Mohammed Mursi, presidenti i ri i Egjiptit

Kandidati i “Vëllazërisë Myslimane” ka arritur të fitojë 51.73% të votave

Ndërkohë, rezultatet për zgjedhjet u pritën me padurim

Presidenti – Mohammed Mursi është shpallur Presidenti i ri i Egjiptit, pasi kreu i Komisionit të Zgjedhjeve bëri publik rezultatin e balotazhit të javës së kaluar

Rezultati – Mursi i “Vëllazërisë Myslimane” arriti të marrë 51.73 për qind të votave, duke mundur kështu Ahmed Shafiq-in. Ashtu siç ishte paralajmëruar, dje u publikua rezultati

Situata – Një atmosferë shumë e tensionuar me tanke dhe ushtarë që patrullonin rreth selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mohammed Mursi është shpallur Presidenti i ri i Egjiptit, pasi kreu i Komisionit të Zgjedhjeve bëri publik rezultatin e balotazhit të javës së kaluar. Mursi i “Vëllazërisë Myslimane” arriti të marrë 51.73 për qind të votave, duke mundur kështu Ahmed Shafiq-in. Ashtu siç ishte paralajmëruar dje, u publikua rezultati i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 16 dhe 17 qershor në një atmosferë shumë të tensionuar, me tanke dhe ushtarë, që patrullonin rreth selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ndërkohë, rezultatet për zgjedhjet presidenciale u pritën me padurim, jo vetëm nga egjiptianët, por edhe nga ndërkombëtarët. Në garë morën pjesë dy kandidatë, Mohamed Mursi i “Vëllazërisë Myslimane” dhe Ahmed Shafiq, ish-gjeneral dhe ish-kryeministër në kohën e Mubarakut. Mijëra mbështetës të Mursit u mblodhën në sheshin “Tahrir” për të dëgjuar rezultatin dhe duke kërkuar nga Këshilli Ushtarak që të respektojë vullnetin e popullit. Njerëzit bërtisnin me të madhe “revolucion, revolucion deri në fitore”. Ndërsa përkrahësit e Shafiq u mblodhën në distriktin verior të qytetit Nasser. Atmosfera në të dyja tubimet ishte e qetë, por e tensionuar. Dyqanet u mbyllën herët, ndërsa njerëzit nxitonin për në shtëpi për të parë konferencën për shtyp të kreut të Komisionit të Zgjedhjeve në Nasser. Edhe punonjësve qeveritarë iu kërkua të largoheshin herët, si shenjë parandalimi në një situatë të tensionuar. Njoftimi për dhënin e rezultatit është bërë nga një komunikatë për mediat prej Komisionit Zgjedhor në Kajro, në kohën kur në rrugët e kryeqytetit egjiptian protestonin mijëra mbështetës të opozitës kundër Këshillit Suprem Ushtarak, i cili pasi shpërndau parlamentin e zgjedhur me votë të lirë, zotëron pushtet absolut si ekzekutiv ashtu edhe legjislativ. Opozita dhe protestuesit akuzojnë ushtarakët se me lëvizjet e fundit po tentojnë të mbajnë pushtetin, duke mos ua kthyer atë kurrë civilëve. Javën e kaluar, ushtarakët shpërndanë parlamentin e dalë nga zgjedhjet e para të lira në vend, që nga ardhja e Mubarakut në pushtet, 40 vjet më parë. Vendimi për shpërndarjen e parlamentit mbërriti pas interpretimit të ligjit zgjedhor nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Kajro, e cila e vlerësoi këtë ligj si antikushtetues. Vendimi shkaktoi protesta, si nga “Vëllazëria Myslimane”, partia më e madhe në vend, por edhe nga radikalët salafitë, partia e dytë që siguroi më shumë mandate në parlamentin e shpërndarë. Ushtarakët këmbëngulin se nuk u duhet pushteti civil dhe se do ta ushtrojnë atë deri në momentin kur vendi të ketë tejkaluar krizën aktuale. Sipas tyre, është e nevojshme që të reformohet ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e vendit. Ushtarakët kanë premtuar që do të delegojnë pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv në duart e presidentit të ri të vendit në fund të muajit qershor dhe nëpërmjet një deklarate shpërndarë nga media shtetërore, u zotuan se do të shtypin me të gjithë forcën policore dhe ushtarake të gjitha përpjekjet që “vendosin në rrezik ekzistencën e vendit”, që nga shumëkush është marrë si një kërcënim kundër protestave të opozitës. Agjencia e lajmeve “Mana” njoftoi planin e Ministrisë së Brendshme për të garantuar sigurinë, para dhe pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.

 

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.