Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Biznes

Dritëhije komploti, Taçi dhe azerët pas ofertës së majme?!

Luhet me amerikanët, por fshihen të tjerë emra

Gara - Nga 19 kompani që kishin tërhequr dokumentet e tenderit, vetëm 6 i dorëzuan ofertat, por nga verifikimi paraprak, vetëm 3 konsiderohen të vlefshme

Afati - Ministria e Ekonomisë nuk dha detaje se sa do të zgjasë procedura e vlerësimit të ofertave, pasi edhe në ligjin e privatizimeve, nuk ka një limit ligjor

Ofertat - Komisioni fillimisht do të shqyrtojë vlefshmërinë e ofertave për të parë nëse përmbushin kriteret e kualifikimit, rezultati i të cilit mësohet pas një jave

Pak orë pas hapjes së ofertave në tenderin e shitjes së "Albpetrol" dhe ofertës surprizë, nisin e dalin në dritë edhe dyshimet dhe pikëpyetjet e para. Konsorciumi i përbërë nga "Vetro" dhe "Silk Road Equity", që ofroi çmimin më të lartë prej 850 milionë eurosh, të paktën nga të dhënat që mund të merren publikisht, nuk rezulton të ketë përvojë në fushën energjetike, kriter detyrues për blerësin e "Albpetrol"-it.

"Silk Road" është një fond amerikan investimesh nga Çikago, ndërsa "Vetro" një kompani nga Singapori, për të cilën ekzistojnë shumë pak informacione publike.

[gallery order="DESC" orderby="post_date"]

Por dyshimet që lidhen me kriterin strategjik nuk janë të vetmet. Madje, janë të tjera fakte ato që hedhin dyshimet më të forta mbi këtë privatizim, ende në tentativë. Në tender ky konsorcium përfaqësohej zyrtarisht nga Essad Puskar, një boshnjako-amerikan shumë i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë. Puskar, i pyetur nga gazeta "Shqip", pas tenderit, tha se oferta ishte paraqitur nga zyra e Singaporit, por qendra e bashkimit të shoqërive ishte në Çikago të SHBA-së.

Puskar, një personazh kontrovers, ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behxhet Pacollit president në Kuvendin e Kosovës, më 22 shkurt të vitit të kaluar.

Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit ishte pikërisht ky individ që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Chris Dell, dhe vetë zotit Pacolli. Nga lëvizja "Vetëvendosje", ai është pagëzuar me emrin "Damir Fazlliçi i Kosovës". Ky i fundit, ndoshta jo fort rastësisht, mbërriti në Tiranë mbrëmjen e vonë të së enjtes, i përfolur si lobues për një tjetër kompani në tender.

Mesa duket, betejën e ndërmjetësve kontroversë deri tani, e ka fituar boshnjaku më i ri. Por në fakt, lidhjet e Puskar nuk janë të forta vetëm në Kosovë.

Nga një kërkim i thjeshtë në internet zbulohet se Puskar ka shërbyer edhe si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjetike në Shqipëri, Rezart Taçi.

Të dy i bashkon edhe një histori me Azerbajxhanin. E ndërsa Taçi së fundmi është përballur me probleme në gjykatë me Bankën Kombëtare Azere, për një borxh prej 75 milionë eurosh për blerjen e ARMO-s, Puskar ka qenë aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Europë.

Kjo lidhje po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm pak vite më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht ARMO-n. Edhe në atë kohë, fillimisht u tha se blerësi ishte një kompani amerikane nga Teksasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi.

Amerikanët nuk u dukën asnjëherë në Shqipëri dhe emri i tyre nuk u lakua më, pas përfundimit të tenderit. Përfshirja e Puskar në tenderin për ?Albpetrol" i shton edhe më shumë dyshimet se kush qëndron pas ofertës për blerjen e "Albpetrol"-it.

Nga vijnë paratë dhe kush është e mund të jetë vërtet pronari i ri i "Albpetrol", amerikanët e konsorciumit apo azerët e "Socar"?

 

Nga lëvizja "Vetëvendosje", ai është pagëzuar me emrin "Damir Fazlliçi i Kosovës"

 

Braçe: Azerbajxhani, i përfshirë

"Essad Puskar, me profile të shumta publike, njofton se javët e fundit ka punuar shumë në Baku-Azerbajxhan për të krijuar mundësi të reja investimesh. Ai ka qenë atje në takime me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, por edhe me zv.presidentin e kompanisë shtetërore të naftës ?Socar?", deklaroi dje deputeti i PS-së, pak pas zhvillimit të tenderit.

 

Shkurt 2012

Kryeministri ftoi kompaninë "Socar", aksionere e gazsjellësit TAP

Berisha u kërkoi azerëve të blinin "Albpetrol"-in

Plani i Azerbajxhanit për të blerë "Albpetrol"-in mund të jetë inskenuar kohë më parë, në shkurtin e këtij viti, kur zyrtarisht Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, u kërkoi atyre të ishin pjesëmarrës në tenderin e shitjes së 100 për qind të aksioneve.

Është vetë zyra e shtypit të Kryeministrisë që zbardhi një pjesë të takimit që kreu i qeverisë shqiptare pati me homologun e tij, Ilham Aliyev, i zhvilluar në shkurt, në Baku, ku temë diskutimi kryesore ishte projekti i gazsjellësit TAP.

Kryeministri Berisha theksoi se fryma miqësore e marrëdhënieve politike dhe pozicioni gjeopolitik i të dy vendeve janë faktorë themelorë për një bashkëpunim të frytshëm.

"Kryeministri Berisha ftoi kompaninë shtetërore të gazit dhe naftës ?Socar? të marrë pjesë në privatizimin e ?Albpetrol?-it, si dhe në zhvillimin e masterplanit për ngritjen e rrjetit të transmetimit të gazit në Shqipëri", njoftonte zyra e shtypit në atë kohë. "Socar" zotëron aksione në vendburimin e gazit në Shah Deniz, nga ku pritet të marrë jetë projekti multimiliardësh TAP.

Shitja e "Albpetrol" është privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë. Në kriteret e kualifikimit qeveria ka parashikuar që në rastin e blerësit të vetëm, kompania që do blejë "Albpetrol" duhet të ketë të paktën 5 vjet përvojë në fushën e naftës.

Në rastin e bashkimit të shoqërive, njëra nga kompanitë duhet të jetë strategjike me po 5 vjet eksperiencë dhe duhet të zotërojë të paktën 30 për qind të aksioneve totale të konsorciumit. Po kështu, në kriteret e kualifikimit, është parashikuar që kompania të ketë një kapital të paguar prej rreth 80 milionë dollarësh dhe vlera e saj neto duhet të jetë të paktën 100 milionë dollarë.

Ironikisht, po në shkurt të këtij viti, përmes një vendimi të posaçëm me numër 107, qeveria ka paracaktuar edhe kriteret e vlerësimit për shitjen e "Albpetrol". Sipas tyre, oferta financiare do të ketë 75 për qind të pikëve, ndërsa garancitë teknike kanë 25 për qind të pikëve.

Shitja e kompanisë "Albpetrol" është privatizimi i fundit strategjik i Shqipërisë

 

Ironia

Po në shkurt të këtij viti, qeveria miraton vendimin për kriteret

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore