Ndryshimet në qeveri rrisin pakënaqësinë në grupin e PD-së

Mbështetet në heshtje Marku, por druajnë të dalin hapur

Fatjona Mejdini

Në radhët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike janë shtuar pakënaqësitë, për shkak të vendimit të fundit të marrë nga Kryeministri Sali Berisha, për të mos bërë ndryshime në kabinetin qeveritar. Edhe pse në sipërfaqe situata duket e qetë, shumë deputetë të kontaktuar nga “Shqip”, të cilët nuk dëshirojnë të identifikohen, deklarojnë pakënaqësinë e tyre, si për mos ndryshimin e ministrave të PD-së në qeveri, ashtu dhe për emrat e paraqitur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për të qenë ministrat e rinj. Rritja e tensionit mund të sjellë dhe pasoja negative për grupin parlamentar të PD-së, në një kohë kur në vend janë themeluar parti të reja me identitet të djathtë si Fryma e Re Demokratike, e cila ka interes të veçantë për tërheqjen e personaliteteve të së djathtës, të cilët nuk ndihen të përfaqësuar në PD.

Arsyet

Rritja e tensionit brenda PD-së ka ardhur fillimisht për shkak të pritshmërisë së lartë që ishte krijuar, kur një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme, kreu i qeverisë, Berisha, do të rifreskonte kabinetin qeveritar. Kjo për faktin se në tre vitet e fundit të qeverisjes, Kryeministri Berisha nuk ka bërë ndryshime të mirëfillta në qeveri, por është mjaftuar vetëm me zëvendësime të ministrave, të cilët për një arsye ose një tjetër kanë lënë postet e tyre. Një pjesë e madhe e deputetëve të PD-së janë të mendimit se ndryshimet në qeveri do të ishin të nevojshme në një moment kur vetëm një vit e ndan vendin nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tyre, fitorja e një mandati të tretë nga PD-ja është një sfidë e vërtetë dhe emrat e rinj në qeveri do të sillnin më shumë shanse dhe do të krijonin më shumë besim tek publiku, se partia drejtuese e qeverisë ka burime të reja energjie për të vijuar qeverisjen. Nga ana tjetër, një pjesë e ngushtë e deputetëve të PD-së shprehin keqardhje, për shkak të mosndryshimeve në qeveri, për shkak të ambicieve personale për të qenë pjesë e ekzekutivit të vendit. Me një formim të mirë intelektual dhe profesional dhe të ardhur kryesisht nga shoqëria civile, këta deputetë në grupin parlamentar të PD-së kërkonin përfaqësim në ekzekutiv, në këtë vit të rëndësishëm, i cili në pjesën më të madhe të tij parashikohet të jetë elektoral. Një tjetër arsye jo pak e rëndësishme lidhet dhe me pakënaqësinë e shprehur prej emrave që Ilir Meta ka zgjedhur të jenë pjesë e kabinetit qeveritar. Deputetë të PD-së theksojnë se këta përfaqësues të rinj nuk janë në pozicione të përshtatshme dhe madje shprehin habinë me lehtësinë e treguar nga dy liderët e koalicionit të djathtë për të vënë në jetë këto emërime.

Deklaratat

Deputeti i PD-së, Mark Marku, intelektual dhe publicist i njohur në vend, është i vetmi i cili deri tani ka kritikuar mënyrën e përzgjedhur nga Kryeministri Berisha për të bërë ndryshime në qeveri. Sipas Markut, në qeveri duhet të ishin bërë ndryshime të thella për t’i dhënë kabinetit freskinë e duhur në përballimin e sfidave të reja. Interesant ishte fakti se kreu i shtetit, Bamir Topi, shfaqi dy ditë më parë përgëzime për këtë deklaratë të Markut, duke e quajtur të duhur, ndonëse të vonuar në kohë.

 

Deputeti

Metalla: Janë përmbushur objektivat në qeverisje

Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, deklaroi dje në një prononcim për “Shqip”, se ndryshimet në qeveri gjithmonë janë të mirëpritura. Por, sipas tij, fakti që kreu i qeverisë nuk bëri ndryshime shtesë, por vetëm plotësoi vendet e mbetur bosh, që do të thotë se ministrat kanë treguar performancë të mirë dhe kanë përmbushur objektivat në qeverisje. Metalla shpreh vlerësim për ministrin e ri të Brendshëm, duke theksuar se kishte besim se Flamur Noka do përmbushte me korrektësi dhe me performancë të lartë objektivat.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.