“Në emër të Maries kundër gjakmarrjes dhe ngujimit!”

Aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë të Shkodrës, tubuan për të ngritur zërin kundër këtij krimi

Mamurras – Më 5 qershor të këtij viti, dy vëllezër vranë një 9- vjeçar dhe familja e tyre u ngujua brenda

Pukë – Më 29 qershor u vranë dy veta dhe u plagosën tre, duke sjellë një tjetër rast gjakmarrjeje

Dukagjin – Më 13 qershor, gjatë një atentati për gjakmarrje mbeti e vrarë Marie Cuku dhe gjyshi i saj

Rubik – Më 9 qershor, po për gjakmarrje u vra Nik Tuci, pasi vëllai kishte vrarë një David Përlalën

Marie Qukaj - vajza 17 vjece
Marie Qukaj – vajza 17 vjece

“Në emër të Maries kundër gjakmarrjes dhe ngujimit!” Me këtë moto u bashkuan në Shkodër qindra qytetarë në një marshim homazh në emër të vajzës 17-vjeçare të vrarë për gjakmarrje, portreti i së cilës është shndërruar tashmë në një simbol qytetar kundër këtij krimi barbar. Aktivistë të shoqërisë civile, qytetarë të Shkodrës, misionarë të shoqatave fetare, studentë dhe intelektualë u bashkuan për të ngritur zërin kundër këtij krimi. “Jemi këtu sot në emër të Maries, t’i themi ndal ngujimit, në emër të Maries t’i themi shtetit, ngri grushtin e fortë të ligjit kundër këtij krimi, në emër të Maries t’u themi njerëzve që të mos ndihen të qetë në shtëpitë e tyre, kur ka fëmijë që vuajnë nga ngujimi, në emër të Maries t’u themi të gjithë anëtarëve të shoqërisë shqiptare që të tregojnë qytetarinë e tyre dhe të revoltohen ndaj padrejtësive që u bëhen të tjerëve”, tha në fjalën e mbajtur, Mentor Kikia nga shoqëria civile. Tubuesit mbanin në duar qindra tullumbace, mbi të cilat shkruheshin shkrime kundër gjakmarrjes dhe ngujimit. Tullumbacja e parë u lëshua nga një fëmijë, familja e të cilit vuan nga ky fenomen. “Unë u bëj thirrje të gjithë fëmijëve, të rriturve, ndaleni gjakmarrjen! Kanuni duhet të shkatërrohet! Po lëshoj tullumbacen e parë e u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, ndalni gjakmarrjen!”. Pasi firmosën një baner kundër gjakmarrjes dhe ngujimit, tubuesit marshuan me qirinj dhe me portretin e Maries në duar përgjatë rrugës pedonale, për të ndalur marshimin pranë skenës, ku fëmijët po përgatiteshin për të filluar Festivalin e Këngës. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, në Qarkun e Shkodrës janë 48 familje të ngujuara me 116 persona, nga të cilët, 21 janë fëmijë. Nga ana tjetër, vrasja e djeshme është e dyta brenda një muaji, që ndodh për gjakmarrje, ndërsa dy raste të reja gjakmarrjeje u krijuan këtë kohë në Mamurras dhe në Pukë.

 

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.