Triumfi i Spanjës: Ekipi më i mirë i të gjitha kohërave

Shtypi 

Gazetat ndërkombëtare nderojnë futbollin djemve të Del Boskes

Për italianët zhgënjim dhe lot, ndërsa në Spanjë vetëm gëzim. Rrjedhë logjike pas finales së Kievit. Shtypi spanjoll (jo vetëm ai sportiv) celebron fitoren e titullit të tretë dhe “tripletën historike” me tone triumfale. Faqja e parë e “Sport” thekson “Tricampeones”. “AS” shkon më larg: “Kampionë. Skuadra më e mirë e historisë”, sepse Spanja është e vetmja që vuri duart në dy tituj Europianë dhe një Botëror në harkun e 4 viteve. Prandaj, për “Marca”-n është thjesht “Spanja dhe askush tjetër”. “El Mundo Deportivo” zgjedh një fjalë elokuente “historike” me germa të mëdha. Imazhi i Kasijas që ngre kupën, dominon edhe faqen e “El Pais”: “Spanja fiton koronën e trefishtë”.

Fitore e madhe — Por nuk limitohen me festën e “tripletës” dhe rekordin e titujve europianë (3 sa Gjermania). Theksojnë gjithashtu edhe fitoren me goleadë të një skuadre që, sipas “Marca”-s, “ka hyrë në legjendë”. Ndërsa “AS” celebron fitoren ndaj Italisë si “paraqitja më e mirë në historinë e finaleve”. “Spanja turpëron Italinë me një futboll të bukur”, shkruhet në faqen e parë, ndërsa analizat e brendshme rrisin dozën: “Fitore totale, shkatërruese. Spanja shqyen axurrët me një stil loje thjesht të paimitueshëm”. Në kolonat e “AS”, vetëm një varg elozhesh për një skuadër “të pjekur, me një shumëllojshmëri të tmerrshme burimesh, e shkëlqyer, faktikisht e zgjuar, plot talente dhe, mbi të gjitha, e mallkuar për të fituar”.

Heronjtë — Nëse katalanasja “Sport” nënvizon “ekzibicionin Made in Barça”, heronjtë e “tripletës” janë “San Kasiljas” që ka thyer rekordin e pathyeshmërisë së Zof (nga 494 minutë në 510), “i mbinatyrshmi Iniesta”, i zgjedhur lojtari më i mirë dhe tashmë kandidati kryesor për “Topin e Artë”, deri te “El Nino” Torres, “golashënuesi” me 3 gola. Rrebesh elozhesh edhe për Ksavin, “arkitektin e vërtetë të një vepre arti, një lojtar legjendar, që numëron 23 tituj personalë në karrierë”. Merita i jepen skuadrës së Del Boskes, “një gjeneratë fenomenesh, që kanë demonstruar se janë një utopi edhe për kombëtaren e revolucionarizuar të Prandelit, më ofensiven që është parë ndonjëherë”, sipas “Marca”-s.

Shtypi francez — Në Francë “L’Equipe” titullon faqen e parë me një “Gracias”. E përditshmja sportive falënderon kështu mitin e futbollit spanjoll, futbollit kolektiv që dominon botën, duke tronditur Italinë. Një moment historik, i cili nuk të mërzit kurrë. “Le Parisien” i bën homazh “skuadrës më të bukur të historisë”, që ka ofruar një shou, duke shkatërruar Italinë. Ndërsa për “Le Figaro”, Italia thjesht përfundoi në “centrifugën” spanjolle.

Shtypi gjerman — Në shtypin gjerman, “Bild” titullon: “Lumturi! Spanja fiton finalen e tiki takas”. “B.Z.”: “Tripleta! Spanja i gëzohet festës së titujve; “Die Welt”: “Mrekullia e futbollit”; “F.A.Z.”: “Magji Spanjolle”; “T.Z.”: “Campeones”; Pak më e komplikuar “Süddeutsche Zeitung”: “Aller gute dinge”, që fillon me një proverb, që do të thotë “Gjithë gjërat e mira janë tre”.

Shtypi anglez — “It’s Spain Again!”, titullon “Daily Star”, që pasohet nga “Sun” me “Threeva Espana!” për të treguar triumfin e trefishtë spanjoll. “Mirror” e përmbledh gjithçka në “outstanding” (të mrekullueshëm) që shtjellohet me “lojtarët që çuan futbollin në një dimension tjetër, ku klasi i Andrea Pirlo dhe zemra e shokëve të tij nuk vlenin fare”. “Telegraph” kapet me Balotelin, “që në finale, bëri atë që bën shpesh: të transformohet nga “Super Mario” në “Stupid Mario”. Gjithçka sepse dëshironte të qëndronte në fushë edhe pas fërshëllimës finale.

