miqësor të ndodhë në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të zgjasë pak në kohë. Vendi dhe koha e shkurtër në të cilën është mbajtur, duket më shumë me një kumt që Ilir Meta ka dashur t’i japë bashkëpunëtorit dhe mikut të tij, Lulzim Basha.

Çështjet

Dy ditë më parë, mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Tiranës dështoi. Shkak për dështimin e saj u bë mungesa e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që e la PD-në në minorancë votash në këshillin bashkiak. Të detyruar nga mungesa e kuorumit, demokratët e Lulzim Bashës u detyruan ta shtyjnë mbledhjen, vetëm rreth 10 minuta përpara se ajo të niste zyrtarisht. Kjo solli reagimin e ashpër të anëtarëve socialistë në këshill, të cilët e quajtën të papërgjegjshëm këtë qëndrim të mbajtur nga demokratët që drejtojnë bashkinë. Në prononcimet për “Shqip”, përfaqësuesit e bashkisë kanë deklaruar se mungesa e anëtarëve të LSI-së në këshill ka qenë vetëm për arsye personale dhe nuk ka lidhje me një qëndrim të organizuar të tyre. Gjithsesi burimet flasin për një ftohje mes palëve për qëndrimet e kundërta për sa i përket çështjes së vendosjes së taksës së përkohshme dhe të diferencuar për lojërat e fatit, si dhe zhvendosjes së tyre në zonën e ish-uzinës traktori. Kjo çështje ishte pikërisht në rendin e ditës të mbledhjes së këshillit, e cila me pjesën tjetër të axhendës së mbledhjes u shty për t’u mbajtur javës tjetër. Prej javësh, Bashkia e Tiranës është vendosur në fokus të mediave dhe si rezultat i zbulimit të lidhjes së kunatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Isufi, me pronarët e kompanisë që ka marrë të drejtën e riciklimit të plehrave në kryeqytet. Kjo lidhje ka bërë që këshilltarët socialistë dhe deputetët e PS-së ta akuzojnë ashpër Lulzim Bashën për trafik pushteti dhe përdorim të postit publik për të favorizuar familjen e tij. Por këto akuza, ashtu si dhe në raste të tjera, janë hedhur poshtë nga bashkia.

 

 

Zhvillimet

Miqësia – Ilir Meta pranoi në një intervistë televizive se ai me Lulzim Bashën ndante një miqësi të veçantë personale, që i kishte fillesat para vitit 2009

Zgjedhjet – Kontributi i LSI-së në zgjedhjet lokale të vitit 2011 ishte shumë i madh në favor të shpalljes së Lulzim Bashës si kryetar Bashkie i Tiranës

Zërat – Çifti Meta-Basha ka ngjallur shpesh xhelozi brenda grupeve të ndryshme në PD, nisur nga rrymat e pushtetit brenda kësaj partie që kërkon dominancë

 

 

Manovra

Tri lëvizjet e LSI-së

Lëvizja e fundit në këshillin bashkiak të kryeqytetit nuk ka qenë rrufe në qiell të pastër nga LSI-ja. Aleati kryesor i Partisë Demokratike në qeverisje, vetëm ditët e fundit ka kryer dy manovra që bien ndesh me mazhorancën. E para është ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim kundër nismës së referendumit për imunitetin e marrë nga Berisha. Lëvizja e dytë është deklarata e Ilir Metës për 29 Nëntorin, duke i bërë të ditur PD-së se nuk do të bashkohet me qëndrimin e PD-së në festat zyrtare. Lëvizja në këshillin bashkiak është e treta. Por ç’po ndodh brenda mazhorancës? Qarqe të rëndësishme në mazhorancë theksuan para pak kohësh se po zhvillohen negociata për kryeprokurorin e ri, ku u fol për një drekë mes Berishës dhe Metës. Por zyrtarisht LSI deklaroi se nuk ka pakt me PD për Prokurorin e Përgjithshëm.

 





1 Comment
  1. Ilir says

    Ore ju te shqipit si bre cuat Kol Ballen per te bere nje interviste me nje plak aguridhe deri ne amerike, dhe nuk i siguruat nje takim rames me kete amerikanin qe erdhi e qendroi 3 dite ne shqiperi?

Comments are closed.