PS: Kreu i KQZ-së të zgjidhet ngjashëm me Presidentin e Republikës

Teknologji – PS ndërkohë ka propozuar që teknologjia e numërimit të zbatohet projekt pjesor, jo më pak se 10 për qind të zgjedhësve

Kartat ID – Procedurat e verifikimit në QV të jenë offline dhe të zbatohen në QV e njësive vendore me mbi 20 mijë zgjedhës (pra qendrat urbane)

Mostërheqja – Ajo për të cilën nuk heq dorë Partia Socialiste është kërkesa për marrjen e provave nga dy anëtarët e KQZ-së

12 korriku – Afati final i përfundimit të reformës zgjedhore është 12 korriku. Komisioni duhet të mbyllë çështjet e pazgjidhura

Çuci depoziton amendamentet. Gjiknuri, të hapur për korrektim kombëtar

BLEDAR HOTI

Partia Socialiste depoziton zyrtarisht draftin e saj me tre kapituj, që kanë të bëjnë me ato të votimit, numërimit, administratës zgjedhore dhe ankimin në KQZ. Ashtu siç kishte premtuar PS-ja, eksperti socialist i komisionit të reformës depozitoi amendamentet në Kryesinë e Kuvendit. Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, PS-ja ka rikthyer idenë që kreun e KQZ-së të kenë të drejtën ta propozojnë një grup institucionesh të rëndësishme të pavarura të shtetit si Avokati i Popullit, KLD, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, Kreu i Gjykatës së Lartë si dhe organizata të njohura për veprimtarinë zgjedhore.

Drafti

“Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetar i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, sipas nenit 14 të këtij Kodi, sipas procedurës së mëposhtme: “a) Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë, KLD, dhe të paktën 4 organizata të shoqërisë civile që kanë përvojë më shumë se 5 vjet në fushën e zgjedhjeve, i paraqesin Kuvendit të paktën dy kandidatë. Njoftimi për vendin bosh bëhet jo më vonë se 30 ditë nga afati i përcaktuar në nenin 19 të Kodit”, thuhet në propozimin e PS-së për nenin 15 të Kodit. Më pas përcaktohet se “b) Grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e ardhura sipas shkronjës “a” të këtij neni; c) Grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara sipas shkronjës “a” të këtij neni; ç) Partitë e tjera politike parlamentare përzgjedhin nga një kandidat sipas shkronjës “a” të këtij neni; d) Kandidaturat e përzgjedhura i nënshtrohen seancës dëgjimore në Komisionin që mbulon Çështjet Ligjore. Komisioni i propozon Kuvendit për votim dy kandidatë të përzgjedhur në mënyrë kolegjiale dhe unanime pas konsultimit me të gjitha partitë parlamentare”. Por socialistët propozojnë dhe një skemë të tyre në lidhje me rastet kur arrihet një përzgjedhje konsensuale. “Në rast se nga konsultimet nuk arrihet të përzgjidhen dy kandidatë në mënyrë kolegjiale, kandidatët përzgjidhen respektivisht një nga grupi më i madh parlamentar i shumicës, një nga grupi më i madh parlamentar i pakicës, dhe një kandidat nga partitë e tjera parlamentare në mënyrë kolegjiale, të cilat i kalojnë Kuvendit për votim; dh) Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit pas votimit të fshehtë. Nëse asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën e votave të kërkuara, zhvillohet një votim i dytë mes kandidatëve që kanë marrë më shumë vota”, thuhet më tej në nismën e opozitës. Pra në këtë propozim, kreu i KQZ-së mund të votohet me raunde, sipas procedurës që ndiqet për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Gjiknuri & Venecia

Bashkëkryetari socialist i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri, mbështeti dje nismën e partive politike për korrektimin e sistemit zgjedhor. “Të gjithë janë dëshmitarë që PS ishte shtytësja e procesit të numërimit elektronik që fatkeqësisht, në mënyrë të njëanshme, edhe nga ajo paketë e miratuar me konsensus u hoq dorë me pretekste apo sebepe që diheshin më parë. Të gjithë e dinë shumë mirë qëndrimin tonë publik, që kemi qenë të hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor dhe vazhdojmë t’i qëndrojmë me forcë korrektimit të sistemit zgjedhor”, u shpreh Gjiknuri në një deklaratë për mediat nga selia rozë. Sipas tij, i takon PD-së të deklarohet hapur për korrektimin, “që fjalët t’ia lënë vendin veprave është koha që publikisht, PD, të deklarohet që është e hapur për korrektimin e sistemit zgjedhor apo jo. PS këtë çështje do ta bëjë pjesë të tryezës së reformës zgjedhore. Është koha që Shqipërisë t’i japim një ligj të mirë zgjedhor, që adreson transparencën, barazinë e votës dhe zgjedhjet e lira”. Mësohet se javën e ardhshëm pritet të mbërrijnë në Tiranë, ekspertët e Komisionit të Venecias. Ata do të zhvillojnë një tryezë të rrumbullakët për zgjedhjet dhe përmirësimet ligjore. Ekspertët mbërrijnë të hënën, pikërisht në momentin kur ende nuk ka konsensus mes palëve për reformën zgjedhore.

 

Gjiknuri – Bashkëkryetari i komisionit, Gjiknuri i PS-së, u shpreh pro korrektimit të sistemit

Ekspertët – Ditët e ardhshme, Shqipërinë pritet ta vizitojë një grup specialistësh nga Komisioni i Venecias

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.