Mursi nis përpjekjet për krijimin e qeverisë së re

Egjipt

Presidenti i ri: Nuk ka vend për gjuhën e konfrontimit. Do punojmë së bashku

Presidenti i parë egjiptian, i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammed Mursi, do të fillojë përpjekjet për krijimin e një qeverie të re, pas premtimit se ai do të jetë lideri i të gjithë egjiptianëve. Udhëheqësit botërorë e uruan kandidatin e “Vëllazërisë Myslimane”, pasi arriti të mundte ish-kryeministrin Ahmed Shafiq. Mursi do të bëjë betimin më 30 qershor, edhe pse pikëpyetjet rreth “shtrirjes” së autoritetit të tij janë të shumta. Këshilli Ushtarak që qeveris vendin aktualisht ka marrë shumë nga pushtetet e presidentit dhe ka shpërndarë Parlamentin. Në fjalimin e fitores së tij, 60-vjeçari Mursi u bëri thirrje egjiptianëve “për të forcuar unitetin kombëtar” dhe premtoi një presidencë gjithëpërfshirëse. “Nuk ka më vend tani për gjuhën e konfrontimit”, tha ai, pasi autoritetet zgjedhore deklaruan fitoren e tij me 51.73% të votave, në balotazhin e 16-17 qershorit. Mursi tashmë duhet të nisë përpjekjet për ndërtimin e një administrate civile, ndërsa vëmendja do të përqendrohet te zgjedhja e kryeministrit të ri të vendit. Ka zëra që flasin për bisedime mes Mursit dhe fituesit të çmimit “Nobel”, Mohamed ElBaradei, i cili do të ofronte siguri për jo-islamikët.

Mursi premtoi se do të emërojë një sërë zëvendëspresidentësh dhe se i gjithë kabineti i zgjedhur do të përbëhet nga njerëz të talentuar dhe të zotë.

Revolucioni vazhdon

Pas lajmit për fitoren e tij, mijëra mbështetës të “Vëllazërisë Myslimane” u mblodhën për të festuar në sheshin “Tahrir” në Kajro, duke brohoritur “Poshtë rregulli ushtarak”, ndërsa festimet vazhduan deri në orët e para të mëngjesit të së hënës. Mursi shprehu ngushëllime për protestuesit që humbën jetën gjatë trazirave të vitit të kaluar, për rrëzimin e presidentit Hosni Mubarak, por vlerësoi edhe rolin e forcave të armatosura të Egjiptit. “Revolucioni vazhdon deri kur të arrihen të gjitha objektivat e tij dhe të gjithë së bashku ne mund ta arrijmë këtë”, tha ai. Në një intervistë të cituar nga agjencia e lajmeve iraniane “FARS”, thuhet se Mursi po planifikon të zgjerojë marrëdhëniet me Iranin për të krijuar “një balancë në rajon”. Marshalli Mohamed Hussein Tantawi, udhëheqësi ushtarak i Egjiptit, ishte mes të parëve që i uroi atij fitoren. Por pikëpyetja më madhe qëndron në faktin se sa pushtet do të ketë presidenti i ri pas betimit. Ai nuk do të ketë një Parlament ose një Kushtetutë të përhershme për të përcaktuar kompetencat ose detyrat. Për më tepër, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura, i cili ka udhëhequr Egjiptin nga revolucioni i vitit të kaluar, ka lëshuar një seri dekretesh kohët e fundit. Ushtarakët kanë premtuar që do të delegojnë pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv në duart e presidentit të ri të vendit në fund të muajit qershor. Fitorja e Muhamed Mursit u përshëndet edhe nga Shtëpia e Bardhë, që e konsideroi rezultatin si “një gur themeli për tranzicionin e Egjiptit drejt demokracisë”. Edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, foli për një “qasje gjithëpërfshirëse” në Egjipt dhe premtoi se do të punojë me presidentin e ri dhe popullin egjiptian. Edhe Izraeli tha se e vlerëson “procesin demokratik” dhe se pret të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë egjiptiane, në bazë të marrëveshjes së paqes të nënshkruar në 1979-n.

 

Presidenti – Mursi do të bëjë betimin më 30 qershor, edhe pse pikëpyetjet rreth “shtrirjes” së autoritetit të tij janë të shumta. Këshilli ushtarak që qeveris vendin aktualisht ka marrë shumë nga pushtetet e presidentit

Uniteti – Në fjalimin e fitores së tij, 60-vjeçari Mursi u bëri thirrje egjiptianëve “për të forcuar unitetin kombëtar” dhe premtoi një presidencë gjithëpërfshirëse. “Nuk ka më vend tani për gjuhën e konfrontimit”, pasi autoritetet zgjedhore deklaruan fitoren e tij me 51.73% të votave

Qeveria – Mursi tashmë duhet të nisë përpjekjet për ndërtimin e një administrate civile, ndërsa vëmendja do të përqendrohet tek zgjedhja e kryeministrit të ri të vendit. Ka zëra që flasin për bisedime mes Mursit dhe ElBaradei

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.