Mark Thompson, nga BBC, tani shef ekzekutiv i “New York Times”

“New York Times Co” ka zgjedhur më në fund një emër të njohur të medias ndërkombëtare si shefin e ri ekzekutiv. Ai është drejtuesi aktual i BBC-së britanike, Mark Thompson. Emërimi i jep fund edhe periudhës 8-mujore, gjatë së cilës kompania mediatike amerikane ka kërkuar një shef të ri ekzekutiv, njeriun që do ta drejtojë gazetën në një periudhë të vështirë, kur pjesa më e madhe e njerëzve i marrin informatat nga produktet mediatike dixhitale

Thompson, 55 vjeç, do të raportojë para bordit të drejtorëve të “New York Times” si dhe shefit të tij, Arthur Sulzberger, duke filluar nga nëntori, që do të jetë edhe muaji i fillimit të punës për të. Vetë shefi i madh, në një e-mail të brendshëm drejtuar stafit, është shprehur: “Bordi ynë, në mënyrë unanime ka dalë në përfundimin se Mark është personi i duhur për të drejtuar ‘New York Times Co’ në këtë moment shumë të veçantë”. Thompson do të drejtojë ndërkohë “New York Times” dhe “Boston Globe”, gjatë një periudhe që po e përball median e shkruar me sfida të paprecedenta.

Detyrën e fundit, Thompson e ka pasur si drejtues i BBC-së, një nga televizionet më të fuqishme në Britaninë e Madhe. Në mars të këtij viti, ai njoftoi se do të largohej nga pozicioni në përfundimin e Lojërave Olimpike, pasi kishte në atë post që nga viti 2004. Thompson drejtoi BBC me tetë kanalet e saj televizive, 50 stacionet radiofonike dhe rrjetin e gjerë online, në një periudhë shumë problematike për kompaninë. Bëhet fjalë për probleme financiare dhe morale njëherazi. Gjatë kësaj kohe, BBC u sulmua nga perandoria mediatike e Rupert Murdoch, si dhe nga ata që nuk ishin dakord për shumën e parave që BBC merrte nga shteti, si dhe mënyrën e përdorimit të këtyre parave. Sipas disave, Thompson është nga ata drejtues që marrin në dorë drejtimin e një mediaje në kohën e krizës dhe ka aftësi që të menaxhojë një organizatë që është në vështirësi. Për sa i përket “New York Times”, ajo është një nga gazetat më të famshme në botë dhe konsiderohet si një lider në biznesin e medias së shkruar. Vitin e kaluar, ajo shpalosi një model të veçantë dhe të suksesshëm për sa i përket produkteve dixhitale që deri më tani i kanë sjellë shumë fitime, lexues dhe abonime. Por nga ana tjetër, kjo është një gazetë që ka dhe shumë probleme që kërkojnë zgjidhje, për të mos folur për largimin e beftë dhjetorin e kaluar të shefes ekzekutive, e cila qëndroi në atë post për 28 vjet, Janet Robinson. Në vendimmarrjen e fundit për Thompson janë të shumtë ata që janë befasuar, duke qenë se shefi i ri vjen nga një mjedis i ndryshëm nga ai i medias së shkruar dhe mbi të gjitha, nga një mjedis tërësisht jashtë “New York Times”. Për sa i përket opinioneve për të, ato ndahen. Disa brenda gazetës besojnë se ai do ta shpëtojë gazetën, të tjerë se ai ka ardhur që ta rrënojë edhe më shumë, pasi është pa përvojë në këtë fushë. Të tjerë e shohin emërimin e tij si një sinjal se tashmë kompania do të ketë një orientim më televiziv dhe mund të çelë edhe një biznes të ri mediatik.

Për sa i përket arritjeve të Thompson në BBC, një prej tyre ishte ajo e mundësisë që i krijoi shikuesve që të ndiqnin edhe programet të cilat nuk kishin pasur mundësi që t’i shihnin në kohën e transmetimit të tyre. Kjo u mundësua përmes zhvillimit të “iPlayer”. Kredoja e tij është se në qendër të një mediaje është “lajmi” dhe ndërkohë ka mbrojtur deri në fund gazetarët dhe gjithë idetë e tyre. Me ardhjen te “New York Times”, Thompson do të jetë shef i një kompanie shumë më të vogël se BBC. Në fakt kjo kompani, dikur ka qenë shumë e shtrirë edhe me gazeta, TV dhe stacione radiofonike, por me kalimin e viteve është tkurrur. Aktualisht ka vetëm disa gazeta, mes të cilave “Herald Tribune” apo “Worcester Telegram & Gazette”.

Për sa i përket Thompson, pjesën më të madhe të karrierës, ai e ka kaluar në BBC. Ai nisi punën në këtë korporatë në vitin 1979, si pjesë e një grupi producentësh dhe më pas pati karrierë edhe në lajme, duke punuar në emisionin e famshëm të BBC “Panorama”. Në vitin 2000 u bë drejtor i TV. Pati një shkëputje 2-vjeçare si shef ekzekutiv i “Channel 4”, për t’u kthyer sërish në BBC në pozicionin e drejtorit të përgjithshëm. Në këtë post erdhi pas dorëheqjes së paraardhësit, i cili u largua për shkak të një skandali në lidhje me një lajm të dhënë gabim për luftën në Irak. BBC-në e mori në një periudhë krize të thellë dhe u përball me detyrën e vështirë të rikthimit të kësaj organizate në kohët e veta të mira. U përqendrua në ruajtjen e paanshmërisë së editorialeve dhe integritetit të tyre, si dhe pavarësisë nga qeveria. Ky ishte një mision i vështirë për drejtuesin e një organizate, paratë për mbajtjen e së cilës vijnë nga qeveria. Drejtimi i BBC nuk ishte pa probleme për Thompson. Ai deklaroi në fillim se organizata kishte një varësi nga të majtët, që më pas, po sipas tij, nuk e pati. Ai është përballur edhe me kritika edhe për sa i përket parave që mori pas largimit nga detyra që ishin 800 mijë paund, edhe pse kjo është një shumë fare e vogël krahasuar me paratë që mori pas largimit paraardhësja e tij në gazetë, Robinson, me 24 milionë dollarë shpërblim. Gjatë periudhës së Thompson-it, BBC u përqendrua shumë te teknologjia dhe shtrirja dixhitale. Ai reduktoi ndjeshëm edhe stafin e kompanisë për të ulur shpenzimet e papërballueshme.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.