Re artificiale dhe alga kundër CO2

Klima, sfida e re e shkencëtarëve

Superfuqitë e botës po dështojnë në reduktimin e gazit serrë, prandaj po mendojnë për një “plan B” tepër të diskutuar: të ndërhyjnë me teknologjinë: nga ndotja nënujore te pemët e ndërtuara në laborator. Ja eksperimentet e çuditshme

E quajnë “plani B” për të shpëtuar planetin nga mbingrohja. Nëse reduktimi i emetimit të gazit serrë është një qëllim që asnjë vend nuk po arrin ta përmbushë, atëherë do të kërkohen rrugë të tjera për të riparuar termostatin e prishur të planetit. Vera e nxehtë, nga thatësira, tek uraganet, ka bërë që situata të jetë alarmante. Financuesit e mëdhenj si Bill Gates dhe Sër Richard Branson kanë nisur atributet e para, ndërkohë që shkenca dhe teknologjia po përpiqen të përdorin armët e tyre për të freskuar Tokën me metoda nga më të çuditshmet: duke i mbuluar detet me re artificiale për të pasqyruar rrezet e diellit, duke fekonduar oqeanet për lulëzimin e algave, duke kapur CO2 nga centralët me qymyr e duke e çuar atë më pas drejt nëntokës, duke krijuar pemë artificiale që të thithin ajrin e ndotur, si dhe projektin më të sugjeruar, duke vendosur në orbitë pasqyra që kthejnë mbrapsht nxehtësinë e diellit.

Në maj të këtij viti, një projekt i financuar nga qeveria angleze për ta mbushur qiellin me grimca sulfatesh u ndalua pa nisur për shkak të një justifikimi lidhur me patentat. Ideja lindi nga shpërthimi i vullkanit Pinatubo, që në vitin 1991 derdhi 20 milionë tonelatë sulfate në 20 kilometra lartësi. Shtresa e hirit që mbrojti Tokën tre vjet nga rrezatimi i fortë diellor, arriti të ulte temperaturën. Projekti anglez, që parashikonte përdorimin e një balone në vend të vullkanit, do të propozohet sërish pranverën e vitit të ardhshëm.

Në korrik një eksperiment “fekondim” i detit u përfundua me sukses nga gjermanët e institutit “Wegener”. Në një shtrirje oqeanike 60 kilometra afër Antarktidës, një anije derdhi hekur për të ushqyer algat në sipërfaqe. Këto organizma filluan të shtoheshin me shpejtësi duke konsumuar CO2, si dhe falë procesit të fotosintezës. Në fund të ciklit të tyre jetësor, organizmat precipituan në katër kilometra thellësi, duke marrë me vete ngarkesën e dyoksidit të karbonit.

Prototipat e para të pemëve artificiale (jo shumë larg nga shfaqja e paneleve diellore) janë ndërtuar tashmë: ato përdorin substanca të veçanta kimike për të filtruar ajrin nga CO2. Kostoja e kësaj teknologjie, e quajtur “qymyr i bardhë”, është ende shumë e lartë për përhapjen.

Sot të gjitha lëvizjet e ambientalistëve lidhen me reduktimin e emetimit të gazit serrë. Ata japin këshilla që rrezet e diellit të pasqyrohen përmes reve artificiale. Ndoshta një ditë pasqyrat hapësinore mund të lehtësojnë simptomat e temperaturës së planetit. Në frontin e emetimit të gazit serrë, lajmet vazhdojnë të jenë të këqija. Në vitin 2011 u regjistrua një tjetër rekord i ri për sa i përket prodhimit të CO2: sasia e dyoksidit të karbonit ishte 3% më shumë se një vit më parë. Ulja e emetimit të gazit serrë nga vendet perëndimore, shkaktuar nga kriza ekonomike (më pak se 2,5%) u kompensua nga rritja mbresëlënëse e emetimit nga Kina (më shumë se 9%).

Me shpresën se “plani A” do të reduktohet në minimum, gjatë muajve të fundit janë shtuar planet për përdorimin e reve artificiale, velloja e të cilave do të rriste reflektimin e rrezeve të diellit. Javën e kaluar u publikua një studim i detajuar te “Transactions of the Royal Society”, që mbante firmën e disa fizikanëve të universitetit të Uashingtonit. Për të rritur dendësinë e reve mbi oqeane (nëpër dete e oqeane hija do të krijonte më pak probleme se në tokë) do të merren dhjetë anije, që do të lundrojnë 10 kilometra larg njëra-tjetrës. Çdo anije do të pajiset me disa oxhakë për të spërkatur ujë të kripur deri në 250 metri lartësi. Rreth kokrrave të kripës do të mblidhen avujt e ujit e të ajrit dhe në pak kohë, sipas studimit, qielli do të mbulohet nga re të bardha e të ftohta. Sipas një raporti të publikuar nga “Environmental Research Letters”, kjo iniciativë kushton 5 miliardë dollarë në vit: një kuotë e vogël krahasuar me 200 miliardë dollarët e shpenzuar deri tani për të luftuar emetimin e CO2.

Ndalimi i papritur i projektit britanik në muajin maj të këtij viti është pasojë e vështirësive të mëdha teknike që duhen ende të kapërcehen. Për të frenuar ngrohjen globale nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shpresojmë në një “plan C” edhe më çudibërës, që mund të na bindë të ndotim më pak.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.