Qeveria nxjerr në shitje 250 prona, për 3.8 mld lekë

Intensifikohet aksioni i likuidimit të pronave shtetërore në mbarë vendin

Nisi me bujë të madhe në vitin 2009, por në fakt është duke dhënë rezultate vetëm këtë vit, ndërsa shumë shpejt do të likuidohen të gjitha, deri në masën 95 për qind. Ky është plani i shtetit shqiptar. Për të shitur çdo pronë të tijën që e konsideron të tepërt, por edhe me argumentin për t’i dhënë ndihmë biznesit të zgjerojë aktivitetet.

Në total janë 1200 prona të ushtrisë, magazina të shtetit, në varësi të disa ministrive, por edhe ndërmarrje, etj., të cilat duhet të shiten brenda këtij mandati qeverisës. Gazeta “Shqip” mëson se puna po ecën me ritme të shpejta. Në 6 muajt e parë të vitit janë përgatitur 87 dosje me 250 objekte, vlera e së cilës, llogaritur nga ekspertët kontabël të METE-s, është në rreth 3.8 miliardë lekë.

Këto para janë të nevojshme për arkën e buxhetit të shtetit, pasi nga taksat nuk po vjel aq sa duhet. Pothuajse, të gjitha ministritë kanë hartuar dosjet me pronat që menaxhojnë, të cilat nuk i hyjnë më në punë ose nevojiten para për t’i mirëmbajtur.

Pronat janë të shtrira kudo, nga Veri në Jug, në male, fusha dhe deri në bregdet. Interesi më i lartë është për pronat e ushtrisë, ku një pjesë shtrihet pranë brigjeve të detit, madje edhe në rivierën e bukur të Jugut.

Procesi është i ndarë në disa hallka. Janë institucionet që identifikojnë pronat e tepërta dhe më pas i dërgojnë te Ministria e Ekonomisë. Ky dikaster përgatit dosjet, i verifikon pronat për problemet e mundshme që mund të kenë dhe më pas i çon për likuidim tek Agjencia e Shitjes së Pronave Publike, në varësi të Ministrisë së Financave.

“Detyra jonë, si ministri, pronare shtet mbi objektin, është përgatitja e dosjeve, që nis me verifikimin e pronës, nëse ka pretendentë mbi të, vlerësojmë bilancet, si është e ndarë objekti, pasi kur flasim për një dosje, i referohemi, p.sh një reparti, i cili brenda ka disa objekte dhe toka”, tregon Genti Minarolli, drejtor i privatizimeve, shitjes së pronës publike dhe dhënies me qira.

Afro 250 objektet e nxjerra për shitje, të cilat i përkasin institucioneve të ndryshme, si të Mbrojtjes, Bujqësisë, Arsimit, etj., janë vlerësuar nga ekspertët kontabël të Ministrisë së Ekonomisë me një çmim shitjeje prej 3.8 miliardë lekësh. Ky është çmimi dysheme, pasi në ankand vlera mund të rritet, në rast se do të ketë konkurrencë të pastër mes kompanive të interesuara.

Vitin e kaluar, qeveria nxori në shitje 500 objekte, por nuk ekziston një e dhënë se sa janë realizuar në numër, por të paktën nga Ministria e Financave, mësohet se janë arkëtuar të paktën 400 milionë lekë. Edhe për këtë vit, qeveria synon të nxjerrë në shitje 500 objekte, me vlerë të paktën 5.6 miliardë lekë, e llogaritur sa dy herë më shumë se viti 2010, kur nisi procesi i privatizimeve të mëdha.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.