Mbërrijnë në aeroport eshtrat e Dom Nikoll Kaçorrit, autoritetet asnjë nderim

Fiks Fare

100-vjetori i pavarësisë 

Eshtrat e Dom Nikoll KacorritNë vitin e 100-vjetorit të pavarësisë së shqiptarëve, qeveria harron personalitetet e historisë së popullit tonë.

Në një kohë kur trumbetohet me të madhe se janë marrë masa për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë së vendit, asnjë ministër, zëvendësministër apo drejtor drejtorie i Ministrisë së Kulturës nuk priti në Aeroportin e Rinasit eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës, Dom Nikoll Kaçorri. Ishte rasti që shteti shqiptar të tregonte që di të vlerësojë figura që kanë lënë shenjë në historinë e popullit shqiptar. Të rreshtonte truprojën e nderit, ta shoqëronte me marsh funebër pritjen në tokën e tij Nikoll Kaçorrin, pse jo ta ulte në gjysmë shtizë flamurin kombëtar, atë simbol që ai e mbajti mbështjellë pas trupit për 94 vjet. Por ndodhi krejt e kundërta. Pritja e tij në Aeroportin e Rinasit ishte e thatë, eshtrat e tij të mbështjella si një pako çfarëdo që mbërrin në këtë aeroport, i jepte vlerë vetëm një flamur shqiptar dhe miq e dashamirës, të cilët nuk e harruan.

Por sikur të mos mjaftonte vetëm kjo pritje e padenjë, edhe në rivarrimin e eshtrave të tij, përpos fjalimit të tij gjatë, Kryeministri Berisha nuk e kurseu dhe një përgjigje për opozitën, foli për Haxhi Qamila e Don Kishotë. Vlerësimet për këtë figurë të historisë së popullit shqiptar vijnë vetëm nga historianët dhe studiues. Ata e vlerësojnë, por edhe ndjejnë keqardhje për shpërfilljen e shtetit ndaj kësaj figure. Dom Nik Ukgjini e cilëson Dom Nikoll Kaçorrin si një figurë emblematike, i cili ishte garant për Europën, pasi ai vetë ishte një figurë, e cila kishte ndihmuar në bashkimin e popullit shqiptar, mysliman dhe të krishterë, pasi ai vetë ishte një klerik dhe nëna e tij ishte myslimane. “Shteti shqiptar ekziston edhe sepse ka qenë Dom Kaçorri, shton më tej studiuesi Artan Shkreli. Për të, Dom Kaçorri “është nga gurët e themelit të shtetit shqiptar, është nga ata njerëz që Qosja me të drejtë thotë që bën pjesë te Panteoni i rralluar”. Ndërsa një tjetër studiues i cili ka shkruar edhe një libër për të, z. Hajredin Isufi rendit kontributet e Dom Nikoll Kaçorrit në historinë e Shqipërisë. “Ai ka punuar gjithmonë për vendin e tij dhe në interes të vendit dhe gjithë kohën ka qenë në oponencë si me turkun, ashtu edhe me kishën ndonjëherë, apo edhe me vetë Austro-Hungarinë. Ai është protagonisti kryesor i kryengritjes së 1910-1912”.

Ish-nënkryetari i qeverisë së Vlorës, i pari ish-kryeministër që ka dhënë dorëheqjen dhe që ka punuar në heshtje për vendin tonë deri në rrezik për jetën është nderuar shumë pak nga shtetarët e këtij vendi, për të cilin sakrifikoi aq shumë.

Vlerësimet e kryetarëve të qeverive shqiptare që nga koha e Ahmet Zogut e deri më sot kanë qenë shumë të pakta për Dom Nikoll Kaçorrin. I vetmi rast kur është nderuar figura e tij ka qenë në 50-vjetorin e pavarësisë ku për nder të tij i është vënë emri një shkolle në vendlindjen e tij në Lurë dhe është ngritur një monument. Pas viteve ‘90 figura e tij pothuajse është harruar.

Drejtoresha e Arkivit të Shtetit, znj. Nevila Nika, ndër të tjera thotë se për këtë figurë ka shumë pak informacion, “por aq pak sa ka, e bëjnë atë një nga figurat historike më të rëndësishme të vendit tonë”. Për studiuesit dhe historianët shqiptarë, momenti i pritjes së eshtrave të këtij njeriu të madh në aeroportin “Nënë Tereza” ishte i turpshëm. Studiuesi Shkreli krahason dy ceremoni funerali, atë të Oto Van Hambsburg në Austri, ish-trashëgimtar i mbretërisë dhe Dom Nikoll Kaçorrit në Rinas, i tërhequr nga një karrocë dore i futur në një kuti, me shumë pak familjarë e miq që e prisnin dhe një ceremonial i munguar nga qeveria jonë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.