Mario Monti: Kemi vetëm një javë për të shpëtuar eurozonën

Deklarata

Alarmi i Kryeministrit italian para takimit

Në një intervistë që Monti ka dhënë dje për një media britanike, ka bërë të ditur se pa një përfundim të suksesshëm të takimit do të ketë sulme spekulative më të mëdha ndaj vendeve të eurozonës. Sulmet do të përqendrohen jo vetëm tek ata që kanë respektuar linjat e BE-së, por edhe te vende të tjera, si për shembull Italia

Lideri italian do të zhvillojë bisedime me Kancelaren gjermane Merkel, Presidentin francez, Hollande, dhe Kryeministrin spanjoll me shpresën se katër vendet më të mëdha të monedhës së përbashkët do të hapin rrugën për një sukses të takimit të javës së ardhshme në Bruksel

Mario Monti

Kryeministri italian, Mario Monti, paralajmëroi dje se nuk ka asnjë mundësi dështimi në përpjekjet për ruajtjen e monedhës euro. Ai ka paralajmëruar se pasojat e dështimit do të jenë të përmasave apokaliptike. Bëhet fjalë për takimin e ardhshëm të liderëve të BE-së në Bruksel që do të përqendrohet i gjithi në çështjen e shpëtimit të vendeve të eurozonës. Monti nënvizoi përshkallëzimin e përkeqësimit të situatës brenda vendeve të eurozonës, që mund ta shndërronte situatën në një kërcënim të qartë dhe të mirëfilltë të ardhmërisë politike dhe ekonomike të Europës.

Lideri italian do të zhvillojë bisedime me Kancelaren gjermane Merkel, Presidentin francez, Hollande, dhe Kryeministrin spanjoll me shpresën se katër vendet më të mëdha të monedhës së përbashkët do të hapin rrugën për një sukses të takimit të javës së ardhshme në Bruksel.

Në një intervistë që Monti ka dhënë dje për një media britanike, ka bërë të ditur se pas një përfundimi të suksesshëm të takimit do të ketë sulme spekulative më të mëdha ndaj vendeve të Eurozonës. Sulmet do të përqendrohen jo vetëm tek ata që kanë respektuar linjat e BE-së, por edhe te vende të tjera, si për shembull Italia që i ka zbatuar rregullat, por që për shkak të një borxhi të madh që mbart me vete nga e kaluara ndodhet sot në një situatë kritike financiare dhe ekonomike.

Monti paralajmëroi: Një pjesë e madhe e Europës do të duhet që të vazhdojë të mbijetojë me interesat shumë të larta, që më pas do të kenë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë te bizneset dhe kjo është tërësisht e kundërta e asaj çka duhet për të pasur sërish një rritje ekonomike. Duke nënvizuar rezultatet e një dështimi të bisedimeve, Monti tha se përballë një paralize gjithnjë e më të madhe të ekonomisë, europianët do të rrisin pakënaqësinë dhe do të krijohet në këtë mënyrë një rreth vicioz. “Për të dalë në formë të mirë kërkohet më shumë integrim”, ka thënë Monti. E megjithatë nëse takimi do të dështojë që të zgjidhë sa më shpejt problemet me të cilat po përballen shumë vende të eurozonës, opinioni publik, por edhe qeveritë dhe parlamentet do të kthehen kundër një integrimi më të madh. Monti tha se mund ta shihte fillimin e këtij procesi negativ edhe në Parlamentin e vendit të tij, i cili tradicionalisht ka qenë pro europian dhe aktualisht nuk është më i tillë. Ai i bëri vërejtjet e tija disa orë pasi paraardhësi i tij, Berluskoni, deklaroi se partia e tij kishte filluar që të humbiste mbështetësit e saj, për shkak të mbështetjes që ajo u kishte dhënë masave aspak popullore për buxhetin e Montit dhe qeverisë së tij. Kjo ishte hera e parë që Berluskoni foli hapur për avantazhet elektorale që mund të vinin nga një sulm ndaj qeverisë teknokrate dhe jo partiake të Montit.

Monti sinjalizoi se liderët kyçë të vendeve të eurozonës ishin duke punuar për një plan që do të ndalonte përhapjen e “infektimit” të borxhit. Sipas tij, ky plan ishte një nga ata që mund të konsiderohen si “absolutisht të rëndësishëm. Sipas tij, një nga pasojat kryesore të planit do të ishte një vullnet i qartë i eurozonës për t’u integruar edhe më shumë në të ardhmen, në mënyrë që europianët ta dinë se ku janë duke shkuar. Ai tha se mund të mos dilte një draft i plotë dhe i detajuar, por ai do të kishte disa elemente të forta dhe një kohë afatshkurtër për të dalë nga kriza. Sipas tij, kërkesa të këtij plani do të ishin një union bankar më i plotë me avancime për sa u përket kushteve të integrimit.

Monti e shmangi dhënien e detajeve në lidhje me këtë draft, por u mjaftua që të thoshte vetëm se ai vetë ishte pro blerjes së bonove nga vendet që ishin nën “sulm”.

©Copyright Gazeta SHQIP

Për t'u bërë pjesë e grupit mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t'ju aprovohet.
Komuniteti Gazeta Shqip: https://www.facebook.com/groups/gazetashqip/





LEXO MË TEJ:


Më të lexuarat

Comments are closed.