Dezertori amerikan i shpëton ndëshkimit për 28 vjet

Nëse shkel në SHBA, mund të dënohet deri me 30 vite burg. Dezertori jeton në Suedi, ku qëndroi pa kontaktuar familjen e vet për shumë dhe shumë vite, aq sa për pak e harruan

Kur foli me të vëllain në telefon, i zhdukur prej tri dekadash, ai e pyeti se si e kishte pasur emrin breshka e tyre e fëmijërisë, para se të besonte se po fliste me të vërtetë me të

U arratis nga ushtria pasi e ndjente veten pacifist, zbulon veten pas tri dekadash

David Hemler dezertoi nga forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1984 dhe jetoi në ilegalitet për afro tri dekada, pasi qëndroi gjatë së gjithë kohës në Suedi, ku fitoi një identitet të ri, u martua dhe krijoi familje. Por në fund, e vërteta u zbulua.

Dezertimi i tij ndodhi në kulmin e Luftës së Ftohtë, ndërkohë që Ronald Reagan po vendoste raketat Pershing II në Gjermaninë Perëndimore. Hemler, në atë kohë 21 vjeç, punonte si përkthyes në forcat amerikane në Augsburg të Bavarisë. Fillimisht ai i kërkoi oficerëve përgjegjës ta lironin nga detyra, pasi ndjehej pacifist. Përgjigjja e tyre ishte që e konsideruan jo mirë nga gjendja e shëndetit mendor dhe e dërguan te një psikiatër.

“Nuk mendoja se të qenit pacifist nënkuptonte që isha i sëmurë mendor. Por ndjehesha keq”, thotë Hemler. “Natën nuk arrija të flija dhe ditën kisha vështirësi në të ngrënë”, – shton ai.

Forcat ajrore nuk e lanë të largohej. Përkundrazi, ai u shkarkua nga puna si oficer sekret dhe u detyrua të punojë si pastrues.

Pasi kaloi një vit duke pastruar dyshemetë, Hemler kuptoi se forcat ajrore nuk do t’i jepnin lirinë. Në këtë kohë, ai kishte kryer tri vite shërbim dhe i mbeteshin edhe tri vite të tjera. Kjo gjë e shtyu të arratisej pa leje. Ai hartoi një plan të thjeshtë dhe u arratis për në Suedi. Ai kishte qenë edhe më herët në këtë vend dhe i qe krijuar përshtypja se Suedia i kishte dhënë strehim politik ushtarëve amerikanë të cilët dezertuan gjatë luftës së Vietnamit. Kur mbërriti në Suedi, i dha vetes emrin Hans Schwarz dhe deklaroi se ishte fëmija e një çifti udhëtarësh që kishin jetuar në 35 vende të ndryshme. Policia e Suedisë pati dyshime dhe mendoi ta depërtonte. Ata dallonin se aksenti i tij tregonte rrënjët nga SHBA-ja Lindore. “Por askush nuk e dinte ku të më dërgonin”, thotë Helmer. “Unë i thashë se kisha lindur në Zvicër”.

Në fund, policia nuk gjeti prova të mjaftueshme për origjinën e tij dhe e lejuan të jetojë në Suedi. Një vit e gjysmë më vonë, fitoi edhe lejeqëndrimin.

Pavarësisht kësaj, jetonte me frikë. E dinte se leja e tij bazohej në një identitet të rremë dhe se SHBA-ja po punonte për ta kapur. “Sa herë që dëgjoja një sirenë policie në distancë, mendoja se po vinin për mua”, tregon ai. Forcat ajrore amerikane e vunë në listën e 10 njerëzve më të kërkuar, ku përfshiheshin vrasës dhe përdhunues. Fotoja e tij u vendos në internet dhe u hoq vetëm pak javë më parë.

Për të shmangur rrezikun e arrestimit, Hemler mësoi suedisht dhe la flokë të gjata e mjekër për t’u maskuar.

Ai pati punë të ndryshme, përfshirë rolin e infermierit në një azil për të moshuarit e më pas punoi për një agjenci shtetërore të Suedisë, në qytetin e Upsalës.

Gjatë 28 viteve, Hemler nuk ia tregoi të vërtetën askujt, përfshirë edhe së dashurës së tij të parë në Suedi, me të cilën pati një vajzë, si dhe gruas së tij me të cilën pati dy fëmijë të tjerë. Ai nuk komunikoi në asnjë rast me prindërit. “Kisha frikë se nëse flisja me prindërit, do të më zbulonin dhe nuk do të shihja më fëmijët e mi”, thotë ai. Iu desh të bënte një zgjedhje të vështirë mes kontaktimit të prindërve dhe qëndrimit me vajzën dhe zgjodhi vajzën.

Por sapo vajza e tij e madhe u rrit, Hemler nuk i qëndroi dot ndarjes me prindërit. Në fund, ai komunikoi me një hallë, por ajo nuk e besoi se bëhej fjalë për të njëjtin nip dhe vetëm i vëllai e njohu pasi e pyeti për fëmijërinë që kishin kaluar bashkë në Pensilvani. “Ai më pyeti për emrin e breshkës që kishim kur ishim fëmijë”, tregon Hemler.

Hemler u përgjigj saktë. “Vëllai im qe shumë i lumtur dhe më tregoi gjithçka kishte ndodhur me familjen në 30 vitet e fundit. U ndjeva i mrekulluar që fola me të”.

Në fund, foli me prindërit. “Prisja që të ishin të zemëruar me mua, por të gjithë qenë të lumtur që më në fund folëm sërish me njëri-tjetrin dhe askush nuk pyeti për shpjegime. Ata ishin shumë të lumtur që unë isha gjallë e shëndoshë e mirë”, thotë Hemler.

Në këtë rast, bashkëshortja e tij mori vesh për herë të parë fatin e tij. Në fillim, nuk e besoi, por në fund u bind kur ai i tregoi foton në listën e dhjetë më të kërkuarve në internet. Hemler thotë se bashkëshortja e tij suedeze, me origjinë nga Tailanda, nuk ndjehet e tradhtuar dhe e kupton se pse për kaq shumë kohë atij iu desh të jetonte nën një emër të rremë.

Tani dëshira më e madhe e Hemler është që të takohet sërish me prindërit, por për momentin, vijon të jetë nën hetim dhe i kërkuar në SHBA, ku rrezikon të dënohet me 30 vite burg për dezertim. Por për shkak se tashmë është nënshtetas suedez, avokatët i kanë thënë se ka shumë pak gjasa që ai të ekstradohet.

Pavarësisht se tashmë është martuar e ka fëmijë në Suedi, Hemler ndjehet sërish i penduar për vendimin për të dezertuar. “Qe një proces gradual”, thotë ai. “E futa veten në një bela nga e cila e pata të vështirë të dal”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.