Shkurtohen investimet, rriten borxhet

75 Për qind: Krahasuar me vjet, realizimi i të ardhurave në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ishte në masën 75 për qind

 83 Mln USD: Këtë vit qeveria ka investuar 83 milionë dollarë më pak sesa në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar

 





Qeveria është detyruar të shtrëngojë buxhetin për të mbajtur nën kontroll deficitin e rritur përtej çdo parashikimi në muajt e parë të vitit. Të dhënat e fundit zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se në qershor investimet publike ranë në 1.9 miliardë lekë, që është edhe shifra më e ulët mujore e këtij viti. Në total për gjashtëmujorin investimet publike ishin sipas të dhënave zyrtare 23.9 miliardë, ose 25 për qind më të ulëta sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. E thënë në vlerë, këtë vit qeveria ka investuar 83 milionë dollarë më pak sesa gjashtëmujori i parë i vitit të kaluar. Shkurtim i fortë i investimeve, që janë ndër të paktat shpenzime produktive të qeverisë, pasi krijojnë punësim dhe nxisin rritjen ekonomike, po diktohet nga ecuria e dobët e të ardhurave. Sipas të dhënave zyrtare, në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhurat nga taksat dhe burimet e tjera financiare ishin 91 milionë dollarë më pak nga plani. Kjo ka bërë që deficiti i buxhetit, diferenca mes shpenzimeve të qeverisë dhe të ardhurave që ajo mbledh, të kërcejë në gjysmën e parë të vitit, 178 për qind mbi planin zyrtar, duke e detyruar Ministrinë e Financave të rrisë borxhin e shtrenjtë në tregun e brendshëm për ta financuar atë. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, qeveria mori në tregun e brendshëm 146 milionë dollarë borxh në tregun vendas, ose 3.6 herë më shumë se parashikimi zyrtar në buxhet. Të dhënat e gjashtëmujorit tregojnë se financat publike kanë devijuar nga plani ligjor i fillimvitit dhe tani fati i buxhetit është i lidhur me disa privatizime të lajmëruara, që qeveria shpreson t’i bëjë në muajt e ardhshëm. Vetë kryeministri njoftoi se vendimi përfundimtar për të ndërhyrë apo jo në buxhet do të merret në shtator, kur pritet që të zhvillohen edhe ankandet e shitjes së katër hidrocentraleve dhe kompanisë “Albpetrol”, të ardhurat e të cilave do ta lehtësonin përkohësisht buxhetin. Shtyrja e financave publike, që nisi në vitin 2009, kur ekonomia u përball me efektet e para të krizës, e ka ndryshuar tashmë skemën e përdorimit të të ardhurave nga privatizimet. Ndryshe nga disa vjet më parë, kur ato përdoreshin për të rritur investimet publike dhe për të ulur borxhin e qeverisë, dy vitet e fundit çdo e ardhur që merret nga shitja e pronës publike po shkon për të kompensuar mosrealizimet në mbledhjen e taksave dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor.

tch





Comments are closed.