Ambicia vetëshkatërruese e Erdogan

Politika e Turqisë

“The Economist”

Recep Tajip Erdogan është tepër i fokusuar në planin për t’u bërë president

Kryeministri i Turqisë, Recep Tajip Erdogan, së fundmi është shfaqur në publik me kapelen stil kozak, e ngjashme me atë që mbante Ataturku. Kemalistët u tmerruan. Megjithatë, askush nuk mund të vërë në diskutim faktin që Erdogan është udhëheqësi më mbresëlënës i Turqisë që nga vdekja e të madhit Ataturk më 1938. Partia e tij islamike e moderuar Drejtësi dhe Zhvillim (AK) erdhi në pushtet në vitin 2002, pas një vale protestash popullore që dënoi dekada të tëra sundimi të paefektshme. Erdogan e ngriti Turqinë nga stanjacioni dhe paraliza politike dhe e bëri një frymëzim për rajonin e vet.

Ai ka eliminuar fuqinë e gjeneralëve, përmirësoi të drejtat e grave dhe kurdëve, dyfishoi Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë, ndërtoi rrugë dhe spitale moderne e fuqizoi të pafuqishmit. Reformat e tij sollën hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2005. Pavarësisht shqetësimeve mbi deficitin e llogarisë korrente që aktualisht është i lartë, ekonomia e këtij vendi është ngadalësuar, por nuk është rrëzuar, si shumë të tjera në Mesdhe.

Nuk qe pra surprizë kur partia e tij fitoi një mandat të tretë si qeverisëse e vetme në qershor 2011. Megjithatë, një vit më pas, Erdogan po përballet me një sfidë si kurrë më parë. Problemet e tij përfshijnë sëmundjen e kancerit, përplasjen me grupimin shumë të fuqishëm të myslimanëve Gulenistë, rritjen e dhunës me kurdët dhe luftën në Siri. Ai është bërë gjithnjë e më shumë autokratik, gjykimi i tij ndoshta është errësuar nga ambicia për t’u zgjedhur si president, kur mandati i Presidentit aktual Abdullah Gul përfundon më 2014-n.

Është pikërisht kjo ambicie që, sipas kritikëve, po minon premtimet e Erdogan për të hartuar një Kushtetutë të re demokratike. Një komision parlamentar që teorikisht duhet të prodhojë një projektkushtetutë, duket se është krijuar më së shumti për të dështuar.

Ai ka nevojë që ta miratojë projektin me votë unanime të anëtarëve në secilin prej neneve. “Por a mund ta pranojnë nacionalistët që Kushtetuta e re t’i japë kurdëve arsim në gjuhën amtare? Natyrisht që jo”, thotë Levent Gultekin, një komentator pro-islamik. Shumë dyshojnë se Erdogan kërkon që partia e tij të krijojë një projektkushtetutë pa mirëkuptimin e të tjerëve, me synimin për të rritur fuqitë e presidentit dhe për t’i lejuar kryeministrit aktual të vijojë të drejtojë vendin, edhe pasi të mos jetë më kryeministër. Për shkak se Erdogan nuk i ka dy të tretat e votave në Parlament, Kushtetuta e re do të duhet të hidhet në referendum dhe shumica e sondazheve i japin fitoren partisë së tij.

Megjithatë, ai nuk po rrezikon. Përgjatë vitit të fundit, ai është shfaqur gjithnjë e më shumë me qëndrim të dyfishtë ndaj kurdëve. Nga njëra anë ka hyrë në bisedime sekrete me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, për t’i dhënë fund kryengritjes së përgjakshme 28-vjeçare. Nga ana tjetër, ka shtuar dhunën dhe arrestet masive të mijëra aktivistëve kurdë.

“Lidhjet mes turqve dhe kurdëve po dobësohen çdo ditë e më shumë”, thotë Selahattin Demirtas, udhëheqës i Partisë për Paqe dhe Demokraci, një grupim pro-kurd.

Bosët e medias janë gjithnjë e më të frikësuar nga ideja se mund të humbin kontratat shtetërore dhe kanë pushuar nga puna gazetarët kritikë. Së paku 80 gazetarë janë aktualisht në burg, shumë prej tyre kurdë të akuzuar për anëtarësim në Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Mungesa e tolerancës së qeverisë vijon me studentët. Plot 2,824 të tillë janë në burg dhe një e katërta janë akuzuar për “anëtarësim në ndonjë lloj grupimi terrorist”, kur në fakt kanë kërkuar thjesht arsim falas për të gjithë e “krime” të ngjashme.

Kundërshtarët laikë të Erdoganit e akuzojnë atë se i është kthyer rrënjëve të tij islamike. Ai po bën thirrje për “rini më të prirur nga feja”, ka propozuar kufizim në të drejtën për abort, si dhe ka rikthyer arsimimin fetar në shkollat e mesme. Një kurikulë e re arsimore përfshin klasa për Kuranin dhe gjuhën arabe, të cilat janë me zgjedhje.

Përqafimi i nacionalizmit fetar nga Erdogan duket se ka për synim të tërheqë të djathtën ekstreme dhe konservatorët. Por ka disa probleme që po krijohen nga mbivendosja e politikave.

Beteja e ushtrisë kundër kurdëve ka pasur shumë pak efekt. Shumë ushtarë janë vrarë këtë vit dhe rebelët kanë arritur ta dërgojnë luftën e tyre nga zonat tradicionale të juglindjes deri në Izmir, cepi perëndimor i vendit.

Erdogan ka akuzuar Presidentin e Sirisë, Bashar Assad, për rritjen e dhunës në rajonet e banuara nga kurdët. Assad ka humbur kontrollin në qytete, kurse përgjatë kufirit dhe këto territore tashmë zotërohen nga një organizatë e kurdëve të Sirisë që ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit të Turqisë.

Megjithatë, kritikët tregojnë mbështetjen e fshehtë që Turqia ka dhënë për rebelët e Sirisë, gjë që e ka vënë Ankaranë jo vetëm në konflikt me Assad, por edhe me Iranin. Dhe ndërsa duzina me gjeneralë janë burgosur me akuza për organizim grushtesh shteti, ushtria është dobësuar. Por edhe vetë mbështetësit e Erdogan po vënë në dyshim mençurinë e konfliktit të tij me Sirinë. Mosmarrëveshjet kanë shkaktuar pakënaqësi mes minoritetit Alevi brenda Turqisë, i cili ka lidhje shpirtërore me sektin Alavit të Assadit.

Ndërkohë, SHBA-të janë përqendruar te zgjedhjet presidenciale, ndërsa Europa është zhytur në krizën e euros. Bisedimet për anëtarësim në BE kanë ngecur dhe miqtë e Turqisë në Perëndim janë të paktë në numër. Një sondazh i fundit tregon se vetëm 17 për qind e turqve tashmë beson se vendi i tyre mund të anëtarësohet një ditë në Bashkimin Europian. Shumë kanë frikë se vendi i tyre mund të zhytet në një luftë rajonale. Erdogan është mjeshtër në magjepsjen e opinionit publik, megjithatë popullariteti i tij është në rënie. Prioriteti i tij duhet të bëhet zgjidhja e problemeve të vendit me një Kushtetutë që mbështetet nga të gjithë qytetarët e Turqisë dhe jo thjesht nga ambicia e tij për t’u bërë president.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.