Spanja, në prag të falimentimit, shpëtoi nga ndërhyrja e BQE-së

Vendi i zhytur në krizë, po paguan interesa rekord për huatë e marra

“Për momentin kemi shpëtuar, sepse Banka Qendrore Europiane bleu obligacionet tona”, deklaroi ministri i Financave, Cristobal Montoro, teksa foli përpara Parlamentit në Madrid. Spanja nuk ka para në xhep për të paguar shërbimet publike dhe nëse Banka Qendrore Europiane nuk do të kishte blerë obligacionet, vendi do të kishte falimentuar”. Për politikanin spanjoll, vendi po jeton një recesion të ri, pas vitit 2009, dhe duhet të përballet me vështirësitë e mëdha për shkak të papunësisë së lartë dhe borxhit publik. Megjithatë, ministri mbrojti planin për masat e shkurtimeve të propozuara nga qeveria e tij. Ai saktësoi se Spanja duhet të dalë nga kriza që e ka mbërthyer Eurozonën dhe madje, vetë Bashkimin Europian. Spanja e mbytur në borxhe mori dje një hua të re prej 2,98 miliardë eurosh në tregje, duke paguar interesa rekord, pothuajse në normën limit të konsideruar si brenda mundësive të pagimit prej ekspertëve. Interesi në letrat spanjolle me vlerë, me afat maturimi 5-vjeçar, u rrit në 6,46%, nga 6,07% në blerjen e fundit të borxhit, një muaj më parë. Rritje drastike pësuan edhe interesat për bonot e thesarit me afat maturimi 7-vjeçar, që u rritën në 6,7%, nga 4,83% herën e fundit. “Spanja arriti të merrte borxhin për të cilin kishte nevojë, por ky është i vetmi lajm i mirë nga transaksionet e ditës së sotme (djeshme)”, thanë ekspertët. Shtrenjtimi i interesave për kredinë spanjolle është ndikuar nga disa faktorë, që përfshijnë humbjen e besimit në aftësinë e Madridit për të dalë shpejt nga kriza, mungesën e një veprimi të përbashkët nga vendet e Eurozonës dhe frikën për përshkallëzimin e krizës brenda zonës së monedhës së përbashkët europiane. Ndërkohë që Spanja, Italia dhe vende të tjera europiane vuajnë nga rritja e përqindjeve të interesit, vendeve të tjera sikur u hidhen këto para, vetëm që ato t’i marrin. Kjo është një ndarje e paralajmëruar e Eurozonës, thonë ekspertët. “Tregjet financiare e ndajnë Eurozonën, sepse mendojnë se ajo nuk funksionon. Për ministrin gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, Spanja, për shkak të nervozizmit ekstrem të tregjeve, nuk është në gjendje të administrojë e vetme vështirësitë e sektorit të saj bankar, të vendosura në rrezik nga flluska imobiliare. “Kanë nisur të shfaqen dyshime për kapacitetin e shtetit spanjoll për të zgjidhur problemet e bankave, pa vënë në rrezik financat publike. Kjo mund të çojë në pasoja të rënda që mund të shtrihen në gjithë Eurozonën. Kështu, problemet e Spanjës do të jenë problem kryesor për stabilitetin financiar të Eurozonës”, tha ai. Parlamenti i Gjermanisë miratoi me shumicë votash dhënien e një pakoje ndihmëse prej 100 miliardë eurosh për sistemin bankar të Spanjës. Ligjvënësit votuan me 473 vota pro dhe 97 kundër paketën, të cilën ministri i Financave, Wolfgang Shojble, e cilësoi si esenciale për mbajtjen e stabilitetit në Eurozonën 17 anëtarëshe. Për ofrimin e kësaj pakoje ndihmëse, abstenuan 13 ligjvënës gjermanë. Në vitet e fundit, Spanja është zhytur në një krizë financiare, derisa papunësia në këtë vend përllogaritet të jetë diku 25 për qind.

 

 

Falimentimi

Spanja nuk ka para në xhep për të paguar shërbimet publike dhe nëse Banka Qendrore Europiane nuk do të kishte blerë obligacionet, vendi do të kishte falimentuar

 

Problemet

Për politikanin spanjoll, vendi po jeton një recesion të ri, pas vitit 2009 dhe duhet të përballet me vështirësitë e mëdha për shkak të papunësisë së lartë dhe borxhit publik

 

Ndihma

Parlamenti i Gjermanisë miratoi me shumicë votash dhënien e një pakoje ndihmëse prej 100 miliardë eurosh për sistemin bankar të Spanjës. Ligjvënësit votuan me 473 vota pro dhe 97 kundër

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.