Kina mund të zbusë qëndrimin ndaj Tibetit

Xi Jinping

Udhëheqësi i ardhshëm i Kinës, ndoshta është mik i Dalai Lamës

Për shumë dekada Pekini e ka konsideruar Dalai Lamën një separatist, por udhëheqësi shpirtëror i Tibetit dikur ka pasur një miqësi të madhe me babanë e Xi Jinping, njeriut që pritet të bëhet Presidenti i ardhshëm i Kinës.

Aktualisht, askush nuk e di se çfarë mendon për Tibetin Xi, i cili pritet të zgjidhet President nga Kongresi i Partisë Komuniste këtë vit. Por është e sigurt që babai i tij, Xi Zhongxun, një ish-zëvendëskryeministër me pikëpamje liberale, dikur ka pasur miqësi të madhe me udhëheqësin tibetian. Dikur, në vitet ’50, Dalai Lama i dha mikut të tij një orë të shtrenjtë si dhuratë, orë që zyrtari i partisë vijoi ta mbante në dorë për shumë dekada.

Sot, Dalai Lama, 77 vjeç, thotë se babai i udhëheqësit të ardhshëm të Kinës ka qenë “shumë miqësor dhe mendjehapur”. Ora iu dhurua zyrtarit kinez në vitin 1954, kur Dalai Lama gjendej në Pekin për disa muaj për të mësuar gjuhën kineze dhe marksizmin. Dalai Lama u arratis për në Indi pesë vjet më vonë, pas një kryengritjeje të dështuar kundër sundimit komunist, por thuhet se zyrtari Xi vijoi të mbajë në dorë orën e tij së paku deri në vitin 1979.

Xi qe një nga të paktët në Partinë Komuniste që kërkonte të drejta për tibetianët, ujgurët dhe minoritetet e tjera etnike. Ai kundërshtoi gjithashtu shtypjen me dhunë në protestave të studentëve më 1989 në sheshin “Tiananmen”.

Dalai Lama nuk e ka takuar kurrë të birin e mikut të tij, por trashëgimia familjare e udhëheqësit të ardhshëm të Kinës interpretohet nga shumë analistë si një shenjë se Pekini do të ndjekë një politikë më paqësuese me Tibetin. Disa besojnë se do të jetë më tolerant edhe me ujgurët myslimanë, si dhe me Tajvanin, ishullin që qeveriset në mënyrë të pavarur dhe që Kina është betuar ta rimarrë nën kontroll.

“Për të kuptuar se çfarë lloj udhëheqësi do të jetë Xi Jinping, duhet parë se cilat qenë politikat e babait të rij”, thotë Bao Tong, një ish-zyrtar kinez që u dënua me shtatë vjet burg, pasi pati simpati për studentët protestues në Tiananmen.

“Asnjë komunist kinez nuk do të tradhtojë babanë e vet”, shtoi ai.

Megjithatë, shumë besojnë se edhe nëse Xi kërkon të ndjekë një politikë liberale, ai do të duhet fillimisht të konsolidojë pushtetin e vet.

Kina ka investuar shuma të mëdha parash në Tibet me shpresën që zhvillimi të sjellë stabilitet, por stabiliteti nuk ka ardhur ende. Përplasjet mes tibetianëve dhe forcave policore kanë qenë të shumta. Investimet kineze kanë krijuar edhe problemin tjetër, atë që Dalai Lama e quan “gjenocid kulturor”.

Kina nga ana e saj thotë se rajoni i Tibetit vuante nga varfëria masive dhe shfrytëzimi brutal i bujkrobërve nga murgjit deri në vitet ’50, kur trupat komuniste e “çliruan në mënyrë paqësore” dhe vendosën “reforma demokratike” më 1959.

Ndërkohë, protestat kanë qenë të shumta në Tibet dhe janë ashpërsuar gjatë viteve të fundit. Mbi 50 aktivistë tibetianë i kanë vënë vetes flakën në shenjë proteste. Dhe analistët thonë se në rast se Dalai Lama vdes në ekzilin e tij në Indi, kjo do të radikalizojë të rinjtë tibetianë jashtë vendit, të cilët kërkojnë pavarësi të plotë nga Kina dhe deri më sot kanë shprehur pakënaqësi ndaj deklaratave të buta të udhëheqësit shpirtëror që kërkon vetëm autonomi brenda Kinës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.