Spanjë: Kryeministri paraqet masat e reja të kursimit

Përplasje në Madrid mes policisë dhe protestuesve. 23 të plagosur

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, ka paraqitur masat e reja të kursimit, nga të cilat shpreson të kursejë 65 miliardë euro brenda dy viteve të ardhshme. Ndër këto masa përfshihet heqja e pagës së trembëdhjetë për vitin 2012 e parlamentarëve, nëpunësve civilë dhe punëtorëve të tjerë të administratës publike. Po ashtu, nëpunësit publikë do të kenë më pak ditë pushimi dhe lejet e sindikatave do të reduktohen. Numri i këshilltarëve të enteve lokale do të zbresë në 30%. Rajoy njoftoi rritjen e TVSH-së me 3% pjesë e masave antikrizë, që vendi duhet të marrë për reduktimin e deficitit buxhetor. Ai tha gjithashtu se taksa e shitjeve do të rritet me 21% e do të ketë edhe një ulje prej 3,5 miliardë eurosh në buxhetet e autoritetit lokal. “Gabimet e së kaluarës ne po i paguajmë tani. Për të tretin vit radhazi vendi ndodhet në një situatë ekonomike që kurrë më parë nuk e ka provuar, ndërsa papunësia në vend është në nivele alarmante. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të dalë nga kjo gjendje”, tha Kryeministri. Masat janë të domosdoshme për uljen e deficitit buxhetor, në këmbim të paketës prej 100 miliardë eurosh për rikapitalizimin e bankave. Vetëm dy ditë më parë u miratua kësti i parë prej 30 milionë eurosh, ndërsa liderët e BE-së kanë nevojë të shohin plane konkrete shkurtimesh buxhetore.

“Jetojmë në një moment shumë thelbësor, që do të vendosë të ardhmen tonë dhe atë të fëmijëve tanë. Duhet të dalim nga kjo agoni. Dhe këtë duhet ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk kemi hapësirë për fantazi apo improvizime, sepse nuk kemi zgjedhje tjetër”, përfundoi ai. Plani i ri i kursimeve u përshëndet edhe nga liderët e Europës. “Masat e reja për reduktimin e deficitit buxhetor janë një hap i rëndësishëm. Po ashtu, e rëndësishme është të respektosh objektivat”, komentoi zëdhënësi i Komisionit Europian, Olli Rehn. Ndërkaq masat erdhën në të njëjtën ditë kur Madridi u përfshi nga protesta të dhunshme. Të paktën 23 persona kanë mbetur të plagosur nga përleshja me policinë. Mijëra njerëz iu bashkuan protestës së qindra minatorëve spanjollë që mbërritën në Madrid për të protestuar ndaj shkurtimit të subvencioneve dhe mbylljes së paralajmëruar të minierave të qymyrit. Policia ka përdorur plumbat e gomës ndaj protestuesve, që më parë kishin goditur policinë me gurë dhe shishe. “Është goditur me plumba gome kundrejt protestuesve që kishin goditur policinë me gurë”, raportojnë mediat ndërkombëtare. Përleshja ka zgjatur rreth një orë. Shërbimi mjekësor lokal ka informuar se mes të plagosurve janë 12 minatorë, 6 policë dhe pesë pjesëmarrës në marshim. Situata u tensionua në veçanti në zonën Paseo de la Castellana, arteria e madhe që ndan qendrën e Madridit, ku ndodhet edhe Ministria e Industrisë.

Taksat – Rajoy njoftoi rritjen e TVSH-së me 3% pjesë e masave antikrizë, që vendi duhet të marrë për reduktimin e deficitit buxhetor. Ai tha gjithashtu se taksa e shitjeve do të rritet me 21%

 

Gabimet – Për të tretin vit radhazi, vendi ndodhet në një situatë ekonomike që kurrë më parë nuk e ka provuar, ndërsa papunësia është në nivele alarmante

Protestat – Ndërkaq, masat erdhën në të njëjtën ditë kur Madridi u përfshi nga protesta të dhunshme. Të paktën 23 persona kanë mbetur të plagosur nga përleshja me policinë

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.