Përplasja e Ristanit me Shoqërinë Civile, si dhe me dy anëtarët e KQZ-së

Mbledhja

Shtyhet për 24 orë vendimi për pranimin e kërkesës së mbi 56 mijë firmëtarëve

BLEDAR HOTI

Debatet e ashpra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtyjnë për 24 orë vendimin për pranimin ose jo të kërkesës së AKIP për referendumin për importin e plehrave. Argumentet tejet të forta e mbi baza ligjore të dy anëtarëve, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, kundër procedurave të KQZ-së, që sipas tyre janë antiligjore, kanë detyruar katër anëtarët e mazhorancës në këtë institucion, të kryesuar nga Arben Ristani të tërhiqen 24 orë para shpalljes së vendimit final. Për më shumë se një orë e gjysmë, shtatë anëtarët kanë debatuar në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve të KQZ-së, e cila ka dërguar drejt laboratorit të Policisë Shkencore verifikimin e kampionëve të mbi 56 mijë firmave në mënyrë jo transparente. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, ka bërë të ditur se falsifikimet e firmave janë me mijëra, por sipas tij nuk cenojnë kushtin prej 50 mijë firmash, të nevojshme për kryerjen e referendumit. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, u shpreh se procedura e ndjekur është jo transparente dhe në kundërshtim me Ligjin për Kodin e Procedurës Administrative. “Mendoj se duhet të kishte një shkresë të firmosur nga kryetari dhe nënkryetari i KQZ-së fillimisht për t’ju drejtuar Policisë Shkencore. Por kjo nuk ka ndodhur, ka një vit që nuk aplikohet një procedurë e tillë”, theksoi Subashi. Nënkryetarja e KQZ-së theksoi gjithashtu se “në çështjet e një procedure administrative vendimmarrëse, pa mbërritur në vendimmarrje përfundimtare, institucioni i administratës kur vendos për ekspertiza dhe për disa procedura, duhet t’i bëjë në prani të palës së interesuar, në mënyrë publike, përveç rastit kur kemi të bëjmë me ndonjë sekret shtetëror. Në rastin konkret, s’kemi të bëjmë me një të tillë, pra sekret shtetëror”. Fillimisht ky ka qenë edhe argumenti i mbajtur nga anëtari Artan Lazaj, i cili ka replikuar jo pak me kryekomisionerin Arben Ristani. “Nëse nuk kemi respektuar procedurat ligjore, të gjitha këto janë nul, s’kanë vlerë ligjore”, theksoi Lazaj. Ndërsa Ristani ka anatemuar nismëtarët, duke theksuar se “deri dje, na keni sulmuar për votimin familjar, tani ju të njëjtën gjë po bëni dhe me këto firma. Ne nuk mund të veprojmë me dy standarde”. Debatet nuk kanë munguar as midis Ristanit dhe publicistit Fatos Lubonja, një ndër përfaqësuesit e AKIP-it. Edhe pse pesë anëtarët – Subashi, Zguri, Varfi, Osmanaj dhe Lazaj ishin pro, pasi u plotësua kushti me 50 mijë firma, katër përfaqësues e mazhorancës në këtë institucion u tërhoqën për konsulta. Pas gjysme ore konsultimi, Ristani tha se vendimi do të merret nesër (sot). Sipas burimeve mësohet se veç pranimit të kërkesës për referendum, në vendim do të kërkohet dhe ndëshkimi penal i falsifikuesve të firmave. Për këtë pritet të kërkohet që të pastrohen firmat e dyshimta nga lista e propozuesve.

 

Tabela

Pretendimet e KQZ-së

Nga kampioni i dërguar, laboratori shkencor i Policisë saktëson se nga 147 firma, 70% e tyre janë të falsifikuara

KQZ konfirmon këto shifra: nga 65.649 nënshkrime, 1470 u mungon atësia; 3455 janë të shënuara pa germa kapitale, 994 pa ID, 218 firma kanë pasaporta të vjetra dhe probleme të tjera janë 2301 firma. Pra, gjithsej, 8438 firma.

