Stresi i medias greke nën peshën e krizës

Media greke si e gjithë shoqëria ndodhet përballë një sfide të madhe mbijetese dhe peshën më të madhe të kësaj krize e ndiejnë dhe periodikët më të rëndësishëm dhe me tirazh të madh në vend. Reduktimi i shpenzimeve po ndihet mbi të gjitha në cilësinë e medias dhe po dëmton edhe aftësinë e tyre për të mbuluar krizën në të gjitha këndvështrimet e saj.

Shumë studio televizive dhe salla gazetash janë të zbrazura për shkak të stafit të reduktuar dhe në pjesë të madhe gazetarësh që janë pushuar nga puna. Diku në një kënd të një dhome lajmesh shkruhet me një parullë të madhe: “Gazetarët nuk janë skllevër”. Në televizionin “Alter slat” janë thuajse të zbrazura. Për nëntë muaj ky televizion, dikur popullor është pushtuar nga stafi i tij. Ata rrinë te dera e tij me turne, duke punuar 24 orë rresht. Por ndërkohë nuk prodhohen programe dhe sinjali i kanalit është i shuar. Kjo është fytyra e vërtetë e krizës së thellë të medias. Dy vjet më parë “Alter” nisi që të vononte pagesat e rrogave për punonjësit e tij. Pas katër muajsh pa rroga, stafi nisi që të largohej pak nga pak. Më pas erdhën disa të holla, por shumë shpejt mbaruan. Më pas nisi një grevë në fillim të nëntorit të kaluar. Nikos Spyreas është, ose më mirë ishte një nga teknikët e këtij kanali i specializuar me lidhjet direkte. Ai fitonte 1300 euro në muaj, por nuk është paguar asnjë qindarkë gjatë vitit që shkoi. Tani ai përpiqet që të mbijetojë me një përfitim papunësie mujor me vlerë 360 euro në muaj. “Unë nuk mund t’i paguaj faturat e mia. Jetoj me ndihmë nga familja ime dhe nuk mund të paguaj as taksat”, thotë ish-gazetari. “Më parë kishim një jetë të mirë dhe punonim për të përfituar të ardhurat, por tani nuk mund t’i lejojmë jetës as një gotë kafe. Në fillim të këtij viti erdhën disa persona dhe i dhuruan stafit tonë ushqime falas për të na nxitur që të vazhdonim punën. Televizioni grek “Alter” është shembulli tipik i goditjes së madhe që kanë marrë nga kriza edhe biznese që dikur ishin me të vërtetë të lulëzuar. Por dhe media dikur e fuqishme e kishte ngritur këtë fuqi mbi një bazë të marrjes së kredive të mëdha të cilat më pas nuk arriti që t’i lante dot. Shefat e mediave të mëdha kërkonin që të ndërtonin perandori të mëdha, më të mëdha nga sa kishin mundësi që të përballonin dhe fundi është i pashmangshëm në raste të tilla. Mbi të gjitha, para shumë vitesh nisi edhe në këtë vend moda e madhe e çeljes së shumë gazetave dhe televizioneve, të cilët përpiqeshin kush e kush të konkurronte me lajme dhe programe shoqi-shoqin dhe pagat e disa prej drejtuesve dhe gazetarëve të mediave ishin jashtëzakonisht të larta, madje marramendëse. Por edhe pagat e gazetarëve të tjerë nuk kanë qenë më keq. Por goditjen më të madhe e morën nga recesioni dhe kriza për shkak të rënies së të ardhurave nga reklamat që janë edhe lënda e parë që mban një media në këmbë dhe i siguron asaj të ardhurat e saj më të mëdha. Kanali televiziv në fjalë e pa shumë shpejt veten të paaftë për të paguar punonjësit e tij. Media është një nga shënjestrat e kësaj krize dhe në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me problemet që ka një biznes, por me çështjen e mungesës së raportimit të së vërtetës dhe të situatës. Një media e goditur është një dëm shumë i madh që i bëhet të vërtetës dhe njerëzve në përgjithësi. Një media e falimentuar krijon errësirë dhe mungesë transparence. Por ndoshta zhurmën më të madhe dhe tronditjen më të madhe e shkaktoi mbyllja e gazetës së famshme të përditshme “Elefterotipia”. Ajo u themelua pas rënies së diktaturës në Greqi në vitin 1975 dhe ishte e dyta për nga lexueshmëria dhe tirazhi në vend me mbi 800 të punësuar. Ishte një zë i rrallë i pavarësisë. Një zë që fatkeqësisht u shua, atëherë kur duhet që të ngrihej dhe të ushtronte më fort.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.