Një i moshuar qëllon me shtatë plumba të dyshuarin për vrasje

Tiranë

Atentati ndaj Bledar Balliut, në të njëjtin vend ku u vra një vit më parë Aleksandër Koliqi

Ekzekutohet në një lokal në Tiranën e Re, Bledar Balliu, një person i dyshuar se kishte kryer një vrasje, për të cilën ishte lënë i lirë për mungesë provash. Ngjarja ka ndodhur në një nga lokalet pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në orët e mbrëmjes së djeshme, ndërsa luhej ndeshja e futbollit mes Portugalisë dhe Spanjës. Një burrë rreth 65-70 vjeç ka hyrë në lokal me pistoletë në dorë dhe është drejtuar menjëherë nga tavolina ku qëndronte Bledar Balliu. Burri ka qëlluar shtatë herë në drejtim të Balliut, i cili ishte në shoqërinë e një shoku të tij. Balliu është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ka ndërruar jetë rreth mesnatës. Mjekët thanë se të paktën një plumb e kishte prekur në kokë. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes treguan se burri i moshuar që kreu atentatin është larguar në këmbë nga lokali dhe nuk ka vrapuar. Megjithatë, për shkak të errësirës dhe zonës shumë të populluar, policia, deri në mesnatë, nuk kishte arritur të arrestonte vrasësin e dyshuar. Policia njoftoi se kishte shoqëruar dhjetëra persona, disa prej të cilëve dëshmitarë në vendin e ngjarjes, por nuk saktësoi nëse mes të shoqëruarve kishte edhe ndonjë të dyshuar.

Me të bërë identifikimin e viktimës, grupi hetimor e përqendroi punën te një pistë e vetme, ajo e hakmarrjes. Viktima Bledar Balliu ishte personi i vetëm i dyshuar për vrasjen e Aleksandër Koliqit, ngjarje e ndodhur më 15 korrik të vitit 2011 në të njëjtën zonë, pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Disa ditë pas vrasjes së Koliqit, Bledar Balliu u arrestua si i dyshuar, pasi u identifikua nga një dëshmitar okular. Por pasi qëndroi 40 ditë në paraburgim, ai u la i lirë, pasi përveç dëshmisë së një të mituri, policia dhe prokuroria nuk siguruan dot asnjë provë që të vërtetonte se Balliu ishte vrasësi.

Dyshimet për Balliun ishin të forta edhe për shkak të një historie të përbashkët kriminale që kishte pasur me viktimën e 15 korrikut 2011, Aleksandër Koliqi. Të dy këta persona ishin arrestuar në vitin 2006 gjatë një aksioni policor me emrin e koduar “Poter-Al”, që vuri në pranga shtatë persona të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike. Aleksandër Koliqi mësohet se bashkëpunoi me organet e drejtësisë në kuadër të këtij hetimi dhe për këtë arsye mori një dënim të butë, por krijoi një konflikt të fortë me pjesëtarët e tjerë të grupit të të arrestuarve, mes të cilëve Bledar Balliu, i cili në vitin 2008 u dënua me 8 vjet burg për trafik droge.

Pavarësisht kësaj historie, autoritetet nuk mundën të fajësonin Balliun për vrasjen e Koliqit dhe e lanë atë të lirë. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se ka dyshime të forta që krimi të jetë kryer për hakmarrje, pasi vrasja ka ndodhur thuajse në të njëjtin vend ku u vra Koliqi një vit më parë. Të njëjtat burime thanë se autori i vrasjes nuk ka qenë profesionist dhe fakti që është larguar ngadalë në këmbë, ngre dyshimet se ai mund të jetë ndonjë i afërm i Aleksandër Koliqit të vrarë dhe ka qenë i bindur se Bledar Balliu ka qenë autor i vrasjes, pavarësisht mungesës së provave.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.