 

 

Debatet në mbledhjen e KQZ-së

Fatos Lubonja: A mund të flas edhe unë këtu?

Arben Ristani: Përse do flisni në emër të tyre?

Fatos Lubonja: Po do flas në emër të tyre, por besoj dhe në emrin tim.

Arben Ristani: Do flisni të gjithë, edhe ju të tjerët?

Fatos Lubonja: Unë po ndjek diskutimet dhe kam komentin tim apo…

Arben Ristani: Po koment përse?

Fatos Lubonja: Është mbledhje e hapur apo jo? Dua të bëj komentin tim, meqë është e hapur për të dhënë opinione.

Arben Ristani: Jo, mo jo. Atëherë ju keni paraqitur një kërkesë. Zhvilluam një pyetje e përgjigje, dikush nga ju duhet të fliste në emër të të gjithëve.

Fatos Lubonja: Neve zoti kryetar, nuk mund t’i bëjmë diskreksion ashtu siç doni t’i bëni ju çështjes që dëgjojmë këtu. Ne jemi shoqëri civile dhe siç e dini, jetojmë në një shoqëri ku problemi i madh është kredibiliteti i institucioneve…

Arben Ristani: S’jemi këtu për kredibilitetin e institucioneve. Ju lutem. Keni ndonjë gjë për kërkesën.

Fatos Lubonja: Një minutë, se kam pyetjen që bëri ai atje (Lazaj). Se këtu po bëhet hetuesi e hetuesisë.

Arben Ristani: Lidhur me kërkesën, ju lutem.

Fatos Lubonja: Zotëri, juve nuk mund të më ndërprisni fjalën, të flisni si të doni ju, e të mos flasim si duam ne.

Arben Ristani: Atëherë unë jam këtu të mbaj rregullin në seancë, e drejta juaj këtu është vetëm të paraqisni kërkesën tuaj për atë qeni keni ardhur.

Fatos Lubonja: Në raport me kërkesën, krijoj përshtypjen shumë të rëndësishme përtej asaj se kush merr vendime për të çuar në ekspertizë firmat e njerëzve, atëherë kur duhet të merret një urdhër për t’u ndaluar një gjë, sepse dihet qëndrimi i mazhorancës që foli kaq gjatë, ishte se ju i keni çuar atje dhe po të bëjmë proporcionalitetin, dalin 70 për qind firma false. Ai këtë po kërkon apo jo? Duhet kredibiliteti i atyre që bën ekspertizën, i atij që e çon dokumentin tek ekspertiza. I gjithë problemi këtu është mungesa e kredibilitetit që bën transparente ekspertizën.

Arben Ristani: Keni pretendim që firmat s’janë të falsifikuara.

Fatos Lubonja: Kemi pretendimin se gjyqtari që do të na vërtetojë se janë apo jo të falsifikuara firmat, nuk ka kredibilitet.

Vera Shtjefni: Rreth 70 për qind e firmave është e falsifikuar, sipas raportit të policisë shkencore. Akti ligjor i policisë vërteton të kundërtën. Nuk e di se si mund t’i shmangë KQZ gjithë këto shkelje të konstatuara në emër të një të drejte, askush nuk e konteston, është një arritje që qytetarët të gjejnë instrumentet e tyre për të drejtat e tyre. Por nuk duhet që ky lloj instrumenti të mos plotësojë kriteret ligjore. Mua më rezulton se kërkesa nuk plotëson kriteret ligjore.

Artan Lazaj: Asnjë nuk e ka kundërshtuar vlerën shkencore, por rruga në të cilën ka ndjekur institucioni ynë është komplet joligjore. Ligji ngarkon që të mblidhemi ne si KQZ dhe të vendosim.

Arben Ristani: Pse nuk e keni kërkuar një gjë të tillë? Pse nuk e keni kërkuar që të përcaktoheshin rregullat?

