Qeveria pranon se minierat kontrollohen nga krimi

Ministri i Ekonomisë kërkon kontroll mbi territorin për të ndalur shfrytëzimet e paligjshme

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, deklaroi dje se qeveria e tij nuk ka kontroll real mbi pasuritë minerare të vendit, të cilat po shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kushteve teknike, gjë që ka shkaktuar aksidente të panumërta mes punëtorëve të sektorit minerar. Duke folur në një takim pune me drejtuesit e ministrisë së vet, Haxhinasto pranoi se një pjesë e madhe e minierave shfrytëzohen në mënyrë të paligjshme dhe se në këto miniera ndodh edhe pjesa më e madhe e aksidenteve vdekjeprurëse.

“Paligjshmëria është një problematikë me të cilën duhet të ndeshemi në mënyrën më të organizuar, të koordinuar dhe efikase, sepse paligjshmëria sjell shfrytëzimin joligjor të pasurive natyrore që ka vendi, por ka dhe pasoja shumë të mëdha për sigurinë në punë të punonjësve”, tha Haxhinasto dje. “Mund të them se gati 90 për qind e aksidenteve në miniera kanë ndodhur nga këto subjekte që operojnë pa u licencuar dhe janë jashtë standardeve të punës. Prandaj është e domosdoshme që kësaj situate t’i jepet fund”, shtoi ai.

Institucioni që Haxhinasto drejton, ka lëshuar gjatë dekadës së fundit mbi 1 mijë leje minerare, për një numër të pafund kompanish të vockla, të cilat janë tërësisht të papërgjegjshme për pasojat që krijohen nga shfrytëzimi i parregullt i minierave, si dhe nga aksidentet në punë. Kontrollet për sigurinë në punë ndaj këtyre subjekteve të panumërta janë të rralla dhe deri më sot kanë rezultuar tërësisht infektive. Me dhjetëra minatorë kanë humbur jetën gjatë viteve të fundit, ndërsa shumë të tjerë janë plagosur. Një fakt domethënës është që numri i lejeve minerare të lëshuara nga ministria është rritur ndjeshëm në periudhat parazgjedhore, gjë që sugjeron që drejtuesit politikë të vendit e kanë përdorur pasurinë kombëtare si mjet pagese për gangsterët lokalë, të cilët ia shpërblejnë me para nën dorë ose me vota të mbledhura nga popullatat e varfra të zonave minerare.

Ndërkohë, krahas shfrytëzimit të minierave me leje dhe pa kontroll shtetëror, në të gjithë zonat minerare gjatë viteve të fundit ka lulëzuar një treg ilegal që grumbullon krom nga mbledhësit e lirë ose shfrytëzuesit e paligjshëm të minierave. Megjithëse Haxhinasto foli dje për paligjshmëri e për numër të madh aksidentesh të shkaktuar nga paligjshmëria, arrestimet dhe ndëshkimet e përgjegjësve deri më sot kanë munguar.

Kreu i ekonomisë lajmëroi gjatë një takimi të posaçëm me prefektët e zonave minerare, specialistë të sektorit dhe përfaqësues të forcave të rendit se qeveria do të riaktivizojë sërish task-forcën për të kontrolluar minierat e vendit

“Çështja e monitorimit të realizimit të investimeve do të jetë parësore në punën tonë monitoruese. Rritja e efikasitetit të këtij sektori do të vijë në mënyrë integrale, nëpërmjet angazhimit të përbashkët të të gjitha institucioneve, ministrisë, pushtetit vendor, policisë së shtetit, task-forcave që ne kemi ngritur, por që duhet të riaktivizohen, me qëllim që ky sektor jetik për ekonominë e vendit, për sigurimin e të ardhurave nga eksportet, të arrijë një standard të ri, të arrijë një standard, i cili jo vetëm rrit produktivitetin e sektorit, por vendos standarde europiane në funksionimin e tij, në garantimin e sigurisë së jetës së punëtorëve, por edhe në raportin midis nxjerrjes dhe pasurimit, me qëllim që vlerat e mëdha minerare që ka vendi të shfrytëzohen maksimalisht, në përputhje të plotë me ligjin dhe mjedisin”, tha ministri i METE-s.

Shfrytëzimi i paligjshëm i minierave nga banda njerëzish të inkriminuar apo individë me pushtet u rigjallërua pas viteve 2005, kur çmimi i kromit në tregjet ndërkombëtare filloi të rritej. Dështimi i autoriteteve për të disiplinuar sektorin, përveçse i ka shkaktuar shtetit miliona dollarë humbje është shoqëruar edhe me pasoja tragjike.

Dhjetëra minatorë kanë humbur jetën, ndërsa lufta mes grupeve rivale për zotërimin e galerive ka kulmuar deri në përleshje me armë në mes të ditës, duke shkaktuar dhe viktima të pafajshme. Gj. Erebara

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.