Prodhimi i naftës rritet më ngadalë nga sa pritej

Aksionet e “Bankers Petroleum” pësojnë luhatje të fortë në bursë

Prodhimi i naftës nga “Bankers Petroleum” në zonën e Patos-Marinzës gjatë tremujorit të dytë të këtij viti arriti në rreth 14 mijë fuçi në ditë, me rritje 17 për qind në krahasim me një vit më parë, por investitorët prisnin një rritje prej 30 për qind, bëhet e ditur nga agjencitë e specializuara të informacionit, si dhe nga vetë kompania.

Aksionet e “Bankers” në bursën e Torontos patën rënë deri në 1.5 milionë dollarë për copë në qershor, pasi investitorët qenë zhgënjyer nga ritmi i ulët i rritjes së prodhimit gjatë tremujorit të parë. The Globe and Mail.com, një agjenci e specializuar për informacionin ekonomik, njoftoi se investitorët qenë zhgënjyer dhe patën vendosur të shesin aksionet e “Bankers”, pasi kompania duket se nuk arriti të realizojë premtimin për rritje të prodhimit me 30 për qind dhe për të nxjerrë nga nëntoka shqiptare 15,500 fuçi në ditë. Problemet e kompanisë sipas kësaj agjencie lidhen me problemet e hasura në një pjesë të puseve horizontale nga kushtet e vështira tektonike.

Pavarësisht mosrealizimit të objektivave të prodhimit, kompania ka vijuar të rrisë volumin e naftës së shitur, si dhe të ardhurat. Rezultati financiar për tremujorin e dytë që u publikua këtë javë, riktheu një pjesë të besimit të investitorëve te bursa e Torontos dhe vlera e aksioneve u rrit në 3.2 dollarë ditën e djeshme. Aksionet e “Bankers” në bursë janë luhatur gjatë vitit të fundit nga minimumi prej 1.37 dollarë në maksimumin prej 5.79 dollarësh.

“Bankers” realizoi 201 milionë dollarë të ardhura gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti me rritje 27 për qind në krahasim me një vit më parë. Kompania thotë se 36 milionë dollarë shkuan për të paguar rentën minerare te qeveria dhe “Albpetrol”, ndërsa gjatë tremujorit të dytë, kostoja e veprimtarisë së kompanisë brenda Shqipërisë qe rreth 34 milionë dollarë.

Nafta shqiptare është e rëndë dhe gjendet në zonë të fragmentarizuar, gjë që sjell rritjen e kostos së nxjerrjes. Burimet ekzistuese të naftës janë shfrytëzuar tashmë prej dekadash dhe janë aktualisht drejt shterimit. Nxjerrja e naftës vijon të mbetet një aktivitet i rëndësishëm dhe përbën aktualisht rreth 2.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Nafta shqiptare eksportohet përgjithësisht për t’u kthyer në rërë bituminoze në disa rafineri të Europës. Ajo shitet aktualisht për rreth 76 dollarë për fuçi. Gj. Erebara

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.