Artan Lazaj: Po ju, pse nuk e keni kërkuar?

Arben Ristani: Unë nuk e kam kërkuar, se nuk e kam vlerësuar, ju që e vlerësoni, pse nuk e keni kërkuar?

Artan Lazaj: Ti je eksperti kryesor i kësaj çështjeje. Kur ta drejtoj unë, atëherë do ta shikoje.

Arben Ristani: Një sekondë, ligji të ngarkonte, të jepte të drejtën, pse nuk e keni kërkuar?

Artan Lazaj: Ty të vrasë ndërgjegjja, se ke shkelur ligjin, jo të të vrasë ndërgjegjja se pse unë nuk e kam kërkuar. Ne kemi eliminuar transparencën.

Arben Ristani: Mos bëj si i interesuar, ta shpjegoj unë këtë, ti deri dje s’ke qenë i interesuar, pse e bën tani, kjo do të thotë se s’jemi në shkelje të ligjit

Artan Lazaj: Unë i interesuar kam qenë i alarmuar për shkelje të ligjit. Ne kemi minuar komplet ligjet nga Kushtetuta deri te kjo mbledhje e sotme. Ne me dashje apo pa dashje, akoma nuk po arrijmë të kuptojmë, është i jashtëligjshëm, jo akt-ekspertimi shkencor, duhet ta thërrisnim në mbledhjen e KQZ-në, palën e interesuar paraprakisht mbi këtë çështje. Gjykatat veprojmë mbi bazën e Kodeve Administrative dhe Procedurave, kështu vepron shteti. Nëse unë sjell një material shkencor privat do ta pranoni? Sigurisht që nuk do ta pranoni se s’ka vendim KQZ-je. Nuk mund të bëjmë cirk.

Arben Ristani: Dakord, cirk po bën ti. Pasi të bësh cirkun, unë do të them se ky njeri vlen për cirk. Do të organizoj cirkun dhe do të them nëse vlen ose jo?

Artan Lazaj: Cirkun e organizon ti, jo KQZ-ja. Nëse dëshiron të mos bëj punën, unë nuk flas. Mos më ndërhyni, këtu në tavolinë ka ca rregulla. Në kafe, hajde, mund të sqarohemi në ke ndonjë vërejtje. Do më vinte keq nëse thuhet se si jurist do të dëgjoja diskutime dhe pse kemi shkelur dhe hajde ta diskutojmë. Kemi shkelur ligjin, të gjitha veprimet e mëpasshme janë të paligjshme.

Dëshira Subashi: Pyetja retorike është se pse nuk është deklaruar në materialin e paraqitur një fakt i tillë? Do të shikoja disa parregullsi, ndonëse nuk kanë ndikim në të. Nëse deklaruat se 50 mijë firmat janë në rregull. Pse shkuat në laborator për firmat e tjera. Ju keni shkuar jo dy muaj më parë, jo më 12 qershor. Ne veprojmë pa asnjë rregull, e në mungesë totale transparence, e këtu kam atë që tha zoti Lazaj se në çështjet e një procedure administrative vendimmarrëse, pa mbërritur në vendimmarrje përfundimtare, institucioni i administratës kur vendos për ekspertiza, disa procedura duhet t’i bëjë në prani të palës së interesuar, në mënyrë publike, përveç rastit kur kemi të bëjmë me ndonjë sekret shtetëror. Në rastin konkret, s’kemi të bëjmë me një të tillë, pra sekret shtetëror. KQZ-ja duhet t’i bënte më transparente. Kjo duhet të vlejë si përvojë për anëtarët që do të jenë në të ardhmen. Dalin urdhrat të firmosur nga kryetari e nënkryetari i KQZ-së. Sigurisht ka munguar një urdhër i tillë, jo tani, por ka më shumë se një vit më parë që mungon një gjë e tillë.

