Spanjë, populli në protestë Bashkohen me civilët edhe policët

Në prag të valës së re të shkurtimit të shpenzimeve nga qeveria

Spanja pritet që të miratojë një reduktim shumë të madh të buxhetit të saj, më të madhin këto 30 vitet e fundit, përfshi edhe një raund të dytë të shkurtimit të rrogave tek nëpunësit civilë

Njerëzit hidhnin parulla të tilla si: ”Reduktime për bankierët, jo për njerëzit” dhe protesta është zhvilluar e gjatë para ministrive dhe godinave publike

Ajo që është vënë re, është edhe fakti se një grup policësh dje ndërmorën një hap jo të zakonshëm, që më parë nuk mund të mendohej që të ndodhte, atë të bashkimit me protestuesit

Spanja po përjeton ditë dyfish të nxehta këtë mes korriku. Veç motit tejet djegës, janë shtuar temperaturat e revoltës së njerëzve kundër masave të reja shtrënguese që parashikohet të ndërmarrë qeveria në kushtet e krizës së madhe bankare.

Dje, punonjësit spanjollë kanë bllokuar rrugët dhe një pjesë të rrugëve hekurudhore në Madrid, në shenjë proteste kundër masave të sipërpërmendura, që sipas tyre “dënojnë me vuajtje të madhe ekonomike njerëzit e thjeshtë dhe nuk prekin ende xhepat e politikanëve dhe bankierëve, të cilët janë shkaktarët kryesorë të krizës”.

Spanja pritet që të miratojë një reduktim shumë të madh të buxhetit të saj, më të madhin këto 30 vitet e fundit, përfshi dhe një raund të dytë të shkurtimit të rrogave tek nëpunësit civilë. Trafiku është bllokuar në qendër të Madridit për orë të tëra, ndërsa mijëra punonjës publikë kishin veshur bluza, të cilat ose ishin tërësisht të zeza në mbështetje të grevistëve minatorë, ose të gjelbra në mbështetje të mësuesve. Njerëzit hidhnin parulla të tilla si: ”Reduktime për bankierët, jo për njerëzit” dhe protesta është zhvilluar e gjatë para ministrive dhe godinave publike. Punëtorët e hekurudhave shtetërore kanë bllokuar hekurudhat që nga mëngjesi e deri në orët e vona të drekës, duke premtuar edhe ndalime e bllokime të tilla të tjera gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që punonjësit e TV publik ‘TeleMadrid’ kanë bllokuar me demonstratën e tyre një autostradë jashtë qytetit. “Nëpunësit civilë e toleruan raundin e parë të shkurtimeve të pagave dhe rritjes së taksave që u ndërmorën nga qeveria spanjolle pak kohë më parë, por ky është kulmi”, – deklaron një infermiere 41-vjeçare, e cila vazhdon se, nuk duhet të jenë njerëzit e thjeshtë gjithmonë ata që paguajnë çmimin. Kryeministri i vendit, Mariano Rajoy i bëri publike masat e reja të shtrëngimeve financiare pak ditë më parë dhe deklaroi se do të ndërmerreshin në këmbim të paketës së ndihmës prej 65 miliardë eurosh, që do t’i jepen vendit për të shpëtuar nga barra e madhe e deficitit publik dhe e borxheve bankare, të cilat e kanë çuar shtetin në prag të kolapsit. Por Spanja ndodhet me të vërtetë në një situatë shumë të vështirë, sepse këto shkurtime do ta përkeqësojnë situatën e recesionit dhe të papunësisë që ka kapur maja jashtëzakonisht të larta. Ndërkohë, ajo që është vënë re është edhe fakti se një grup policësh dje ndërmorën një hap jo të zakonshëm, që më parë nuk mund të mendohej që të ndodhte, atë të bashkimit me protestuesit. Ndërkohë, protestues të tjerë të shumtë janë grumbulluar dje dhe para pallatit presidencial, ku ndodhen ministrat e qeverisë, të cilët në atë orë ishin mbledhur për të aprovuar plan-buxhetin e ri.

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.