Kuvendi miraton zgjedhjen e Artan Zenelit si anëtar të Gjykatës së Lartë

Kuvendi

Votojnë pro 117 deputetë të mazhorancës dhe opozitës. Kundër Braçe e Alibeaj

Parlamenti ka miratuar zgjedhjen e Artan Zenelit si anëtar i Gjykatës së Lartë. I bllokuar për rreth 6 muaj nga Parlamenti, pa ndonjë motiv të qartë, dekreti i ish-presidentit Topi i cili kaloi në Komisionin e Ligjeve ditën e fundit të mandatit të tij presidencial, u miratua me një votë të gjerë në Kuvend. Gjyqtari Zeneli mori 117 vota pro nga të dy kampet. Por ish-ministri demokrat i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe socialisti Erion Braçe nuk ishin pro kësaj kandidature. Ajo që ra në sy gjatë votimit të hapur nominal që drejtohej nga Kryetarja e Kuvendit, ishte mosmarrja pjesë në votim e vetë Jozefina Topallit. Kryeparlamentarja nuk e lexoi fare emrin e saj gjatë procesit të votimit. Por votimi pothuaj konsensual i një anëtari të Gjykatës së Lartë u pasua menjëherë me një retorikë të ashpër mes palëve për reformën në drejtësi. Opozita këmbëngul se bashkë me imunitetin duhet garantuar një ndryshim më i thellë ligjor, ndërsa për demokratët heqja e imunitetit është fundi i alibisë së të majtëve. Në fillim të javës, ka qenë Komisioni i Ligjeve ai që dha ‘ok’ për dekretin e Topit, Zeneli u dekretua nga presidenti në 1 shkurt të këtij viti. Ai ka një karrierë të gjatë në sistemin shqiptar të drejtësisë dhe i përket brezit të juristëve të viteve ’90. Në vitin 2009, Zeneli u zgjodh nga KLD, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, mandati i të cilit është 4-vjeçar.

Kuvendi ka miratuar me 128 vota pro projektligjin për Konferencën Gjyqësore, duke marr votat e të dy palëve. Gjatë seancës, ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, tha se reforma në gjyqësor është thelbi i reformës në drejtësi. Halimi deklaroi se gjatë këtij viti janë miratuar një sërë reformash, si ajo e sistemit të përmbarimit, gjykata administrative etj. Halimi shtoi se shpreson që në shtator të miratohet edhe ligji për funksionimin e Gjykatës së Lartë duke i hapur rrugë kështu edhe implementimit të Gjykatës Administrative. “Të gjitha reformat që kemi premtuar dhe votuar në këtë sallë janë në implementim të plotë të tyre. Dhënia e votës së cilësuar na bën të ndihemi mirë dhe të ecim të sigurt në vazhdim të reformave që po marrin. Do isha i lumtur nëse do shqyrtohej reforma e Gjykatës së Lartë, shpresoj që në ditët e para të sesionit të ardhshëm të ulemi sërish me ekspertët për të diskutuar atë projektligj të rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe implementimin e Gjykatës Administrative”, tha Halimi.

 

Profili

Gjyqtari me përvojë të gjatë

Artan Zeneli cilësohet si një gjyqtar profesional me një ‘background’ të pasur në fushën e jurisprudencës, gjë që duket se ka ndikuar dhe në përzgjedhjen e kandidaturës së tij nga kreu i shtetit. Artan Zeneli ka lindur më 31 tetor të vitit 1968 në Shkodër. Arsimin e lartë e kreu në Tiranë në Fakultetin e Drejtësisë në vitet 1987-1991. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së lartë për një vit deri në 1992 ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Krujës. Më pas nga 1992 e deri në 1999 ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Po në këtë organ për dy vjet nga 1993 deri në 1995 ka qenë numri dy i këtij institucioni. Më pas largohet nga organet gjykuese për të ushtruar profesionin e avokatit ku hap edhe studion ligjore Zeneli& Çeliku. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve deri në 2001 ka qenë pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Më pas në 2002 e në vazhdim anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë Tiranë. Ndërsa në 2005 e në vazhdim anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Më pas në 2007 anëtar i Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit. Ai është aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe konsiderohet si një nga gjyqtarët më profesionistë dhe më me përvojë të pasur në fushën e jurisprudencës.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.