Spanja merr këstin e parë për shpëtimin e bankave

Eurogrupi uli për herë të dytë edhe objektivat e saj në lidhje me deficitin për vitin 2012

Ministrat e Financave të eurozonës ranë dakord, pas më shumë se 9 orë bisedimesh, për t’i dhënë Spanjës këstin e parë të huas prej 30 miliardë eurosh për të ndihmuar bankat e saj që ndodhen në vështirësi. Ky do të jetë kësti i parë i paketës prej 100 miliardë eurosh, për të cilën ishte rënë dakord një muaj më parë, kur Spanja kishte kërkuar ndihmë për rikapitalizimin e bankave të saj. Ministrave do t’u duhet të marrin aprovimin e parlamenteve përkatëse dhe shpresojnë se pagesa do të bëhet në fund të korrikut. “Ne shpresojmë shumë që të gjitha proceduarat të kenë përfunduar në fund të këtij muaji. Duhet të marrim parasysh edhe votimet në parlamentet vendase”, tha kreu i eurogrupit, Juncke.

Ndërkaq, ministrat e Financës ranë gjithashtu dakord për të zgjatur afatin e parashikuar për në vitin 2013, që Spanja të shkurtojë deficitin e saj buxhetor në kufirin 3 për qind, të caktuar nga BE-ja. Ministrat e Financave të eurozonës ulën kështu për herë të dytë objektivat në lidhje me deficitin për vitin 2012. Nën trysninë e tregjeve financiare, BE-ja dëshiron ta ndihmojë Spanjën edhe një herë. Sipas diplomatëve të BE-së, ministrat e Financave i lejojnë ekonomisë së katërt më të madhe në zonën e euros një deficit shumë më të lartë buxhetor për këtë vit nga sa ishte planifikuar më parë. Sipas njoftimeve në prag të takimit të ministrave të Financave të BE-së, minusi i Spanjës mund të lejohet të shkojë deri në 6.3 për qind në vend të 5.3 për qind, sikurse ishte rënë dakord më parë. Kjo është ulja e dytë e objektivave në lidhje me deficitin për vitin 2012, që ndërmerret brenda disa muajsh. Qeverisë spanjolle do t’i lihet sipas diplomatëve edhe një vit më tepër kohë, pra deri në vitin 2014, për të arritur objektivin prej tre për qind të Produktit të Brendshëm Bruto si nivelin maksimal më të lartë, i cili vlen për të gjitha vendet e BE-së. Sipas diplomatëve, vitin e ardhshëm Spanjës do t’i lejohet një deficit buxhetor prej 4.5 për qind. Në vitin 2014, ky deficit pritet të bjerë në 2.8 për qind.

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, mendon se vendet e mbytura në borxhe të Europës Jugore duhet të vazhdojnë kursin e masave të rrepta të kursimit, me gjithë kundërshtimin dhe tensionin në rritje në radhët e popullsisë. “Pikëpamja ime është se programet e kursimit duhet të vazhdojnë”, tha Draghi.

Programi i Spanjës që ka përgatitur ministri spanjoll i Financave, Luis de Guindos, përbëhet nga kursime dhe rritje të nivelit të taksave. Me këtë program, qeveria spanjolle synon të kursejë 30 miliardë euro. Vetëm për këtë vit, prej këtyre masave pritet një kursim prej rreth 10 miliardë eurosh.

Edhe ministri grek i Financave, Janis Sturnaras, i cili konsiderohet si bashkëpërgjegjës për zbukurimin e gjendjes financiare të Greqisë, në kohën kur ishte fjala për t’u anëtarësuar në eurozonë, shpreson që në funksionin e tij të ri të arrijë lehtësime sa u përket kursimeve. Në Greqi të gjithë e presin diçka të tillë.

 

Marrëveshja – Ministrat e Financave të eurozonës ranë dakord, pas më shumë se 9 orë bisedimesh, për t’i dhënë Spanjës këstin e parë të huas prej 30 miliardë eurosh për të ndihmuar bankat

Afati – Ndërkaq, ministrat e Financës ranë gjithashtu dakord për të zgjatur afatin e parashikuar për në vitin 2013, që Spanja të shkurtojë deficitin e saj buxhetor në kufirin 3 për qind

Greqia – Edhe ministri grek i Financave, Janis Sturnaras, shpreson që në funksionin e tij të ri të arrijë lehtësime sa u përket kursimeve. Presioni ndaj qeverisë për kursin e kursimeve është i lartë

©Copyright Gazeta SHQIP


Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.