“Sëmuret” qeveria, Kryeministri do të mungojë në Samitin e BE

Greqi

Edhe ministri i Financave nuk do të jetë i pranishëm. Të dy janë të shtruar në spital për probleme shëndetësore

Kryeministri i ri i Greqisë, Antonis Samaras, do të mungojë në Samitin e BE-së, që do të zhvillohet kësaj jave, për shkak të gjendjes jo shumë të mirë shëndetësore, pas operacionit që kreu në sy në fundjavë. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i qeverisë.

Ai shtoi se Samaras nuk mund të jetë pjesë e takimit, sepse doktorët e kanë penguar që të fluturojë dhe se ministri i Jashtëm, Dimitris Avramopoulos, do të shkojë në vendin e tij. Edhe ministri i Financave, Vasilis Rapanos, ndodhet në spital për shkak të një gjendjeje të fikëti që përjetoi në fundjavë. Sipas mjekëve, shëndeti i tij është përmirësuar ndjeshëm dhe gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme. Ministri i Financave në detyrë, bashkë me dy ministra të tjerë, pritet ta zëvendësojnë atë.

Samaras iu nënshtrua një operacioni rutinë të shtunën për të riparuar retinën e dëmtuar, ndërsa sipas mjekëve gjithçka shkoi shumë mirë. Samaras u betua si Kryeministër të mërkurën dhe do të drejtojë një qeveri koalicioni trepartiake. Inspektorët e borxhit nga BE-ja, Banka Qendrore Europiane dhe FMN-ja, që priteshin të mbërrinin sot në Athinë, e kanë shtyrë gjithashtu vizitën për shkak të shëndetit të dobët të Kryeministrit. Data e re për vizitën e tyre do të vendoset gjatë kësaj jave. Greqia ndodhet nën presionin e ndërkombëtarëve për të plotësuar kushtet e kredisë. Koalicioni i ri qeverisës përbëhet nga dy partitë kryesore “pro-memorandumit”. “Demokracia e Re” dhe PASOKU mbështetin masat e kursimit dhe reformat e kërkuara nga huadhënësit e Greqisë, si kusht që vendi të mos dalë nga zona euro. Por një dokument i bërë publik për mediat ndërkombëtare të shtunën e që pritet t’u dorëzohet inspektorëve të Trojkës, flet për një shtyrje të afatit, prej dy vjetësh, deri në 2016-n për përmbushjen e reformave që do të reduktojnë borxhin publik. Dokumenti përfshin dispozita për “një zgjatje të periudhës për reduktimin e deficitit buxhetor me të paktën dy vjet, objektiv ky që mund të plotësohet pa shkurtime të mëtejshme në pagat dhe pensionet. Por deri tani ndërkombëtarët nuk e kanë pritur mirë lajmin për ndryshimin e kushteve të kredisë. Ata gjithmonë e kanë përsëritur se kushtet janë të panegociueshme. Programi për reformat e Greqisë pritet të jetë tema kryesore e samitit që do të zhvillohet në Bruksel të enjten. Greqia, që nga maji i vitit 2010, është e varur nga paratë e ndërkombëtarëve për të shmangur falimentimin e vendit. Huat e BE-së dhe FMN-së iu imponuan vendit në këmbim të një sërë shkurtimesh të thella dhe rritje taksash. Programi i saj i fundit për uljen e deficitit buxhetor shkon deri në 2014-n. Por, pavarësisht se qeveria e re ka premtuar se do të rishikojë kushtet e kredisë, me qëllim lehtësimin e tyre, kjo varet shumë edhe nga ndërkombëtarët. Gjermania, një nga kontribuueset më të mëdha në paratë që i janë dhënë Greqisë, e ka përsëritur shpesh se Greqia duhet të plotësojë me domosdoshmëri kushtet e vendosura, në këmbim të kësteve të kredisë.

Operacioni – Kryeministri i ri i Greqisë, Antonis Samaras, do të mungojë në Samitin e BE-së që do të zhvillohet kësaj jave, për shkak të gjendjes jo shumë të mirë shëndetësore, pas operacionit që kreu në sy në fundjavë

Ministri – Edhe ministri i Financave, Vasilis Rapanos, ndodhet në spital, për shkak të një gjendjeje të fikëti që përjetoi në fundjavë. Sipas mjekëve, shëndeti i tij është përmirësuar ndjeshëm

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.