Edi Rama dhe Fatmir Limaj, prezentë në “Javën Çame”

Ekspozita ndiqet nga një numër i madh qytetarësh

Java Çame vijoi dje me aktivitete në Tiranë, ku në kuadër të saj shoqata “Çamëria”, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të Rinj çelën në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ekspozitën fotografike “Kultura dhe Historia e Çamërisë”. Në këtë aktivitet të veçantë, ku u shfaqën dokumente origjinale të shqiptarëve të Çamërisë, si dhe foto të papublikuara më parë, ra në sy prezenca e shumë autoriteteve si nga Shqipëria, dhe nga Kosova, si dhe përfaqësues të shumtë të trupit diplomatik në vend. Dje në ekspozitë mori pjesë dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pavarësisht se PDIU është një parti që prej kohësh po qeveris me demokratët. Një pjesëmarrje e veçantë ishte dhe ajo e deputetit dhe ish-ministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është i njohur për mbështetjen e madhe që i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme organizimeve të komunitetit çam. Në fjalën e tij, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, vlerësoi nevojën e një kohezioni mbarëkombëtar për zgjidhjen e çështjes çame. Ai theksoi se bashkimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim ngjyrimesh krahinore, politike dhe fetare është pikënisja e zgjidhjes së çështjes çame. Sipas tij, ka ardhur koha që dy popuj të vjetër, si grekët dhe shqiptarët, të bashkëjetojnë në harmoni. “Atje në Çamëri, dy kombet më të vjetër të Europës, shqiptarët dhe grekët, pretendojnë pronësinë e këtyre miteve. Nëpërmjet këtyre miteve, nëpërmjet shumë gjurmëve monumentale që gjenden në Çamëri, grekët duan të provojnë se rrjedhin prej helenëve të lashtë. Ndaj ka ardhur koha që Greqia përfundimisht, të kuptojë se asnjë e keqe, nuk i vjen prej kombit tonë, prej bashkëjetesës me shqiptarët, kudo ku ata kanë jetuar, dhe ku duhet të jetojnë!”, theksoi Idrizi. Kjo ekspozitë u zhvillua në 68-vjetorin e nisjes së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë më 27 qershor 1944 dhe aty u shfaqën dokumente origjinale të sekuestrimit të pasurive të shqiptarëve të Çamërisë, vërtetime të lëshuara nga shteti grek, protestat origjinale të dërguara nga Shqipëria, si dhe fotografi të vjetra të krahinës, krahas personaliteteve të shquara të Çamërisë. Po ashtu, u prezantua vepra “Monumentet natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, një punë dyzetvjeçare e prof. dr. Selman Sheme.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.