Meta dhe Mediu i bashkohen partive të opozitës për korrektimin kombëtar

Tryeza

Të vegjlit firmosin deklaratën e dytë dhe ngrenë më fort zërin ndaj PD-PS

Fatjona Mejdini

Partitë e vogla nuk kanë ndarje midis tyre sa i përket interesit për të pasur një reformë zgjedhore që të sigurojë barazinë e votës së elektoratit të tyre me atë të dy partive kryesore në vend, PD dhe PS. Pikërisht nga kjo nevojë, dje u zhvillua tryeza e radhës mes drejtuesve të partive të vogla, të majta dhe të djathta. Në përfundim të takimit, me anë të një deklarate të përbashkët, drejtuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ai i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ai i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli dhe kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, kërkon barazi të votës në zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu ata deklaruan se vetëm korrektimi kombëtar i sistemit aktual zgjedhor do të bënte të mundur barazimin e votave të qytetarëve shqiptarë. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pranishëm në tryezën e djeshme, theksoi se reforma zgjedhore, jo vetëm duhet të përfundojë brenda afateve, por ajo duhet të sigurojë dhe barazinë e votës për të gjithë qytetarët shqiptarë. Sipas kreut të LSI-së, në rast se kjo reformë nuk kryhet brenda muajit korrik, atëherë Shqipëria rrezikonte të mos merrte statusin e vendit kandidat edhe për këtë vit. “Mbështes shqetësimin e gjithë kolegëve në të dyja aspektet e rëndësisë. Së pari, që ajo të jetë reformë që të krijojë besimin te të gjithë qytetarët, se vota e tyre do jetë e barabartë dhe do lexohet në mënyrë transparente. Dhe çështja tjetër, po kaq e rëndësishme, është përfundimi i gjithçkaje brenda muajit korrik, sepse jemi kundër angazhimeve që kemi marrë edhe në raport me BE-në, që kemi ndërmarrë edhe para zgjedhjes së presidentit”, theksoi Meta. Edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i cili, ashtu si dhe Meta është pjesë e qeverisë Berisha, deklaroi se PD dhe PS janë të detyruara të marrin në konsideratë kërkesat e partive të vogla. Nga ana e tij, kreu i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi se kërkesa për barazinë e votës ishte minimale dhe ajo duhej të merrej patjetër në konsideratë nga dy partitë e mëdha. Ai theksoi se partitë e vogla duhej t’i bënin presion aleatëve të tyre në mazhorancë dhe opozitë për të arritur plotësimin e kërkesave të tyre. Kreu i PSD-së, Gjinushi, deklaroi se përveç kërkesës për barazinë e votës ishte e nevojshme që votat të numëroheshin në mënyrë elektronike.

“Jemi mbledhur disa herë, nuk mbrojmë interesat e disa partive por garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, garantimin e barazisë në votë. Një qytetar të japë një votë, kjo garantohet me futjen e teknologjive. Të korrigjohet sistemi zgjedhor dhe vota të numërohet elektronikisht”, theksoi ai. Nga ana e tij, kreu i PAA-së, Lufter Gjuveli, theksoi se ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duheshin lënë në momentin e fundit. Nga ana e tij, kreu i PDK-së, Nard Ndoka, u tregua i ashpër me dy të mëdhenjtë e politikës shqiptare, por theksoi se priste më shumë reagim nga PS në lidhje me këtë çështje. “Partia Demokristiane është rreshtuar në opozitë, PS ka marrë angazhim ndaj nesh se do ndjekë reformën zgjedhore, por kemi parë të kundërtën, nuk ofron një standard nëpërmjet ligjit”, theksoi Ndoka.

Meta – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pranishëm në tryezën e djeshme theksoi se reforma zgjedhore, jo vetëm duhet të përfundojë brenda afateve, por ajo duhet të sigurojë dhe barazinë e votës për të gjithë qytetarët shqiptarë

 

Opozita

Bushati: Integrimi s’është lotari, Berisha po na çon nga lindja

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Integrimit, socialisti Ditmir Bushati, në një deklaratë për median, shprehu shqetësimin se “Shqipëria do të përballet me një dështim të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat”. “Është e qartë se Sali Berisha ka zgjedhur fantazitë e tij aventuriere të ‘rrugës së mëndafshit’ që të çon drejt Lindjes përkundrejt rrugës europiane të Shqipërisë që të çon drejt Perëndimit. E shprehur kjo edhe në zgjedhjen politike, ekonomike dhe financiare që Sali Berisha ka bërë vijimësisht, duke iu shmangur rrugës së Europës. Nuk ka dyshim se nëse vjet Shqipëria e humbi statusin e vendit kandidat, kryesisht për shkak të vrasjes së 4 protestuesve të pafajshëm opozitarë në bulevardin kryesor të kryeqytetit dhe vjedhjes ditën për diell të zgjedhjeve në Tiranë, këtë vit Sali Berisha po ndjek kokëfortësisht të njëjtën kahje, duke emëruar president ministrin e Brendshëm dhe ministër të Brendshëm të shtetit, ministrin e Brendshëm të partisë shtet. Integrimi Europian nuk është lotari!”, tha Bushati.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.