Vendet asnjanëse mbështesin Iranin, por jo Sirinë

Kreu i Iranit Ahmadinexhad dhe ai i Egjiptit Mohamed Morsi

Irani shpall fitoren kundër përpjekjeve të Perëndimit për ta izoluar

THOMAS ERDBRINK, NYT

Teheran – Të 120 vendet e lëvizjes asnjanëse i dhuruan Iranit një fitore diplomatike këtë javë, duke firmosur një deklaratë mbështetëse për programin bërthamor të këtij vendi dhe duke kritikuar përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për të izoluar dhe ndëshkuar Iranin me sanksione ekonomike të njëanshme.

Por deklarata e këtij grupimi që u publikua nga media shtetërore e Iranit në fund të samitit, nuk përmbante asnjë fjali mbështetëse për Sirinë, aleatin kryesor të Iranit në Lindjen e Mesme, gjë që shkon në përputhje me opinionin e shumë vendeve se përpjekjet e Damaskut për të shtypur me dhunë kryengritjen është e pambrojtshme nga pikëpamja diplomatike.

Përjashtimi i problemit të Sirisë nga dokumenti final thuhet se erdhi pas shumë manovrave të diplomatëve iranianë, të cilët kërkonin së paku përfshirjen e një fjalie për dënimin e mbështetjes së huaj për kryengritësit e Sirisë. Pavarësisht kësaj, për Iranin, takimi qe një fitore e madhe, pasi qe konferenca më e madhe ndërkombëtare që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Mbështetja unanime për dokumentin final tregoi se Irani nuk është vend tërësisht i izoluar. Deklarata e Teheranit, jo vetëm që mbështet të drejtën e Iranit për energji bërthamore paqësore, por njeh edhe të drejtën e pronësisë të ciklit të plotë të prodhimit të lëndës bërthamore, e cila nënkupton të drejtën për pasurimin e uraniumit, çështje kjo shumë e debatuar.

Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka kërkuar në mënyrë të përsëritur ndërprerjen e pasurimit të uraniumit për sa kohë Irani nuk ka dhënë garanci se po kërkon të prodhojë energji dhe jo bombë atomike. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr përpjekjet e Perëndimit për të vendosur sanksione mbi Iranin derisa ky shtet të pranojë kërkesat e Këshillit të Sigurisë.

Irani thotë se e ka plotësuar detyrimin e vet duke nënshkruar Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, duke argumentuar se në fakt, Izraeli nuk e ka nënshkruar këtë traktat dhe ka nën zotërim një arsenal bërthamor.

Siria doli humbësi i madh i këtij takimi, pasi Irani fillimisht nuk kishte dëshirë të punonte për të mbledhur mbështetje për Presidentin Bashal al-Assad dhe më pas e pati të pamundur.

Organizata e vendeve asnjanëse lindi në Beograd më 1961 nën frymëzimin e Titos. Vendet që më vonë u quajtën “të botës së tretë”, u bashkuan si një rrugë e mesme në botën e ndarë në bllokun komunist dhe atë kapitalist. Ajo u bë një lëvizje shumë tërheqëse për njerëzit e mërzitur nga klima e vazhdueshme e konfliktit mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, por simpatia për të u venit me kalimin e kohës dhe Bota e Tretë u bë një simbol i varfërisë ekstreme, qeverive autokratike apo diktatoriale dhe shteteve të dështuara.

Takimi i këtij viti qe i mbushur me mosmarrëveshje mes vendeve anëtare. India, e cila disponon kapacitete të luftës bërthamore në mënyrë të padeklaruar e të papranuar nga pjesa tjetër e botës, nuk e pëlqeu një pjesë të deklaratës ku flitej për mbështetje për traktatin e mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Egjipti shkaktoi trazira kur deklaroi ashpër se regjimi sirian duhet të rrëzohet, ndërsa mosmarrëveshje të tjera u krijuan nga prania në takim e kreut të OKB-së, Ban Ki-Moon, si i ftuar i posaçëm. Ky i fundit i shërbeu Iranit për të dhënë përshtypjen në opinionin e brendshëm se nuk qe i izoluar nga amerikanët. Ban deklaroi se i ka kërkuar Iranit lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë. Iranianët u përpoqën ta çensuronin këtë deklaratë në mediat e veta. 









Comments are closed.