Pronat, dy kanosje kryegjyqtarit të Vlorës

Dosja në Prokurorinë e Fierit: Artur Malaj u kërcënua edhe përpara një viti

Mentor Mustafaraj, i arrestuari pak ditë më parë, për kanosje të kryegjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, Artur Malaj, është i dyti që vihet nën akuzë për shkak të kërcënimeve të kryera ndaj tij. Kjo, pasi një tjetër çështje ku i dëmtuar rezulton gjyqtari Artur Malaj, po shqyrtohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit, që ka si objekt të padisë veprën penale “fyerja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 318 i Kodit Penal. Këtë herë, i pandehur është marrë 25-vjeçari Klevis Gjahtari, edhe ky banor i qytetit të Vlorës. Për shkak se Malaj ushtron detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Faktit Vlorë, kjo e fundit si dhe prokuroria e këtij rrethi ka shpallur moskompetencën për arsye të konfliktit të interesit. Në këto kushte hetimi dhe gjykimi i të dyja çështjeve i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Fierit. Dy ditë më parë ka mbërritur në organin e akuzës së Rrethit të Fierit, edhe dosja në ngarkim të Mustafarajt, i arrestuar për veprën penale “kanosje të gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal. Pritet që brenda harkut kohor të 10 ditëve të verifikohet masa e sigurisë e caktuar paraprakisht nga Gjykata e Vlorës ndaj 58-vjeçarit Mustafaraj, banues në zonën e Ujit të Ftohtë të qytetit bregdetar.

Fyerja

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, kryegjyqtari i Vlorës, Artur Malaj ka qenë pjesë e një trupe gjykuese që po jepte vendimin ndaj të pandehurit Klevis Gjahtari, i cili akuzohej për veprat penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe të lëndës plasëse (të llojit tritol)”, të lëndës narkotike (të llojit kanabis sativa), si dhe të municionit luftarak. Ky i fundit, në sallën e gjyqit, ka kërcënuar dhe ka ofenduar me fjalor të rëndë anëtarët e trupës gjykuese. Episodi ka ndodhur pak javë pas ekzekutimit mafioz të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ngjarje që tronditi opinionin e gjerë publik. Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar për këtë të pandehur dënimin me pesë vite dhe pezullimin me kusht, gjë që nuk u pranua nga gjyqtarët. Ata e cilësuan si të rrezikshëm 25-vjeçarin Gjahtari dhe vendosën dënimin me 8 vite burg, ku parashikohej ulja e një së tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, por rrëzuan kërkesën e organit të akuzës për pezullimin me kusht të vendimit të dënimit, duke e lënë në qeli. Pikërisht pas dhënies së vendimit, i pandehuri Gjahtari ka ofenduar dhe kërcënuar gjyqtarët. Për këtë shkak, ai tashmë po gjykohet në Gjykatën e Fierit.

Kanosja

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, denoncoi rreth dy javë më parë në polici kërcënimin me jetë të kryer ndaj tij nëpërmjet mesazheve telefonike. Pasi policia shoqëroi 500 persona dhe kreu hetimet paraprake, ndaloi si autor të dyshuar për kryerjen e këtyre mesazheve, 58-vjeçarin Mentor Mustafaraj nga Uji i Ftohtë i Vlorës. Rreth 10 ditë para se të kryente denoncimin në polici, në celularin e gjyqtarit Malaj kanë mbërritur me dhjetëra mesazhe me karakter kërcënues. Në këto mesazhe, autori e kërcënonte me jetën e fëmijëve, gruas dhe të afërmve të tjerë. Pasi kanë kaluar rreth 10 ditë që prej mesazhit të parë, gjyqtari Malaj i është drejtuar Komisariatit të Policisë së Vlorës, ku ka kryer kallëzim penal. Duke u nisur edhe nga vrasja publike që iu krye gjyqtarit Skerdilajd Konomi, policia mori menjëherë në mbrojtje familjen Malaj në kryeqytet, ndërsa një eskortë e shoqëronte gjatë atyre ditëve gjyqtarin. Pas disa ditësh hetim policia dhe Prokuroria e Vlorës identifikuan si autor të dyshuar 58-vjeçarin Mustafaraj. Dyshohet se kërcënimi mund të ketë ardhur pasi gjyqtari Malaj po shqyrtonte një çështje pronësie ku Mustafaraj ishte palë e interesuar.

 

Hetimi

Ende e papërcaktuar akuza për Mustafarajn

Për rastin e Mentor Mustafarajt, Prokuroria e Fierit do të vlerësojë fillimisht klasifikimin e veprës penale dhe do të vendosë nëse do ta konsiderojë kanosje apo keqpërdorim të thirrjeve telefonike. Sipas burimeve nga prokuroria, ekziston mundësia që të ngrihet akuza e dytë, që është më e lehtë. Ky version mbështetet në faktin se kërcënimet për të cilat është ndaluar Mustafaraj janë kryer me anë të mesazheve telefonike dhe nuk e kanë rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e gjyqtarit.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.