Klement Zguri: Ky debat nga çështje ligjore u kthye në politikë. Njëra palë ndërhyri përmes instrumenteve joligjorë. Momenti i dytë është se po shkojmë deri në një debat bardhezi, ku një pjesë thotë se shkeljet janë shumë të rënda dhe duhet të shihet dhe nga institucione të tjera, e një pjesë që e miraton kalimin e referendumit është gati të bëjë edhe kamikazin duke mos pranuar asnjë shkelje. Unë nuk i përkas as njërës e as tjetrës. Ka momente për një zgjidhje. Administrata thotë se janë brenda 50 mijë firma dhe unë i besoj. Momenti i dytë është se ka pasur firma të falsifikuara. Manipulimi i firmës nuk është parregullsi, i përket dikujt tjetër ta përcaktojë. Kam të drejtën t’i jap të drejtë procedurave të mëtejshme të referendumit, por unë nuk mund të mbyll sytë se jam institucion, se ato që janë parregullsi të ndjekin një rrugë tjetër ligjore dhe kjo duhet të kalojë përmes KQZ-së, e kjo është në nderin e respektin e KQZ-së.

Arben Ristani: Si ish-përfaqësues i shoqërisë civile, nuk është rruga e duhur të anatemohet institucioni, të fyhet institucioni. Besoj se nuk është kjo rruga. Që në momentin që kur është paraqitur kërkesa, keni ardhur me paragjykim ndaj nesh. Kemi dyshime se janë mijëra firma të falsifikuara dhe sigurisht mund të shkojnë dhe në laboratorin e kriminalistikës për t’u verifikuar. S’mund t’i lejojmë vetes të përdorim dy standarde. Kur ODIHR dhe shoqëria civile, apo dhe në KQZ ishte kundër votimit familjar. Një nga aspektet ishte kur kryefamiljari hedh firmën në emër të familjes apo pjesëtarëve të fisit. Kjo ka ndodhur në rastin konkret. Pse në këtë rast tolerohet situata, e në atë rast nuk tolerohet. S’mund të qëndrojmë me dy standarde. Ne duhet ta ndjekim këtë çështje.

Fatos Lubonja: A mund të flasim për këto akuza?

Arben Ristani: Jo nuk ka mundësi, se nuk mund të bëjmë debat këtu me juve.

Fatos Lubonja: Atëherë juve hidhni akuza në shtyp e në media dhe nuk lini që ne të përgjigjemi të ballafaqohemi.

Arben Ristani: Akuzat i keni bëri ju, unë po flas ballë për ballë me ju. Ju lashë juve mundësinë të flisni dhe fola dhe unë. Atëherë një gjysme ore pushim…

 

Reagimi

AKIP: Sot, protestë para selisë së KQZ-së

Pas shtyrjes për 24 orë, përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave shprehën keqardhjen për një vendim të tillë të KQZ-së. “Shprehim keqardhjen tonë për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për shtyrjen që iu bë aprovimit të kërkesës për referendum kombëtar mbi importin e mbetjeve. Në një kohë kur administrata e KQZ-së dhe grupi i verifikimit i ngritur prej saj u shpreh se ekzistojnë mbi 50,000 nënshkrime të rregullta, siç e kërkon Kushtetuta, gjë që u pranua publikisht edhe nga kryetari dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, ne gjykojmë se shtyrja e vendimit është krejtësisht e pajustifikuar. Në këto kushte, sot KQZ nuk kishte asnjë arsye për të mos u shprehur pro kërkesës për referendum”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të KQZ-së.

Përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Ferruni, theksoi se “ne i bëjmë thirrje KQZ-së që nesër, të aprovojë kërkesën për referendum, duke u nisur nga fakti që ekzistojnë mbi 50,000 nënshkrimet e kërkuara nga Kushtetuta, të pranuara nga vetë institucioni i KQZ-së. Shqetësimi ynë është shqetësimi legjitim i qytetarëve që kanë firmosur kërkesën për referendumin mbi importin e mbetjeve. Ne i ftojmë të gjithë këta qytetarë që të jenë prezent nesër, në orën 12:00, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pritur vendimin e KQZ-së”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.