 

 

Detaji i fotos së vogël

“Marca” & “AS” – Sipas “Marca”-s, “Spanja ka hyrë në legjendë”. “AS” celebron fitoren ndaj Italisë, si “paraqitja më e mirë në historinë e finaleve”

Francë – “L’Equipe” titullon “Gracias”. Ajo falënderon kështu mitin e futbollit spanjoll, futbollin kolektiv që dominon botën, duke tronditur Italinë

Gjermani – Në shtypin gjerman, “Bild” titullon: “Lumturi! Spanja fiton finalen e tiki takas”. Ndërsa “Die Welt”: “Mrekullia e futbollit”

Angli – “Lojtarët spanjollë kanë çuar futbollin në një dimension tjetër, ku klasi i Andrea Pirlos dhe zemra e shokëve të tij nuk vlenin fare”

 

Komentet

Të përditshmet  – Gazetat iberike celebrojnë triumfin e Kievit, duke lartësuar “goleadën historike” kundër Italisë. “Spanja turpëron Italinë dhe hyn në histori”

Botërori 2014 – Ajo që është me të vërtetë sensacionale, ka të bëjë me faktin se Spanja shikon drejt Brazil 2014 dhe kush mund të thotë që nuk mund ta fitojë

Loja – Loja e saj nuk ka asgjë për t’i pasur zili Brazilit të ’70-s, teknikisht kalon Holandën e Krujfit dhe është më efikase se Gjermania e Bekenbauer

 

Vitrina

3 trofe – Spanja aktuale është kombëtarja më e mirë e historisë. Asnjë tjetër si ajo, asnjë nuk ka fituar radhazi dy Europianë dhe një Kupë Bote

Del Boske – Del Boske bëhet trajneri më fitues në botë, pasi tani ka gjithçka në vitrinën e tij: Europianin, Botërorin, Champions-in e Kupën Interkontinentale

233 trofe – Pas triumfit në finale nr. 23, djemtë e Del Boskes numërojnë në total 233 trofe të fituar. Po, e keni kuptuar mirë, nuk është gabim, 233 trofe të fituar

 

Statistikat

Të mëdhenjtë e historisë, faktet flasin për Spanjën

Rekordi spanjoll konfirmohet edhe nga statistikat: Spanja është një legjendë, legjenda është realitet. Bashkë me titullin në Euro 2012, Spanja e Visente Del Boske ka fituar pavdekësinë në histori. Ka nga ata që preferojnë Brazilin atraktiv të viteve ‘70 me mbretin Pele, ka nga ata që votojnë për Gjermaninë efikase të Bekenbauer, ka madje edhe nga ata që më e mira është Franca e Zinedin Zidane. Çështje gustosh. Për ata që u referohen fakteve nuk ka dyshime. Spanja aktuale është kombëtarja më e mirë e historisë. Asnjë tjetër si ajo, asnjë nuk ka fituar radhazi dy Europianë dhe një Kupë Bote. Nuk është e mundur të krahasohen dy skuadra të epokave të ndryshme, dhe aq më pak mund të ekzaminohet me saktësi nëse një futbollist në aktivitet është më i mirë apo më legjendar se një tjetër që ka luajtur 40 vjet më parë. Debat i vështirë për t’u zgjidhur. Gjithsesi pak mund të imagjinojnë një kombëtare që ka fituar më shumë se “La Roha”. Tre titujt me Aragones në 2008-n, me më pas me Del Bosquen në Afrikën e Jugut dhe së fundmi në Kiev, e bëjnë Spanjën një kombëtare të pakrahasueshme me asnjë tjetër. Gjermania e Bekenbauer apo Franca e Zidane ishin një hap larg shpërthimit të të kuqve, por nuk arritën “tris”-in absolut të suksesit. Diskutimi ka shpërthyer në rrjetet sociale, në “Twitter”. Një sondazh i kryer nga FIFA jep rezultate shumë domethënëse, mbi 70 për qind e të anketuarve shikon Spanjën si kombëtaren më të mirë të të gjitha kohërave. Loja e saj nuk ka asgjë për t’i pasur zili Brazilit të viteve ’70, për sa i përket estetikës, teknikisht kalon Holandën e Krujfit dhe është më efikase se Gjermania e Bekenbauer. Dhe ajo që është me të vërtetë sensacionale, tani shikon drejt Brazil 2014 dhe kush mund të thotë që nuk mund ta fitojë, pavarësisht ndonjë largimi të kushtëzuar nga mosha. Në këtë Europian erdhën pa dy lojtarë të rëndësishëm, si Vija e Pujol. Del Boske adaptoi Fabregas si qendërsulmues, duke e ruajtur tendencën e zotërimit të topit. Loja kalon shpesh në qendër, përjashto kur hyjnë Pedro apo Navas. Ksavi ndonjëherë dukej dhe i lodhur. Kundër Kroacisë ishte deciziv Kasijas, njeriu i 100 fitoreve në 137 prezenca me kombëtaren. Italia fillimisht kishte luajtur si e barabartë përballë tyre, para se “La Roha” të mposhte 2-0 në çerekfinale një Francë modeste dhe të përzinte rrezikun e Kristiano Ronaldos, duke eliminuar Portugalinë me 11 metërsha. Spanja e mundur për t’u mposhtur? Kështu thuhej para finales së Kievit. Verdikti i fushës ishte i pamëshirshëm për Italinë, pas dy golave të parë të mrekullueshëm. Finalja në dishezë pas dëmtimit të Tiago Motas. Italia u detyrua të gjunjëzohet para një skuadre legjendare. Dhe për të paktën njëherë njerëzit e mediave nuk po abuzojnë me këtë perifrazim. Pas triumfit në finale, 23 të grumbulluarit e Del Boskes numërojnë në total 233 trofe të fituar. Po e keni kuptuar mirë, nuk është gabim, 233 trofe të fituar. Ndërsa Del Boske bëhet trajneri më fitues në botë. Thuajse të shqetëson me normalitetin e tij. Për mënyrën se si qëndron i qetë, mbi peshë dhe i ulur, si para një banaku. Por ai ka fituar gjithçka: Europianin, Botërorin, Champions League e Kupën Interkontinentale. Maksimumin.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.