Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Kryesoret

Ish-Presidenti Topi: “Berisha” i sëmurë, të ikë në 2013

Deklarata në “Top Story”: Jam mesfushor. Do të luaj në qendër, majtas e djathtas

BLEDAR HOTI

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se largimi i Berishës nga pushteti është e vetmja rrugë për shpëtimin e demokracisë. Në një intervistë ekskluzive për Sokol Ballën në emisionin “Top Story” në “Top Channel”, Topi ka rrëfyer të ardhmen e tij në politikë. Duke u shprehur në favor të një rotacioni politik, ish-presidenti bëri të ditur se ky pushtet aktual është i sëmurë dhe ka simptomat e regjimit komunist. “Absolutisht po. Fakti që unë kam shumë kritika, kaq të forta për mënyrën e administrimit të pushtetit, një tentativë gati-gati patologjike për të qenë në zotërim edhe të një gjëje më të parëndësishme, ndërkohë që demokracia kërkon një ekuilibër të pushteteve, kërkon një respekt absolut ndaj punës së institucioneve të pavarura, jo kërcënim, anatemim, apo futje hundësh. “Unë po flas fare hapur. Jo rotacion në 2035, por natyrisht në 2013-n”, tha ish-presidenti. Një pushtet që jep këto simptoma, që keqpërdor dhe deformon, apo e falsifikon dhe votën e Presidentit, atëherë për çfarë duhet të kemi besim më”, pyeti retorikisht Topi. Më tej ai theksoi se “në mjekësi këto quhen shenja pantognonike, pra nuk ka nevojë të marrësh shumë simptoma, nëse ajo është e qartë mjeku e vendos diagnozën. Diagnoza është e domosdoshme, e nuk parashikoj qysh e tek, por kur kjo demokraci funksionon dobët, kur hidhen akuza ndaj gazetarëve dhe analistëve, në një klimë të plotë halucinacionesh, kur kontrollohet dhe posti më i thjeshtë në administratën publike, kur në vitin 2012 ende shikohen preferencat politike që ka tjetri, sigurisht që ky pushtet është i sëmurë. Kur një pushtet është i sëmurë, patjetër se ka nevojë të shëndetësohet dhe ai në termin e politikës, është rotacioni politik”. Por cili do të jetë roli i Bamir Topit në politikë? Dhe pse nuk e shpreh hapur se do të jetë në FRD, ai thekson se një gjë të tillë do ta vendosë në fund të muajit gusht apo në fillim të muajit shtator. Javën tjetër ish-presidenti do të ketë një takim zyrtar për të përcaktuar nëse do të përfshihet në këtë parti politike. Por, Topi deklaroi se në politikë do të jetë një mesfushor me tipare sulmuese, por edhe si misionar. “Do jem një mesfushor me tipare sulmuese. Kur je në mesfushës ke mundësi të luash në të gjithë territorin, në qendër, djathtas dhe majtas”, theksoi Topi. Ndërsa ish-presidenti theksoi se tashmë PD-ja nuk i intereson më. “Nuk është më ajo që ne kontribuuam, për të cilën ne shërbyem vlera dhe ishim në simbiozë. S’kam asnjë lloj afilacioni për atë mjedis, tregon se është larg meje. Jo se janë prishur këto lloj raportesh, për të fat të keq aty kam parë se nuk ka zë”, tha ai.

21 janari dhe Gërdeci

Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli dhe për dy ngjarjet më tronditëse gjatë presidencës së tij. Ai theksoi se ato janë 21 janari dhe Gërdeci. Jo, ishte një histori tragjike, e kam thënë edhe në mesazhin e dhënë para dy ditësh në “Top Channel”, një ditë përpara se të largohesha, që institucioni asnjëherë nuk prodhoi konflikt, por tentoi të zgjidhte konfliktet që vinin nga politika dhe 21 janari është produkt i konfliktualitetit politik që nisi me përplasje verbale, jashtë çdo komunikimi qytetar e fyerje publike, deri ku precipitoi në dhunë dhe pati ata të vrarë e të plagosur. Një ngjarje e rëndë dhe e shëmtuar, edhe më e shëmtuar akoma tentativa për të deformuar atë që ndodhi, duke sulmuar institucionet. Megjithatë, është një çështje që ka marrë përgjigje publike, sepse ato lloj halucinacionesh dhe akuzash, patjetër që erdhi koha të shihen që ishin pozicione totalisht politike për të sulmuar të gjithë”, tha ish-presidenti. Sipas tij, të dyja ngjarjet kanë pasur rastet specifike. “Gërdeci, me 26 të vrarë dhe shumë të plagosur, një shkatërrim të bizneseve dhe pronës, me traumën psikologjike kombëtare, ishte një ngjarje që tronditi jo vetëm Presidentin, por mbarë shoqërinë. Ajo që thashë në atë intervistë qëndron, pasi konstatova në mbledhje se informacionet që vinin nga njerëzit në terren ishin të vakëta, njerëz që nuk kishin dijeni dhe ndërkohë të punohet në aksin Tiranë-Durrës, afër Rinasit, përgjegjësia nis me autoritetet etj… Kjo ngjarje u ezaurua nga pikëpamja e përgjegjësive dhe një keqardhje është edhe kohëzgjatja e gjyqit që nuk ka ende një verdikt final që do të qetësonte shpirtërisht viktimat”, tha Topi.

Tradhtia e Berishës dhe përgjimet

Ish-presidenti, deklaroi gjithashtu, se për herë të parë i është propozuar posti i Presidentit nga vetë Berisha në 2007. Ai e pranoi, por se më pas vërejti se lideri i PD-së, po i dredhonte asaj që ai i kishte premtuar. Ai shprehu pakënaqësi dhe për faktin se mori në qeveri njerëz të majtë si Xhuveli, në një kohë që e djathta nuk kishte nevojë për aleanca të tilla me partitë e majta. Kjo sipas Topit ishte dhe krisja apo dhe shija e hidhur me Berishën, që solli më pas dhe mospranimin e ofertave për postet ministrore. Topi i mëshoi shumë faktit alarmues të lëshuar nga opozita për përgjimet nga qeveria dhe kërkoi që socialistët t’i shkojnë deri në fund qëndrimit të tyre për të hetuar mbi Ministrinë e Mbrojtjes. Për emërimet e reja në institucionet e pavarura, Topi e kontestoi qëndrimin e Nishanit. “Në rastin e kryeprokurorit, sipas Kushtetutës, është Presidenti që i jep Parlamentit një emër që duhet të marrë pëlqimin e Parlamentit për t’u bërë kryeprokuror, ndërsa te SHISH-i propozon Kryeministri dhe dekretohet nga Presidenti. Nuk është një procedurë e karakterit formal, por një procedurë e rëndësishme, për t’i dhënë kredibilitet institucioneve të shtetit ligjor dhe atyre të pavarura. Prandaj ky relacion nuk është formal, por edhe mund të bëhet i tillë. Kjo do të varet nga raporti që vetë Presidenti do të vendosë me Parlamentin dhe qeverinë”, tha ai.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore