Konsulenti i tenderit, i lidhur me fituesin?!

Skandali, konflikt interesi te lotaria kombëtare

Të tjera fakte dalin në dritë mbi tenderin e shumëfolur të lotarisë kombëtare. Edhe pse nuk ka ende një fitues, dyshimet bien mbi kompaninë austriake, e cila edhe vetë ka shfaqur bindjen se ka bërë ofertën më të mirë në tender.

Pas një vëzhgimi të bërë nga “Top Channel”, del në pah se personi që ofroi konsulencën për kushtet në tender është i lidhur me kompaninë austriake.

Një ditë më parë, Ministria e Financave deklaroi se organizmi që i hartoi kriteret e vlerësimit për tenderin e lotarisë kombëtare ishte Shoqata Europiane e Lotarive Shtetërore.

“Mbi bazën e rekomandimit që ky këshilltar ka dhënë, Ministria e Financave ka propozuar kriteret, të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me dokumentacionin teknik që duhet të përmbushë një operator, por kanë të bëjnë edhe me kriteret, ku duhet të mbështetur vlerësimi për të tillë operatorë”, tha një ditë më parë zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj.

Ky pohim i Ministrisë së Financave e komprometon edhe më shumë tenderin për lotarinë kombëtare duke shtuar tashmë dyshime të forta për konflikt të pastër interesi. Në faqen zyrtare të Shoqatës Europiane të Lotarive dhe Organigramës drejtuese të saj, ku duket qartë se presidenti i Shoqatës Europiane të Lotarive është Friedrich Sticler. Pikërisht shoqata e zotit Sticler, përmes konsulentit të saj ligjor, “Vlademik Partners” i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që të heqë kriterin e çmimit nga tenderi për licencën e lotarisë kombëtare dhe t’i hartojë ato në një mënyrë të tillë që skualifikoi nga gara shumë kompani duke e kufizuar konkurrencën, në vetëm dy të tilla dhe pikërisht njëra nga këto ka një lidhje shumë të fortë me zotin Sticler.

Siç tregohet qartë në faqen zyrtare Friedrich Sticler, përveç se president i Shoqatës Europiane të lotarive shtetërore, mban njëkohësisht edhe postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të lotarisë kombëtare të Austrisë dhe anëtari i bordit të saj që prej vitit 1986. Lotaria kombëtare e Austrisë është tashmë e mirënjohur për publikun shqiptar, pasi është një nga dy kompanitë e vetme që po garojnë për të fituar licencën e lotos kombëtare në Shqipëri dhe madje e paralajmëruar nga konkurrentët e tërhequr si fituesja e paracaktuar e saj.

Që në fillim, disa kompani ndërkombëtare në fushën e lojërave të fatit i denoncuan kriteret e tenderit të vendosura nga qeveria, me rekomandimin siç pohon Ministria e Financave, të shoqatës që drejton zoti Sticler, si shumë kufizuese dhe të hartuara në mënyrë të tillë, që përmbushen nga vetëm një kompani, që jozyrtarisht nga konkurrentët e tërhequr është paralajmëruar pikërisht kompania në bordin drejtues të së cilës ndodhet vetë zotëria.

 

Konsultat

Pikërisht shoqata e zotit Sticler, përmes konsulentit të saj ligjor, “Vlademik Partners” i ka sugjeruar qeverisë shqiptare që të heqë kriterin e çmimit

 

Reagimi

Ministria mohon lidhjet me kreun e shoqatës

Frederich Stainler nuk ka marrë asnjë kërkesë nga Ministria e Financave dhe as i ka dhënë konsulencë kësaj ministrie për lotari kombëtare. Ky ishte reagimi i ministrisë lidhur me faktin në fjalë, por si gjithnjë, deklaratat nuk zbardhin të vërtetën mbi procesin.

Ministria e Financës mohon të ketë pasur kontakte me presidentin e shoqatës, por vetëm me znj. Bernadette Lobjois, sekretare e përgjithshme e shoqatës “Lotaritë Shtetërore Europiane”, si organi që përfaqëson këtë shoqatë në marrëdhëniet me autoritet kombëtar për punën dhe misionin e kësaj shoqate dhe i ka kërkuar rekomandim për konsulentin që do të hartonte kriteret e lotarisë.

“Ministria e Financës i është drejtuar kësaj shoqate si autoriteti nr. 1 i lotarive kombëtare në Europë në të cilën aderojnë të gjitha lotaritë shtetërore europiane. Kriteret e rekomanduara nga konsulenti plotësohen nga dhjetëra kompani europiane, por natyrisht përjashtojnë nga gara kompani që kanë probleme me transparencën dhe sigurinë e lojës”, përfundon reagimi i ministrisë.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.